Banka Botërore bën gati ndihmën: Kosova rrezikon me tkurrje të ekonomisë për shkak të COVID-19

Banka Botërore po bën gati një program me vlerë 120 milionë euro për të ndihmuar Kosovën në menaxhimin dhe zbutjen e ndikimit të krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

Në një raport të përpiluar nga ky institucion, Kosova ashtu si vendet e tjera të rajonit rrezikon që të ketë një tkurrje të ekonomisë gjatë këtij viti, për shkak të masave parandaluese ndaj COVID-19.

“Përveç mbylljes së përkohshme të veprimtarive kryesore ekonomike dhe humbjes së të hyrave, në Kosovë ndikimi i pandemisë do të shoqërohet kryesisht me uljen e eksporteve të shërbimeve të nxitura nga diaspora, të dërgesave informale, si dhe të Investimeve të huaja të drejtpërdrejta në ndërtime”, thuhet në raportin rajonal “Përditësimi Ekonomik – Pranverë 2020”, në të cilin theksohet se “megjithatë ekonomia pritet të rimëkëmbet në vitin 2021”.

Sidoqoftë, theksohet në njoftim, “nëse shpërthimi vazhdon përtej tremujorit të dytë të vitit 2020, ndikimi i COVID-19 do jetë serioz në ofertën ekonomike, duke çuar në humbje afatgjata të vendeve të punës dhe në prodhim.

Programi i Bankës Botërore përfshin një projekt të ri me miratim të përshpejtuar për t’iu përgjigjur përparësive urgjente të sektorit shëndetësor dhe për të mbrojtur të hyrat e familjeve, si dhe ristrukturimin e projekteve të miratuara tashmë për të mobilizuar fonde në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. “Këto programe ka të ngjarë të tejkalojnë 120 milion euro”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit për media Banka Botërore ka ndarë rreth 160 miliardë dollarë për mbështetje financiare gjatë 15 muajve të ardhshëm për t’u ndihmuar vendeve të ndryshme t’i mbrojnë të varfrit dhe të cenueshmit, t’i mbështesin bizneset, dhe të forcojnë rimëkëmbjen ekonomike.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.