Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Përse qeveria i la televizionet në dorë të Coronavirusit!

Prej disa javësh, Shqipëria i është bashkuar masave ekstreme të vendeve fqinje, për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Disa prej tyre janë: izolimi në shtëpi, mbyllja e bizneseve, reduktimi i programeve televizive me dy persona në studio, pezullim i fabrikave të prodhimit etj.

Përveç virusit, vendi ynë tashmë po "infektohet" në aspektin financiar. Çdo gjë është në kolaps, nuk ka më pagesa, është ulur prodhimi dhe konsumi, e për pasojë mungon qarkullimi tregtar në vend. Të gjitha këto, kanë një efekt zinxhir, që nga shoqëria, biznesi, shërbimet e deri tek mediat!

Qeveria ka bërë një lëvizje, duke propozuar një paketë ndihme financiare, për biznesin. Paketa siguron një pagë për cilindo që qëndron në shtëpi dhe e ka të pamundur të ushtrojë profesionin e tij për shkak të Covid-19.

Por këtu nuk përfshihen mediat!

Le të kthehemi tek problemi i parë. Me mbylljen e bizneseve, ndërpriten reklamat e tyre. Sot që flasim, 80% e televizioneve financohen nga reklamat. Buxheti i tyre shkon në 32 milionë euro në vit, mes të cilave pjesën më të madhe e marrin televizionet. Nga këto para paguhen çdo muaj rreth 5 mijë gazetarë në të gjithë Shqipërinë, sipas statistikave të Drejtorisë së Tatimeve.

Në një situatë kur këto para mungojnë, atëherë televizionet do të mbyllen dhe gazetarët do të mbeten të papunë. Pasojat këtu do të jenë edhe më keq sesa dëmi që po sjell Covid-19!

Imagjinoni sikur televizionet të fikin sinjalin dhe qytetarët të mos kenë asnjë burim informacioni për oraret e karantinimit, për situatën e virusit, për raportimet e shkeljeve të ndryshme si vjedhje apo vrasje, për masat që duhet të marrin të infektuarit, për udhëzimet e policisë dhe ushtrisë, për rekomandimet e mjekëve etj.

Lista e shërbimeve që ofron media është shumë e gjatë. Këtu mund të shtojmë faktin, që sot ushqimi më i mirë për karantinimin është televizioni. Nëse qytetarët nuk do të kenë akses në media, atëhere situata e tyre psikologjike do të rëndohet dhe do përfundojnë të gjithë rrugëve duke thyer karantinën.

Pa media, Shqipëria shndërrohet në një anarki.

Të gjendur pa asnjë mbështetje nga qeveria, atëhere mediat do të kalojnë në ekstrem. Burime për Gazetën SHQIP, kanë bërë me dije, se në vijim televizionet do të ndërmarrin një akt të paprecedentë, duke fikur të gjithë njëherësh sinjalin televiziv. Ky do të jetë një mesazh ndaj qeverisë, për t?i bërë thirrje, që gazetarët të trajtohen njësoj si të gjithë punonjësit e tjerë në Shqipëri.

Televizionet paguajnë liçencën për transmetimin publik, paguajnë miliona euro taksa çdo vit, paguajnë sigurime shoqërore dhe çdo detyrim tatimor ndaj shtetit, atëhere përse mos të trajtohen si bizneset e tjera, që janë në vështirësi financiare.

Në vijën e parë të frontit të luftës me virusin janë mjekët, policët dhe gazetarët. Të tre kategoritë janë njësoj të rrezikuar nga Covid-19, janë në kontakt me të infektuarit dhe japin mesazhe të vazhdueshme ndaj qytetarëve. Por për policët dhe mjekët nuk do të ketë ndërprerje pagash, ndërsa për gazetarët situata financiare është e rrezikuar.

Sot, të gjitha televizionet kanë shkurtuar stafin deri në 70% të tyre. Ky është momenti më kritik, edhe sesa ai i tërmetit të 26 Nëntorit. Nëse qeveria kërkon karantinimin e medias, atëherë ky është momenti i duhur! Por vetëm më pas llogarisni pasojat...

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore