Meta i shqetësuar për shqiptarët e bllokuar: Duhet një zgjidhje e shpejtë, të evitohen lëvizjet jo urgjente

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shprehur shqetësimin për gjendjen e shqiptarëve të cilët kanë ngelur në pikat doganore me Malin e Zi dhe Greqinë. Kreu i Shtetit u ka kërkuar autoriteteve që të informojnë pa vonesë qytetarët mbi procedurat e reja, që të shmangen grumbullimet. Meta bën apel që të evitohen maksimalisht lëvizjet jashtë kushteve të urgjencës dhe domosdoshmërisë.

“Jam duke ndjekur me vëmendje dhe me shumë shqetësim situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët ndodhen të bllokuar në pikat e kalimit kufitar me Greqinë dhe Malin e Zi. Situata e pritjes së tyre në kufirin shqiptar dhe pengesa që po hasin kërkon një zgjidhje të shpejtë.

Autoritetet shqiptare përgjegjëse të informojnë pa vonesë qytetarët tanë mbi gjendjen dhe procedurat e reja që duhen respektuar në pikat tona kufitare, të imponuara nga pandemia COVID-19, në mënyrë që të mos krijohen grumbullime të pamenaxhueshme.

Në të mirë të të gjithëve, shtetasit tanë duhet të jenë në komunikim të vazhdueshëm me ambasadat dhe konsullatat tona, si dhe të evitojnë maksimalisht lëvizjet jashtë kushteve të urgjencës dhe domosdoshmërisë.

U bëj thirrje të gjithëve që, duke forcuar bashkëpunimin midis qytetarëve dhe autoriteteve përgjegjëse në këtë situatë të vështirë, të tregojmë mirëkuptim e bashkëpunim, por veçanërisht solidaritet dhe përgjegjshmëri të lartë për të kapërcyer me sa më pak kosto këtë sfidë të jashtëzakonshme. “, ishte reagimi i Metës.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.