Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Dragostunjë, fshati ku "infektohen" luftëtarët islamik për në Siri!

Në më pak se 75 kilometra larg Tiranës, ndodhet fshati Dragostunjë. Nëse udheton drejt këtij fshati do të shohesh se në pjesën e sipërme të tij është investuar dhe rrugët janë të asfaltuara. Ndërsa në pjesën e poshtme duket sikur është lënë në mëshirë të zotit. Në krahun që rruga është e asfaltuar  mund të shkosh edhe drejt Parkut Kombëtar Shebenik. Por, rrugëtimi ynë ka një tjetër mision, drejt këtij fshati që ka një bukuri përrallore të falur nga natyra.

Shtëpitë janë të ndërtuara në distancë të konsiderueshme nga njëra tjetra. Ajo që tërheq vëmendjen  është fakti që shumica e shtëpive janë të reja dhe me më shumë se një kat. Në qendër të fshatit na bie në sy kjo xhami e cila është ndërtuar për banorët. Arkitektura dhe madhësia e saj të bëjnë që ta soditësh për disa momente. Fshati duket i zbrazët, në largësi mund të shquash dikë që punon tokën apo që kujdeset për bagëtinë. Ora në këto moment po shënon 12:00 dhe është ditë e dielë. Po presim edhe pak në afërsi të xhamisë me shpresën se dikush do të vijë për të faluar namazin e drekës.

Në rrugën e asfaltuar dëgjohet që rrëshqasin gomat e një makine. Ajo ndalet në sheshfushimin e xhamisë. Prej saj dalin dy burra, janë babë e bir. I përshëndes dhe i them se dua të pyes rreth halleve të fshatit. Më kërkojnë që t'i pres sa të mbarojnë faljen e namazit.

Të gjithë burrat që u mblodhën në xhami ishin më pak se gishtat e një dore. Pasi mbaroi falja e namazit dy prej tyre erdhën drejt meje për të biseduar. Papi është zotëria rreth të 50-ve, ndërsa djali i tij nuk është më shumë se 18 vjeç.

Kur e pyes për fshatin dhe për banorët e tij, Papi më përgjigjet gjithë krenari se çdo gjë shkon për bukuri.  "çdo familje në fashat është rregulluar nga emigracioni. Nevojë për vende pune nuk ka, pasi të rinjtë janë larguar. Emigracioni ka qënë e vetmja mënyrë që fshati të dalë nga varfëria."

Dragostunja është e ndarë në dy lagje sipas këtij banori. Lagjia e banorëve dhe e besimtarëve tradicional myslyman dhe lagjia e atyre që janë larguar shumë nga besimi tradicional. Këta janë edhe ata që kanë shkuar në Siri.

Papi që ndoshta gjatë e ka emrin Përparim por që nuk do të identifikohet më shumë, rrudhë buzët kur e pyet për të ikurit në Siri. Ai shprehet se besimi myslyman tradicional nuk të mëson të vrasësh vëllain.

"Një besim që merr jetë nuk është besim. Disa  banorë  përqafuan një frymë tjetër besimi të sjellë në fshat nga disa të rinj që kishin studiuar në lindjen e mesme. Më shumë ishte si një mashtrim apo shpëlarje truri që u bëhej. Ata nuk donin të dëgjonin muzik se e quanin harram, nuk shkonin në dasma apo në vdekjet e njerëzve që ishin jashtë grupit të tyre."

Sipas rrëfimit të këtij banori nuk është vetëm fakti që ata mbanin mjekër të gjatë, as fakti se ata e praktikonin ndryshe faljen, problemi ishte edhe në të përditshmen e tyre. Ata festonin pa muzik çdo dasëm apo gëzim tjetër. Në çdo ceremoni  burrat dhe gratë do të rrinin të ndarë në dhoma të ndryshme. Gratë gjatë gjithë kohës duhet të ishin të mbuluara me  perçe apo ferexhe.

Papi tregon më tej se banorët ishin të ndarë në dy grupe. Ata shkonin në xhami të ndryshme për të kryer ritet e tyre fetare. Xhamia që sipas tij nuk ka frymë radikale vijon të jetë e hapur. Ndërsa xhamia tjetër është mbyllur që pas ikjes së shumë banorëve drejt Sirisë.

Largimet e para të shqiptarëve drejt Sirisë  u shënuan në 2012.  Numri i shtetasve të larguar në këto zona në vitin 2014 shkoi në 144. Por këto ikjet do të zeroheshin në vitin 2015  pas ndryshimeve që do të pësonte kodi penal. Por pavarësisht kësaj edhe vendi ynë ka në statistikat e veta një numër të konsiderueshëm të njerëzve që u vranë në Siri.

