Kapiteni i Atalantës, Gomez: Takimi ndaj Valencias mund të ketë ndikuar në situatën në Bergamo

Kapiteni i Atalantës, Papu Gomez, kujton se disa ditë më parë të gjithë e merrnin lehtë situatën, ndërsa shton se pikërisht ndeshja me Valencian mund të ketë ndikuar edhe më shumë në përhapjen e virusit COVID-19 në Bergamo.

Zikaltrit ishin duke bërë një sezon fantastik në Itali dhe në Evropë deri para ndërprerjes së futbollit për shkak të përhapjes me shpejtësi të koronavirusit. Por tani qyteti po kalon një makth, më i godituri në Itali nga koronavirusi.

“Në fillim e merrnim të gjithë lehtë, pasi e mendonim si një virus normal, por pak më të ashpër se të tjerët. Kishte shumë mungesë informacioni, apo deklarata zhvlerësuese, deri në ditën kur u krijuan zonat e kuqe dhe filluan të tejmbusheshin spitalet. Mendoj se ndeshja me Valencian mund ta ketë rënduar edhe më shumë situatën, pasi në “San Siro” ishin 45 mijë bergamaskë, nga 120 mijë banorë që ka i gjithë qyteti. Mjafton të them se bashkëshortes time iu deshën 3 orë për të arritur në stadium, nga 40 minuta që do në kohë normale”, deklaroi Gomez.

Kundërshtari i bergamaskëve në Champions, Valencia ishte klubi i parë i La Ligas që konstatoi futbollistë të prekur nga COVID-19, ndërsa Gomez zbulon se në Spanjë e kishin marrë shumë lehtë historinë e virusit dhe shton se deri tani askush nga Atalanta nuk ka rezultuar i prekur.

“Kur ishim në Spanjë, gjithçka ishte normale dhe ata nuk e kishin marrë seriozisht gjithçka po ndodhte në Itali,. Ne luajtëm në një stadium të boshatisur, por në rrugët e Valencias jeta vijonte normalisht, ndaj sot Spanja është vendi i dytë më i prekur në Europë. Jemi njoftuar se disa lojtarë të Valencias kanë rezultuar pozitivë, por te Atalanta akoma nuk ka asnjë rast”, u shpreh argjentinasi.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.