Lamtumira pa lamtumirë e Gëzim Krujës

Nga Xhahid Bushati*

Gëzim Krujën e kam njohur. Mund të kem qenë në klasën e pestë, kur në shtëpinë time, teksa shëtitja dhomave, heshturazi dhe me zë ripërsëritja humorin dhe batutat e tij. U ngjanin thesareve. Me kalimin e viteve “arkivi” i humorit të tij u rrit e u rrit… U rrit edhe miqësia ime me të.
Gëzim Kruja ishte një talent i lindur. Është tipologjia e aktorit që humori i tij, përmes batutës, krijon gjendje emocionale dhe etike. Ishte i shumë rrafsheve. Tek Ai u ndërthurën aktrimi dhe zhongleri, pantonimisti dhe shkrimtari humorist. Interpretimet e shumta në skenë dhe jashtë saj, bota e bukur prej mrekullihumori që krijoi për fëmijët flasin se ai iu drejtua të gjitha gjeneratave. Ndaj, të gjitha gjeneratat do ta kujtojnë e përkujtojnë me respekt. Të gjitha gjeneratat do t’ua përcjellin njëra-tjetrës vlerat e humorit brilant të aktorit Gëzim Kruja.

Gëzim Kruja kishte disa “stacione”, ku “u ndal” dhe la gjurmë. “Stacioni” i parë ishte Ndërmarrja e Duhan-cigareve, ku kaloi dhe më së shumti jetën e tij të punës. Shfaqjet që vuri në skenë me këtë Ndërmarrje, duke i shkruar pothuajse të gjitha libretet, brenda të cilëve ishin të lëvruara pothuajse gjinitë dhe zhanret e humorit janë një dimension i madh, ku ridimensionojnë figurën e aktorit të talentuar Gëzim Kruja, për të cilat kërkohet një studim I veçantë. Nderim, Mjeshtër!
“Stacioni” i dytë ishte Klubi i rinisë “Heronjtë e Vigut”, ku Gëzimi krahas aktorëve të tjerë të talentuar të humorit, krijoi individualitetitn e tij, si rezultat i përkujdesjes së regjisorit të talentuar Hilmi Tukaj. Kujtoni shfaqjet në Pallatin e Sportit, të cilat edhe sot e kësaj dite për magjinë që kishin, nuk mund të përsëriten. Nderim, Mjeshtër!
“Stacioni” i tretë ishte Estrada Profesioniste e Shkodrës. Për Gëzimin ishte një shkollë, që e rriti cilësisht, e shpërfaqi fuqishëm figurën prej aktori, duke qëndruar denjësisht krahas aktorëve madhorë, siç ishin: Tano Banushi, Hasan Smaja, Paulin Preka, Zef Deda, Jolanda Shala, Zyliha Miloti, Hajrije Sula, Gjosho Vasia, Katerina Biga, Drande Xhai, Besnik Çinari, Edmond Halili, Anton Krosaj, Aleks Selmani, etj.
Aktori Gëzim Kruja e njohu mirë artin skenik të humorit, duke vënë në skenë shumë komedi e duke lënë në dorëshkrim shumë të tjera, pa përmendur skeçet, vodevilet, gazmoret etj. Ai, me talentin e tij prej aktori dhe prestigjatori krijoi një botë të bukur për fëmijët që s’u pushoi e qeshura. Lodrimi, e papritura, njohja e psikologjisë fëminore, etj. mbeten “shenja” të një dhuntije të madhe dhe të një testament të vyer që la për këtë brez, të cilat duhet ta kenë bashkudhëtar.
Në këtë ditë trishtimi, trishtim që do të më ndjek pas, ashtu si për shumë aktorë që kanë ndërruar jetë; humbja e Mjeshtrit Gëzim Kruja është e madhe. Në art la një karrigë bosh që e ka të vështirë kush të ulet, ndërsa unë humba një mik të vyer që do ta kujtojë përherë me nderim.
Lamtumirë pa lamtumirë Gëzim Kruja, Mjeshtër i humorit shqiptar!

*Marrë nga profili në Facebook i shkrimtarit, Xhahid Bushati

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.