Referuar të dhënave të raportit të Komisionit Evropian 26 luftëtarë shqiptarë janë vrarë, rreth 45 janë kthyer ndërsa 73 persona të tjerë gjenden ende në zonat e luftës. Prej tyre 18 janë  luftëtarë si dhe  55 gra dhe fëmijë. Po të llogarisim  në përqindjen njerëzit që shkuan në këto zona lufte ne vendin tonë rezulton diku te 0,8%. Pra, në çdo 100 mysliman shqiptarë më pak se një person ka shkuar në këto vende. Kjo referuar një analize që ka bërë eksperti i sigurisë Ergys Muzhaqi në një intervistë televizive.

Ka shumë nevojë të kuptohet se çfarë ka ndodhur me këta njerëz, mbi shkaqet reale të largimit, që nuk janë vetëm ekonomike, por janë ideologjike dhe doktrinore. Janë shkaqe që kanë të bëjnë me komunitete ku ata kanë jetuar, me dinamikat e grupeve që ata janë bërë pjesë. Largime si shkak i një bindjeje të thellë ideologjike fetare, nëpërmjet keqpërdorimit të fesë.

Fshati ka një shkollë 9-vjeçare si dhe godinën e një qendre shëndetësore që duket se është ndërtuar këto dy vitete fundit.  E solla në vëmendje shkollën e fshatit për ta lidhur me një nga elementët që medohet se ka ndikuar te shumë prej shqiptarëve të larguar për në Siri. Pyetaj që të vjen rëndom në mendje është : A kanë patur të gjithë arsimin e duhur?! A e kanë kuptuar  qartë mesazhin që jep feja islame?!

Sipas një studimi të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim rezulton se në njësinë administrative Qendër të Librazhdit ku bën pjesë edhe fshati Dragostunjë, niveli arsimor lë për të dëshiruar. Të dhënat mbi nivelin arsimor tregojnë se banorët e kësaj zone  kanë një nivel të ulët arsimor. Vitet mesatare të shkollimit janë 8.89. Në terma absolutë 368 banorë ose 4.30% e popullsisë është analfabete ? një normë kjo më e lartë se mesatarja kombëtare. Pjesa dërrmuese e popullsisë ka përfunduar vetëm arsimin bazë rreth 72%,  ndërkohë  rreth 22% ka përfunduar së paku arsimin e mesëm dhe vetëm 4% zotëron një diplomë universitare. Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve në njësinë  Qendër, ka 12 shkolla 9-vjeçare dhe vetëm një shkollë të mesme.  Referuar këtyre të dhënave mund të kuptosh se edhe aftësia intelektuale për të interpretuar fenë në kontekstin e duhur  mungon.

Një tjetër faktor që ndikon në radikalizmin fetar janë edhe kushtete e vështira ekonomike. Shumë njerëz të zhytur në varfëri ju bashkuan kësaj rryme me shpresën se do të pasuroheshin. Për të kuptuar shkallën e varfërisë në këtë zonë po ju referohemi të dhënave zyrtare. Nga leximi i shifrave kupton se të dhënat ekonomike paraqesin një profil të ulët jetese të familjeve në njësinë administrative Qendër. Familjet banuese kanë si burim të rëndësishëm të të ardhurave përveç punës së paguar, pensionet , ndihmën ekonomike dhe remitancat. Pra familjet që jetonjë në këtë zonë mbahen me anë të pensionit, ndihmës ekonomike që jep shteti si dhe me paratë që ju dërgojnë fëmijët nga emigracioni.

Sa i përket shkallës së papunësisë ajo është e lartë. Më e lartë kjo shkallë papunësie është te të rinjtë të cilët kanë zgjedhur që të largohen duke qënë se nuk mundën të sigurojnë një punë në vendlindjen e tyre.

Por siç e thamë më lartë nuk është vetëm injoraca dhe varfëria që i ka shtyrë këta njerëz drejt Sirisë. Sipas rrëfimeve të banorit kanë qënë disa të rinjë që kanë sjellë një frymë tjetër "besimi" në fshatin  e tyre. Kryesisht këta të rinj kishin studiuar në Lindjen e Mesme. Ata ju kërkuan shqiptarëve që të bashkoheshin duke menduar se po solidarizoheshin fetarisht me popullin sirian kundër diktaturës. Një tjetër qasje është ajo se shqiptarët donin t?i largoheshin realitetit  ku ata nuk ndiheshin rehat. Dhe më kryesorja nga arsyet është  se ata kanë keqinterpretuar tekstet fetare.

Në ditët e sotme zhvillimet teknologjike kanë lujatur rolin e tyre në tërheqjen e njerëzve drejtë kësaj rryme. Përdorimi i internetit dhe i rrjeteve sociale, i dhanë një popullaritet të madh thirrjeve për xhihad në të gjithë botën.

Në luftë me radikalizmin fetar është i gjithë globi. Ende të paqarta mbeten mundësitë se si mund të ri-integrohen përsëri në shoqëri të kthyerit nga xhihadi. Në mënyrë që ata të mos ndihen të veçuar dhe të distancuar por në të njëtën kohë të mos rrezikojmë as pjesën tjetër të shoqërisë nga sulmet terroriste.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore