Parandalimi i rrëzimit dhe riskut për frakturë në moshën e tretë

Nga Artan BANO, Kirurg Ortoped

Rrëzimi sidomos në moshën e tretë është një problem i shpeshtë. Shkaqet e rrëzimit mund të lidhen me një balance të reduktuar muskulore në këto mosha, me probleme të uljes së pamjes, me probleme të ekuilibrit me origjinë nga veshi ose spondyloartroza cervikale apo edhe me probleme kardiake (aritmi, hypertension) etj.  Në këtë artikull do të gjeni informacion rreth mënyrës së parandalimit të rrëzimit si dhe udhëzime në rast se rrëzimi ndodh. 

Gjithmonë ka qenë e nevojshme të merren masa për të parandaluar rrëzimin në moshën e tretë. Në ditët e sotme dhe në kushtet e karantinës për njerëz të infektuar ose jo me coronavirus, nevoja për të shmangur në maksimum riskun për rrëzim dhe për rrjedhoje një frakturë të mundshme, e bën shumë të nevojshëm sensibilizimin me qëllim shmangjen e situatave të cilat mund të kenë nevojë për trajtim në urgjencën e spitalit apo nevojën për hospitalizim  disa ditor. Frakturat më të shpeshta ndodhin në kycin e dorës, rreth artikulacionit koksofemoral dhe në kolonën vertebrale. Koncepti i parandalimit të rrëzimit në moshën e tretë është pjesë e strategjisë së parandalimit primar dhe sekondar të frakturave nga fraxhiliteti. Fraktura të tilla ndodhin si pasojë e dobësimit të strukturës kockore për shkak të osteoporozës. Karakteristikë e këtyre frakturave është fakti se ato ndodhin nga një traumë me intensitet të ulët psh.: rrëzimi nga lartësia e trupit. Parandalim primar i riskut për frakturë konsiderohen të gjitha masat që lidhen me diagnostikimin e hershëm të osteoporozës dhe trajtimin e saj. Parandalim dytësor konsiderohen të gjitha masat që duhen marrë për të evituar një frakturë të dytë duke filluar që nga zbatimi i një protokolli të mirë rehabilitimi postoperator e deri te trajtimi i osteoporozës.

Rreziku për fraktura me intensitet të ulët në kushte shtepie (karantine)  mund të ulet duke patur parasysh disa udhëzime të thjeshta, por esenciale. Një nga metodat më efikase për të ulur rrezikun e rënies është forcimi i muskujve i  cili përmirëson koordinimin e lëvizjeve dhe balancën muskulore. Ulja e aktivitetit fizik ekspozon në një risk më të madh për tu rrëzuar. Sidomos në kushte karantine, lëvizjet janë të kufizuara, ndaj lind nevoja për të mbajtur gjendjen  lëvizshmërisë së përgjithshme në nivel të kënaqshëm nëpërmjet një aktiviteti të rregullt fizik (ushtrime në kushte shtëpie). Ky është një nga rekomandimet për të qenë të pavarur duke evituar kështu ndihmën e personave të tjerë. Sigurisht që ka shumë gjëra të tjera për të bërë në mënyrë që të rritet forca dhe ekuilibri. Mund të shfrytësoni atje ku është e mundur, programe nga interneti me ushtrime për moshën e tretë dhe ti bëni ato pjesë të programit tuaj ditor.

Kujdes të vecantë duhet të tregojnë pacientë të moshuar qe kanë probleme me sytë. Shikimi luan nje rol shume të rëndësishëm në balancën e trupit gjatë lëvizjes.  Kujdes duhet të tregohet me syzet, të cilat duhet të pastrohen rregullisht dhe të evitohet përdorimi i syzeve të personave të tjerë në familje. Ato mund të tregojne objektet më larg ose më afër me rezultat të rrisin rrezikun për rrëzim. Sytë mund të reagojnë ngadalë në ndryshime të dritës së ambjentit, prandaj kur kaloni nga një ambjent në tjetrin me diferencë të madhe ndricimi, jepini disa sekonda kohë vetes që sytë të përshtaten në ambjentin e ri dhe më pas vazhdoni të ecni. Kjo metodë mund të evitojë pengesën në objekte dhe rrëzimin.

