Pasi dështoi me e-Albania, AKSHI do të blejë 1.5 mln USD laptop dhe printera

Pandemia Covid-19 ka gjunjëzuar ekonominë shqiptare. Firmat private po lëngojnë nga humbja e pazakontë, ndërkohe që qeveria ka miratuar deri më tani 2 paketa financiare, në formë kredie, për t’u ardhur në ndihmë.

Por, në këtë kohë të pazakontë, institucionet shtetërore po vijojnë të bëjnë tendera, jo për të ndihmuar qytetarët për pagat, por për luksin e vetë shtetarëve. Gazeta SHQIP ka siguruar dokumentet e një tenderi që po kryen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e cila ka akorduar plot 1.5 milionë USD për të blerë pajisje elektronike për institucionet shtetërore.

Shifrat janë të frikshme kur mendon kohët që po kalon Shqipëria, apo për krizën e madhe ekonomike që pritet të vijë. Por, institucioni që dështoi rendshëm të menaxhojë E-albania duket se ka dorë të lirë për shpenzime luksi. Në dokumentet e siguruara nga SHQIP bie në sy vlera tepër e lartë për të blerë kompjutera. Rreth 1 milionë USD do të përdoren për kompjutera dhe laptope. Pjesa tjetër është për printera, skaner, UPS, etj.

Nisur dhe nga objekti i tenderit, AKSHI thotë se përfitues do të jenë pikërisht punonjësit e administratës shtetërore, të cilët në këtë kohë pandemie përveccse nuk rrëzikojnë pagat, por do të kenë lehtësira edhe në pajisje elektronike. Në dokumentet e siguruara jepen detaje edhe për pajisjet, ku ajo që bie në sy porosia për monitorë 27 dhe 30 polësh. Madje, edhe laptopët të jenë të prodhimeve të fundit, të shpejtë apo me kamera, etj.

Tenderi i luksit po bëhet as më pak e as më shumë, nga agjencia që administron portalin E-albania. Në kohën e pandemisë, ky portal ka qenë i paaksesueshëm për qindra qytetarë. Para pak javësh, Gazeta SHQIP, investigoi se për këtë portal janë shpenzuar dhjetëra milionë euro. Dhe, kur u duhej shqiptarëve, ai nuk punonte.

“Një gabim ka ndodhur. Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin, lutemi provoni më vonë”. “Ju kërkojmë ndjesë! Shërbimi nuk mund të ofrohet për momentin”. Ishin disa nga frazat që u shkuan qytetarëve me SMS. Në atë kohë, të detyruar për të dalë për blerje bazike si buka apo ushqimet, pas të dielës 24 orë në karantinë, shumë prej tyre e kanë thyer karantinën pa leje.

Portali sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2019 u ka kushtuar shqiptarëve plot 642 milionë lekë (të vjetra), ndërsa për vitin 2020 buxheti i parashikuar nga qeveria është 381 milionë lekë (të vjetra).

Pra, e thënë ndryshe ky portal u ka kushtuar plot 1 miliardë lekë shqiptarëve dhe nuk ka kapacitete për të përballuar fluksin e 50-60 mijë klikimeve. Nëse gjen portale apo aplikacione të ngjashme të mediave, me fluks 10 fish më të madh se e-albania, nuk do të kenë një kosto më tepër se 10 mijë euro në vit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.