Kosova/ Sërish në “lëmsh” politik, skenarët për krijimin e qeverisë

Në Kosovë, përvec Vetëvendosjes që këmbëngul për zgjedhje të reja, të gjitha partitë politike I mëshojnë idesë së krijimit të një qeverie të re. Përplasjet mes Albin Kurtit dhe presidentit Hashim Thaçi, të shfaqura që pas zgjedhjeve të 6 tetorit kur VV po rrekej të ngrinte në këmbë me vështirësi koalicionin qeverisës e kreu I shtetit insistoi për emrin e të mandatuarit, tani dolën në pah sërish.

Kurti, tashmë kryeministër në detyrë i vendit pas kalimit në parlament të një mocioni mosbesimi të cilin e paraqiti vetë partneri i tij I koalicionit, LDK, e ka shprehur qartë pakënaqësinë me ndërhyrjen e radhës së Thaçit, për të cilin thotë se nuk po e kryen funksionin e tij neutral, por ka qëllime politike dhe personale. Këto pohime, Kurti i bëri pasi Thaçi i kërkoi zyrtarisht VV-së të propozonte emrin e të mandatuarit për formimin e qeverisë së re.

“Nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, qeveria bie, dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar qeverinë”, theksonte presidenti në letrën e tij. Kurti iu përgjigj me një postim në rrjetet sociale.

“Presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj qeverisë. Presidenti po sillet thua se qeveria varet nga Kuvendi por, ky s’varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë. Presidenti, takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t’ishte i paanshëm e procedural. Disi do qe të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020! Sidoqoftë, ne do t’i përgjigjemi, në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”, shkruante ai.

Por edhe partitë e tjera duke nisur më AAK-në, Nismën Socialdemokrate, apo subjektet politike të pakicave të cilat kanë vende të garantara në Kuvend, shprehn kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja, e në favor të formimit të një qeverie të re gjithëpërfshirëse. Siç kujton DW, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK)  janë tashmë mbështëse të një skenari të tillë. Kjo përplasje qëndrimesh, tregon sipas ekspertëve si Vigan Qorroli, konstitucionalist dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, se “Kosova po hyn në një krizë të thellë politike”.

Në këtë situatë, sic e sheh ai, gjithçka pritet të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, për një aktgjykim të ri mbi interpretimin normativ për menyrën e formimit të qeverisë. “Vendimi i presidentit për një qeveri të re dhe jo zgjedhje të reja, do ta polarizojë edhe më keq skenën politike. LVV në njerën anë, të gjitha të tjerat bashkë, në anën tjetër. Po futemi zyrtarisht në krizen më të thellë politike të pasluftes”, ishte komenti I tij.

Një njohës tjetër i Kushtetutës Dastid Pallska, thotë se insistimi i kryeministrit Kurti vetëm në nenin 82.2 të Kushtetutës, duke anashkaluar nenet tjera është i gabuar.  “Po ta kishte lexuar vetë Nenin 82.2 të Kushtetutës do ta kuptonte se krejt çka kjo dispozitë përcakton është se, pas votimit të suksesshëm të mocionit të mos-besimit ndaj Qeverisë, presidenti e ka mundësinë, por jo detyrimin, ta shpërndajë Kuvendin dhe ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohëshme”, thotë Dastid Pallska.

Analisti dhe drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, mendon se është në dorën dhe në vullnetin e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, por edhe të afateve kushtetuese për t’i dhënë zgjidhje çështjes aktuale me qëllimin të përgatitet një proces, qoftë zgjedhor apo për të prodhuar një qeveri tjetër, e cila ka shumicën parlamentare.

“Janë këto dy opsione të cilat duhet të shkojnë në harmoni me Kushtetutën dhe me vullnetin politik të partive të përfaqësuara në Kuvend”, tha Kryeziu. Njohësit e zhvillimeve politike, të cituar nga REL, thonë se nëse partitë politike deklarohen se nuk janë të interesuar për një qeveri të re, atëherë presidenti i vendit mund të shpërndajë kuvendin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Por, sipas tyre, subjekti politik i cili në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 doli fitues, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje, nuk mund të tejkalohet nga presidenti pa u pyetur se a mund të formojë një qeveri sërish.

Sakaq analisti Fisnik Halimi, tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk ka dy opsione për të cilat po flitet se mund të ndodhin por, sipas tij, ka vetëm respektim të Kushtetutës.

“Një gjë është plotësisht evidente që Kushtetuta e njeh të drejtën që I mandatuari i dytë apo i tretë, në rast se e formon shumicën në Kuvend, mund ta krijojë qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës pa shkuar në zgjedhje të reja. Pse themi pa shkuar në zgjedhje sepse ne kemi precedent kur kryeministri ishte ndërruar duke mos shkuar në zgjedhje të reja – e kemi rastin e ish-kryeministrave Bajram Kosumi dhe Agim Çeku”, ishte komenti i Halimit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.