Vajzat e ekranit, më të vetmuara se konteshat e Mopasanit

Nga Ilnisa AGOLLI

Duke menduar prej shtëpisë, i vetmi udhëtim që na mbetet të bëjmë është ai virtuali. Por, një nominalist dhe një realist kanë koncepte të ndryshme kur lexojnë, shkruajnë a thonë “shtëpi”. Lind pyetja: – E dinë këtë “vajzat vip” që kemi dëshirë t’i njohim?, më thotë Pamela mbrëmë ndërsa më bindi të ndaj sot, ca naze.

E dinë që nominalisti fjalën shtëpi, do e përshkruante vetëm si diçka të nevojshme e me një çati të kuqërremtë, në formë drejtëkëndore dhe një korridor të gjatë nga ku gjithnjë merr urdhëra një filipineze? Sepse, vajzat e pasura tona nuk kanë asgjë ku të mbahen veçse në sjelljen mikëpritëse të tyre. Është në modë sot, të kesh një sallon të madh, të hysh e të dalësh në dhoma ku filmon gjithë atë tangërllepsje në një kohë si kjo, ku e vetmja gjë është vetëpërmbajtja në hallin që po heqim.

Por, nominalisti mesa duket ka nevojë të ndjehet si në shtëpi më shumë se të jetojë në shtëpi. Rastësia bëri, që të lexoja Mopasanin dhe të mund t’i tregoja përmes gojës së tij, historinë që lexova. Dukej sikur vizatonte në tregimin e tij “Një portret”, pikërisht fytyrën e këtyre “Vajzave-Vip” apo “Nominalisteve të ekranit”. Ai flet për një zotëri. Një prej atyre burrave që të gjithë i magjepste. Ngjallte një lloj kureshtje që të gjithë nuk bënin gjë tjetër, veçse lëvdonin zgjuarësinë e tij. Flisnim pambarimisht kaq shumë zërat rrëmbyes, sa doemos ty të zgjohet kureshtja ta njohësh. Kur ai shkon në shtëpinë e tij, vuri re aty portretin e një gruaje. “Ajo ishte aq e vetmuar dhe në shtëpinë e vet, sa krijonte një boshllëk.

Një boshllëk absolut në gjithë atë apartament të madh.Ajo e gjallëronte, e mbushte, e banonte vetëm tërë atë shtëpi. Aty mund të hynin shumë njerëz dhe të gjithë të flisnin, të qeshnin, madje dhe të këndonin; por ajo do të ishte përherë vetëm, me një buzagaz vetmitar dhe vetëm kjo do e bënte të gjallë vështrimin e pashoq të këtij portreti”. Kështu dhe këto, në instagramin e tyre që nuk ngopen duke reklamuar ferma, gatime, tenxhere e penxhere psikiatrie dhe trishtohen në thirrje mandej; se si të ndihmojë qytetarët të mos humbin pagat e tyre dhe besimin, janë pikërisht rasti ku nuk duam më t’i shkojmë për vizitë e jo më t’i njohim. Mopasan, do i kërkonte të falur madje që kur të hapnin derën të mos i shkonte mendja më të shihnin filipinezen e gjorë, që së paku e njihte Bodlerin.

Njeriu është i djegur në shkallën e tretë dhe këto sorra, nxjerrin thikën dhe të therrin. Vajzat e instagramit.

Unë dua të jem realist! Strehëza ime të kishte ngrohtësi e t’i ngjeshja një shpullë kësaj kryeneçesie të tyre të cilën çuditërisht, këtë vit, do e var në mur si pikturë- tha Pamela duke shkaktuar padashur gjithë këtë turbullim të natyrshëm.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.