Covid-19, vitamina D dhe roli i saj në parandalimin e infeksioneve respiratore virusale

Në këto ditë të vështira që po kalojmë, bëhet e pashmangshme nevoja për çdo informacion të ri rreth Coronavirus-it i cili na e ndryshoi pothuajse menjëherë mënyrën e jetesës. Ajo çka të gjithë kërkojmë me etje është specifikisht informacioni në lidhje me parandalimin e përhapjes, diagnostikimin (testet), metodat e trajtimit (sidomos fazën ku gjendet prodhimi i vaksinës)  dhe gjithçka tjetër që na ndihmon për një analizë të situatës dhe të së ardhmes. Një pjesë e këtij informacioni është kokëfortë në statistika: rrezikon të preket shumica e popullatës. Ekspertët epidemiologë mendojnë që mund të infektohen 60-70 % e popullatës globale, ku  80% e njerëzve të prekur vlerësohet se do ta kalojnë këtë infeksion viral pa shenja klinike ose me shqetësime të lehta. Gjithnjë e me shumë informacione po përditësohen në lidhje me rëndesën e simptomatologjisë në grupmosha të ndryshme dhe në pacientë me patologji kronike. Nga studimet e fundit, duket se më të rrezikuarit për të kaluar një gjendje të rëndë klinike pas infektimit mund të jenë  pacientë me probleme kardiovaskulare, diabet, patologji kronike pulmonare dhe hipertension. Shumica e patologjive më sipër janë të lidhura edhe me nivele të ulëta të vitaminës D.

Katalizator i shpërndarjes së virusit duket se është ritmi i lartë i jetës, lëvizja e përshpejtuar e njerëzve me mjete transporti etj. Ngadalësimi i këtij ritmi përmes kufizimeve në lëvizje sigurisht që do të sillte rezultate pozitive. Disfatën e parë ky virus tashmë e ka pësuar në vendet ku lëvizja pothuajse u zerua.

Të dhëna shkencore flasin për një goditje që ky virus i shkakton sistemit tonë imunitar. Askush nuk mund ta dijë me saktësi se sa i fortë është sistemi imunitar i çdo personi deri në momentin që përballet me këtë virus, por, duke u bazuar në historikun e çdo individi, mjekët mund t’i përllogaritin faktorët e riskut që infeksioni viral të shfaqet në formë të rëndë ose jo. Njerëz me imunitet të mirë kanë shumë gjasa që ta kalojnë këtë gjendje virale pa shfaqur probleme madhore. Këta individë, edhe pse nuk do të shfaqin simptoma të rënda klinike, ata janë mbartës të virusit dhe transmetues potencialë të infeksionit. Karakteristikë e këtij virusi është aftësia e lartë për të kontaminuar edhe pse personi bartës mund të mos shfaqë shenja klinike shumë të dukshme.

Në punën time të përditshme si mjek ortoped, një pjesë të rëndësishme e zë diagnostikimi dhe trajtimi i patologjive që lidhen me nivele të ulëta të vitaminës D (kryesisht pacientë me osteoporozë). Vitamina D është një vitaminë e tretshme në yndyrë dhe konsiderohet pro-hormon. Veprimi i rrezeve të diellit (rrezet ultraviolet me gjatësi vale 290-310nm) në lëkurë e shndërron 7-dehydrocholesterol-in në provitaminë D3, e cila metabolizohet në vitaminë D3. Rruga tjetër e marrjes së vitaminës D është nëpërmjet ushqyerjes, ku një enzimë në mëlçi, ajo 25-hydroxylase, e shndërron vitaminën D2 ose D3 të marrë nga ushqimi në trajtën e saj qarkulluese 25-hydroxyvitamin D.

Në vendet mesdhetare ka shumë pacientë me nivele të ulëta të vitaminës D, edhe pse këto vende kanë më shumë ditë me diell gjatë vitit në krahasim me vendet skandinave. Në këto të fundit vitamina D është futur në dietën e zakonshme të njerëzve, në mënyrë për të evituar hypovitaminozën.

Duke u fokusuar te përgjigjja imunitare, ka studime të shumta e multicentrike të viteve të fundit, të cilat kanë në fokus rolin e vitaminës D në patologji ekstraskeletale (diabet, patologji kardiake) dhe infeksione të aparatit respirator.

