Si po e fut koronavirusi në krizë Bashkimin Europian, tension Itali-Gjermani

Pasojat e koronavirusit rrezikojnë të godasin rëndë ekonominë e Bashkimit Europian, dhe tensioneve për sigurinë shëndetësore tashmë po i shtohen edhe tensionet midis qeverive të ndryshme për sa i përket masave financiare që duhet të ndërmerren. Tema që po nxeh politikën europiane rrotullohet veçanërisht tek krijimi i të ashtuquajturit “eurobond”.

Italia, që mbetet një nga vendet më të goditura nga pandemia, ka qenë vendi i parë që i ka propozuar vendeve të  BE-së  të eurobond-it, pra të një mekanizmi solidar që parashikon shpërndarjen e borxheve në gjithë vendet e eurozonës, përmes krijimit të obligacioneve të borxhit publik të këtyre vendeve, të garantuara nga vetë vendet.

Sipas kryeministrit Giuseppe Conte, eurobondet janë “të domosdoshme për Europën që ajo të mbetet kompetitive”, dhe idesë së italianit i janë bashkuar  edhe Franca, Spanja, Portugalia, Greqia, Luksemburgu, Belgjika, Irlanda dhe Sllovenia.

Por kërkesa e këtyre vendeve kundërshtohet fuqishëm sidomos nga Gjermania dhe Vendeve të Ulëta, që mendojnë se Bashkimi Europian ka masa të tjera për të qenë solidare. Kancelarja Angela Merkel deklaroi sot se nuk besonte se “duhet të ketë një garanci europiane të borxhit”.

Ndërkohë, edhe Parlamenti holandez ka miratuar dy rezoluta kundër eurobondit, duke qenë vendi më konservator në këtë pjesë.

Ky refuzim i Gjermanisë dhe Vendeve të Ulëta, të cilëve i bashkohen edhe vende si Finlanda dhe Austria, o acaron tej mase marrëdhëniet mes dy palëve, me kryeministrin Conte që deklaroi se “është në interesin e Europës të jetë në lartësinë e duhur, përndryshe do të duhet të braktisim ëndrrën europiane dhe të themi që secili të merret me hallet e veta”.

Ndërkohë, marrëdhëniet Romë- Berlin kanë pësuar një goditje sot edhe nga një editorial i prestigjiozes gjermane “Die Welt”, e cila mbante si titull një “Mafia po pret financimet e Bashkimit Europian”, duke shkaktuar reagimin e ministrit të jashtëm italian Luigi Di Maio, i cili i kërkoi qeverisë Merkel të ”distancohet nga ky turp”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.