Kujdes duhet treguar edhe me problemet e dëgjimit. Për pacientë që përdorin aparat dëgjimi, mbajeni gjithmonë me vete. Nëse keni probleme me infeksione në vesh, duhet ti kuroni dhe kjo mund të bëhet në kushte shtëpie me udhëzimet përkatëse të mjekut specialist. Probleme me veshët janë disa herë shumë të lidhura me ekuilibrin.

Kujdes duhet treguar me medikamentet që përdorni, sidomos për individë të cilët kane probleme kronike. Shumë kujdes duhet treguar në pacientë që marrin  disa medikamente bashkë, te cilat mund të ngatërrohen lehte. Medikamentet kanë edhe efekte anësore dhe ju duhet të kuptoni nëse ato ju ndihmojnë apo e kunderta. Nëse ndiheni të dobët, kjo do dëmtonte ekuilibrin tuaj, edhe pse momental, mund te bëhet shkak për rrëzim. Nëse kuptoni që një ose disa nga medikament  e përshkruara nga mjeku juaj,  ju shkaktojnë probleme, atëherë duhet të flisni më të për të diskutuar mundësinë e modifikimit të terapisë. Disa medikamente mund të shfaqin probleme kur ato shoqërohen me alkool. Sigurohuni që keni kuptuar drejt udhëzimet e mjekut dhe farmacistit. Nëse keni probleme me kujtesën, mund të përdorni zilen e orës, telefonit apo ti vendosni medikamentet në ambiente të gjetshme lehtë. Mundohuni të jeni strikt me oraret e marrjes së tyre. Kujdes të vecantë duhet te tregojnë pacientët diabetikë nën terapi. Rekomandohet të matet niveli i sheqerit në gjak në mënyrë sistematike cdo ditë. Me uljen e aktivitetit fizik dhe rritjen e stresit mund të fillojnë crregullime në diabet, prandaj matjet të mos neglizhohen. Kontrrolli i rregullt i diabetit do të evitonte dobësinë dhe për pasoje edhe rriskun për rrëzim.

Pacientët me probleme kardio-vaskulare gjithashtu duhet të tregohen më të kujdesshëm në këtë periudhë. Ata duhet të monitorojnë shenjat vitale (pulsin, tensionin, temperaturën) në mënyrë sistematike. Në rast djersitjeje nga temperatura, të përdorin lëngje mjaftueshëm dhe gjithnjë sipas udhezimeve të mjekut specialist. Dehidratimi mund të bëhet shkak për rrëzim. Pacientë me shumë probleme në levizje, histori kanceri dhe me varice apo faktorë të tjerë rrisku për tromboze, duhet të përdorin corape antitrombotike këtë peridhë sepse qëndrimi ulur për një kohë te gjatë mund të bëhet shkak për probleme tromboze në gjymtyrët e poshtme.

Kthejeni ambientin ku jetoni në një ambient të sigurt, duke evituar cdo shkak të mundshëm për rrëzim. Ndricimi i mjaftueshëm i ambienteve është  faktor i rëndësishëm p.sh.: në banjë, apo në shkallë. Shkallët duhet të jenë të lira, pa pengesa apo objekte (vazo lulesh etj.) që mund të bëhen shkak për rrëzim, dyshemeja të jetë e paster, pa lodra për femije (nëse jetoni me fëmijë të vegjël), pa kabllo që mund të ngatërrohen këmbët sidomos natën në rrugën drejt banjës. Banja të jetë e thatë në mënyrë që të evitohet shkarja. Mirë është të evitohen qylymat në të cilët mund të pengoheni.  Në banje mund të përdorni tapete kunder rrëshqitjes me tapa. Rekomandohen doreza mbajtëse në dush apo afër wc si dhe  shtesë e wc apo aksesorë të tjerë për ta bërë sa më të lehtë ulje-ngritjen në banjë. Për të bërë dush mund të përdoret një stol gjatë larjes së trupit. Kujdes me banjën e trupit me uji shumë të nxehtë: mund të shaktojë ulje të tensionit arteriar dhe humbje ekuilibri. Dera e banjes nuk duhet mbyllur me celës nga brenda dhe mundesisht ajo të modifikohet  që të hapet nga jashtë, duke lehtësuar kështu ndihmën nga persona të tretë në rast nevoje.  Mbani gjithmonë nje telefon celular me vete ose një telefon të instaluar në banje për cdo nevojë urgjente. Kur përdorni banjen mundohuni të kujtoheni që cdo here duhet të ngriheni ngadalë nga pozicioni ulur në pozicion në këmbë. Ulje-ngritjet e menjëhershme mund të shkaktojne humbje të ekuilibrit, po ashtu edhe kur përkuleni përpara jepni pak kohe të kuptoni që nuk ju merren mendtë përpara se të filloni të ecni. Rekomandohet përdorimi i një bastuni apo mjeteve shtesë ndihmëse në suport të ekuilibrit, akoma edhe brenda në shtepi.

Shpeshtësia në urinim, ose urgjenca për të urinuar janë dy situata që mund të shkaktojnë rritje të rriskut për frakturë, sidomos në orët e natës. Këto gjendje mund të vijne si pasojë e përdorimit të diuretikeve në orët e mbrëmjes  dhe modifikimi i terapisë medikamentoze do të ndihmonte në uljen e rriskut për rrëzim. Shkaqe të tjera mund të jenë infeksione urinare apo probleme të kolonës vertebrale. Në cdo rast, trajtimi i patollogjive bazë do të ndihmonte në mënyrë indirekte në uljen e rriskut për rrëzim. Sygjerohet zbrazja e vezikës urinare në mënyrë sistematike. Të evitohet marrja e lëngjeve dhe kafesë në orët e vona të mbrëmjes. Kujdes duhet treguar në veshjen-zhveshjen e rrobave. Rrekomandohet qe ky process të bëhet ulur, gjithashtu të shmangen rrobdishane të gjatë deri në tokë duke shmangur kështu mundësinë e  shkeljes së tyre dhe të rrëzimit.

Krevatin e dhomës së gjumit rekomandohet ta modifikoni në mënyrë të tillë që të mos jetë i ulët. Kështu do tju duhet më pak forcë për tu ngritur në këmbë. Për veprime të cilat është e nevojshme të ngjiteni mbi nivelin e tokës (psh.: të varni perdet mbi një karrike), mundohuni që këto veprime ti delegoni në njerëz të tjerë (të aferm, miq apo familjarët tuaj) në mënyrë që të shmangen incidente të mundshme. Mundohuni qw tw mos mbivlerwsoni aftwsitw tuaja. Lëvizje të duarve lart mbi nivelin e kokës dhe përkulja e qafës pas, mund të shoqërohen me marrje mendsh apo humbje ekuilibri. Ky fenomen ndodh tek të moshuarit si pasojë e uljes së fluksit të gjakut në arteriet vertebrale cervikale nga spondyloartroza cervikale. Rekomandohet gjithashtu që të gjitha objektet e perdorimit të përditshëm (enët, pjatat etj) të hiqen nga raftet e sipërme mbi nivelin e kokës dhe të vendosen në nivelin e kokës ose më poshtë në mënyrë që të jenë lehtesisht të aksesueshme, duke shmangur në këtë mënyrë përkuljen  e qafes dhe rriskun për rrëzim.

Tregoni kujdes të vecantë sidomos kur jeni të sëmurë me temperaturë ose me diarre. Dehidratimi mund të shkaktojë dobësi të theksuar muskulore me pasojë rrëzimin. Nëse jetoni vetëm dhe jeni sëmurë, sigurohuni që këtë tia keni thënë një njeriu të afërm.

