Krim dhe karantinë/ Si po i “shtrydh” pandemia grupet kriminale të Italisë

Mjaftoi drita e një cigareje të ndezur prapa grilave të një shtëpie të braktisur që ta conte policinë italiane drejt bosit të krimit të cilin e kishte ndjekur për më shumë se një javë. Efektivët kishin ndaluar një burrë në rrugët e fshatit të largët kalabrez Bruzzano Zeffirio, në cepin jugor të Italisë, ndërsa kontrollonin zbatimin e masës së kufizimit të lëvizjes të vendosur nga qeveria për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

“Kushtet e krijuara nga emergjenca sanitare që po jetojmë, rezultuan fatale për Cesare Antonio Cordi,”  thuhej në deklaratën e lëshuar nga policia pas arrestimit të 42 vjecarit të dyshuar si drejtues i klanit ‘Ndrangheta” në Locrin fqinj, një fortesë, praktikisht e grupit të perfshire ne krimin e organizuar. Burri u tha forcave të rendit se po i dërgonte ushqime një shoku; cështja është se adresa që ai dha, ishte e listuar si e “pabanuar”, cka ngriti menjëherë dyshime mes oficerëve, të cilët e vunë shtëpinë nën mbikëqyrje. “ Ajo drita e zbehtë e një cigareje – e shfaqur vjedhurazi mes grilave të dritares – ishte e mjaftueshme për të dhënë sigurinë se aty po fshihej njeriu të cilit I ishim vënë pas prej ditësh,” thuhej në deklaratë. Arrestimi bëri të ngriheshin pyetje sesi po e përballojnë grupet famëkeqe e të fuqishme të krimit të organizuar në Itali shpërthimin e koronavirusit.

Përpos përballjen me një shtim të forcave dhe kontrolleve policore, ekspertët thonë se grupet kriminale e kanë më të vështirë të operojnë në mes të pandemisë, e cila ka bërë që autoritetet italiane të ndërmarrin masa drastike, duke urdhëruar që bizneset të mbyllen dhe njerëzit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Organizata si mafia siciliane dhe “Ndrangheta” me bazë në Kalabri kontrabandojnë rregullisht mallra të paligjshme, -përfshirë drogën-, në anije mallrash. Ndërsa rrugët transnacionale të transportit nuk janë cënuar aktualisht nga pandemia globale, shpërndarja e lëndëve narkotike është vështirësuar se tepërmi pas mbërritjes në Europë.

“Disa lloje drogash janë ende në lëvizje,” tha Anna Sergi, specialiste e kriminologjisë në Universitetin e Essex në Britani, duke përmendur në mënyrë të veçantë kokainën, e cila është një industri prej 5.7 miliardë eurosh në vit në kontinentin e vjetër, sipas Europolit. “Problemi është, kush do t’i marrë?” , shton ajo. Sergi thotë se kufizimet e lëvizjes mund të rezultojnë në bllokimin e drogave në porte të tilla si Gioia Tauro e kontrolluar nga Ndrangheta, një liman kalabrez, të cilin komisioni antimafia i Italisë e cilësoi në 2006-tën si “ pikën e hyrjes për 80 përqind të kokainës në Europë”. Ekspertët thonë se grupet italiane të krimit do të dëmtohen, ashtu si dhe kontratat ekonomike të vendit, por ata gjithashtu mund të gjejnë mënyra për të përfituar nga kriza.

“Kur ekonomia shembet ose është në mbyllje, krimi i organizuar gjithashtu vuan,” tha Federico Varese, profesor në Universitetin e Oksfordit. “Nuk mendoj se ata kanë aq shumë para “kesh” vërdallë. Sa më shumë të zgjasë, aq më e vështirë bëhet që ata të veprojnë, ” shprehet Varese që ka shkruar disa libra mbi krimin e organizuar. Megjithatë, ai nënvizoi se organizatat kriminale mund të përfitojnë nëse kompanitë që ato kanë nën kontroll, arrijnë të sigurojnë kontrata furnizimi me pajisje të kujdesit shëndetësor. Po kështu, mund të blejnë biznese të dështuara, ose t`i huazojnë para pronarëve të tyre për t’i ndihmuar të marrin veten. Kjo ngjall shqetësime në lidhje me faktin që klanet kriminale mund t`I kthejnë pronarët e bizneseve të vogla në “prenë e tyre”. “ Ajo që më shqetëson është lëkundja e kredisë,” tha Sergi. “Do t’i shihni sipërmarrësit në ankth të plotë dhe ata nuk mund t’i paguajnë punonjësit, kështu që është shumë më e lehtë të bisedojnë me një “peshkaqen kredie.” Rritja e vështirësive ekonomike sipas saj, mund ta bëjë më të lehtë që grupet kriminale të rekrutojnë punëtorë në industri si transporti, e t`i bindin “ ta bëjnë njërin sy qorr” përpara kontrabandës. “Njerëzit me punë normale janë nën presion,” arsyeton Sergi.

“Ekonomia po shembet, kështu që korrupsioni dhe të ardhurat e paligjshme do të rriten.” Por ajo nuk përjashton as mundësinë që organizatat kriminale të përdorin ndikimin e tyre mbi komunitetet lokale për të ndihmuar në kontrollin e përhapjes së koronavirusit, madje duke punuar me autoritetet për të siguruar që banorët të zbatojnë protokollet e karantinës. Bosët e krimit mund të kenë arsye personale për ta bërë një gjë të tillë: shumë prej tyre janë qytetarë të moshuar, e kjo është grupmosha më e rrezikuar nga virusi!

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.