Nëse keni kafshë shtëpiake (psh qen ose mace) sygjerohet tu vendosni një zile të vogël në qafë me qëllim që të dini në cdo moment se ku ndodhen dhe kështu mund të evitoni që ato tju ngatërrohen nëpër këmbë. Kujdes duhet treguar edhe në kopësht për ata që jetojnë në shtëpi private: kujdes rrëshqitja në bar, apo baltë, dhe sidomos tani në zonat me akull apo dëborë, të evitohet pastrimi i ambienteve të jashtme. Temperatura e ambientit ku jetoni ka rëndësi të vecantë: në ambiente të ngrohta muskujt funksionojnë më mirë. Në ambiente të ftohta do të duhet pak kohë që të fitoni levizshmërinë e duhur.

Kujdes i vecantë duhet treguar për shëndetin e këmbëve. Probleme me to, mund të bëhen burim humbjeje ekuilibri. Trajtimi i dekubituseve në këmbë, i ulceracioneve sidomos te pacientët diabetikë apo me pamjaftueshmëri venoze është i një rëndësie të vecantë. Higjena e këmbëve duhet të jetë një prioritet, por kujdes mënyra e larjes në vetvete mund të përbëjë nje risk për humbje ekuilibri dhe rrëzim, sidomos në një ambient të lagur dhe të rrëshqitshëm si tualeti.

Kujdes të vecantë duhet të tregojnë  pacientët me osteoporozë. Ata duhet të vazhdojnë terapinë e përcaktuar dhe të marrin në mënyrë sistematike Vitaminën D. Rekomandohet të  ndërpritet duhani dhe të kufizohet në maksimum marrja e alkoolit.

Në rast se ndodh rrëzimi dhe keni nevojë për ndihmë imediate, sigurisht që mund tu telefononi të afërmve tuaj, por mos harroni që ata mund të jenë të zënë me punë dhe nuk mund të përgjigjen menjëherë apo mund të mos kenë mundesi tju vijne në ndihmë.  Sygjerohet që të telefononi në numrat e urgjencës. Mbani mend të shpjegoni problemin tuaj (psh.:u rrëzova në guzhinë dhe nuk lëviz dot sepse kam shume dhimbje në këmbë) si dhe adresën tuaj të saktë.

Për njerëzit të cilët arrijnë në skenë më parë sesa ndihma mjekësore (ambulanca), sygjerohet që fillimisht të kërkojnë ndihmë duke telefonuar në urgjencë dhe më pas të studiojnë ambientin për rreziqe të mundshme (psh zjarr apo tela korrenti). Nëse jane të mundur të ndihmojnë fizikisht personin e rrëzuar dhe kanë ndjesinë se mund ta ngrenë, atëherë fillimisht duhet të planifikojnë levizjet që do bëjnë.  Nëse nuk munden të ndihmojnë atëherë të mundohen ti ofrojnë pacientit jastëkë apo mbelesa për ta bërë të ndihet më rehatshëm në pritje të ndihmës mjekësore.

Nuk rekomandohet të ngrini  pacientin menjëherë në këmbë. Fillimisht duhet të shikoni se sa shumë mund të jetë dëmtuar personi që ka rënë në tokë, a është i vetëdijshëm apo jo dhe këtë informacion ta përcjelle te profesionistët e shëndetit.

Për tu ngritur nga dyshemeja në rastin që personi i rrëzuar ka ndjesinë se mund të ngrihet me pak ndihmë, si hap i parë personi i rrëzuar duhet të ndihmohet që të mbështetet mbi gjunjët e tij, gjithmonë nese ndien qe mund ta bëjë këtë veprim  dhe më pas vendoset një karrike afër me qëllim që të mbështetet dhe të ngrihet në këmbë.

Rekomandohet vendosja e një celësi në një vend që të gjendet nga të afërm, gjë që do të bënte të mundur akses me të lehtë në shtepi në rast rrëzimi dhe pamundësie për të hapur derën nga brenda nga ana e të dëmtuarit.

Me shpresën që këto udhëzime do të jenë të vlefshme në një moment nevoje uroj që te gjithë bashkë të bëjmë durim dhe të vazhdojmë të zbatojmë udhëzimet sidomos të qëndrimit në shtëpi.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.