Autorët e një meta-analize shkencore të botuar në British Medical Journal nën titullin “Vitamin D supplementation to prevent acute respiratory tract infections : systematic review and meta-analysis of individual participants data” (BMJ 2017), duke kërkuar një komponent të përbashkët të të gjitha botimeve dhe efektet e këtij komponenti në imunitet kundrejt infeksioneve respiratore të ngjashme me ftohjen e zakonshme, kanë dalë në përfundimin se marrja e një doze të moderuar ditore ose javore të vitamines D i ndihmon përdoruesit në lidhje me infeksionet respiratore. Nga studimi rezultoi që vitamina D kishte ndihmuar më shumë ata individë që, në fillim të studimit, ishin gjendur me nivele të ulëta të kësaj vitamine në gjak.

Duket, që përdorimi i vitaminës D funksionon për parandalimin apo e ndihmon sistemin tonë imunitar për t’i përballuar sa më lehtë infeksionet. Sigurisht, këto studime nuk janë bërë për Coronavirus-in e tanishëm që shkakton kryesisht infeksione respiratore, por, duke parë se vitamina D funksionon ndaj infeksioneve të tjera respiratore, mund të thuhet se ka vend për t’u rekomanduar.

NICE guidelines sygjerojnë marrjen e vitaminës D në grupe specifike si gratë shtatzëna ose me fëmijë në gji, fëmijët e vegjël nën 4 vjeç, të rriturit mbi 65 vjeç, njerëzit që nuk ekspozohen ndaj rrezeve të diellit si dhe ata me lëkurë të errët. Fëmijët që ushqehen me formula nuk e kanë të nevojshme derisa sasia e qumështit të marrë të reduktohet në më pak se 500 ml në ditë, sepse formula është e përforcuar me vitaminë D.

SACN (The Scientific Advisory Committee on Nutrition) më 2016 publikon rekomandime të reja:

  1. marrjen si lëndë ushqyese referimi (reference nutrient intake, RNI) të një sasie prej 10 mikrogramësh vitamine D në ditë, gjatë gjithë vitit për çdo individ të popullatës së përgjithshme nga 4 vjeç e sipër;
  2. marrjen si lëndë ushqyese referimi (reference nutrient intake, RNI) të një sasie prej 10 mikrogramësh vitamine D në ditë për gratë shtatzëna dhe me fëmijë në gji, sikurse edhe për grupet e popullatës me risk të lartë për të zhvilluar deficit vitamine D;
  3. marrjen e sigurt (safe intake) të 8.5-10 mikrogramë në ditë për fëmijët nga lindja deri në moshën një vjeç;
  4. marrjen e sigurt (safe intake) të 10 mikrogramë (400 UI) në ditë për fëmijët nga një deri në katër vjeç.

Konceptet “marrje si lëndë ushqyese referimi (reference nutrient intake)” dhe “marrje e sigurt (safe intake)” u referohen të gjitha burimeve të ushqyerjes natyrale, suplementeve dhe ushqimeve të përforcuara pa formula për fëmijët e vegjël.

Vitamina D  luan rol të rëndësishëm edhe për përthithjen e kalçiumit. Në pacientë me nivele të ulëta vitamine D mund të shfaqet dobësi e theksuar muskulore, e cila mund të ndikojë në ekuilibrin muskulor me rezultat rritjen e riskut për rrëzim dhe mundësisë për frakturë. Kjo mund të ndodhë sidomos në moshën e tretë dhe do të përbënte më vete një rritje të nevojës për shtrim në spital. Pacientët që vuajnë nga osteoporoza kanë në shumicën e rasteve nivele të ulëta të vitaminës D. Niveli i poshtëm i normës është sugjeruar 30ng/ml. Nivele të vitaminës D 21-29ng/ml konsiderohen insuficiencë, ndërsa nivele nën 20ng/ml konsiderohen deficiencë.

Matja e vitaminës D 25-OH në serum rekomandohet në pacientë me osteoporozë, në sindroma malabsorbimi, pacientë obezë (BMI >30 kg/m2) dhe pacientë me patologji që mund të prekin metabolizmin e vitaminës D.

Trajtimi i pacientëve me hipovitaminozë D ka për qëllim të arrihen nivelet e vitaminës D mbi shifrën 30ng/ml. Në këto raste, për pacientët në moshë të rritur rekomandohen doza të larta ditore ose javore vitamine D, si me poshtë: 50.000 UI vitaminë D2 ose D3 një herë në javë për 8 javë ose 6000 UI në ditë për 8 javë. Kur niveli të ngrihet mbi 30ng/ml, terapia vazhdohet me dozë mbajtëse 1000-1500 UI në ditë për një periudhë një vjeçare.

Doza të larta vitamine D mbi 100.000 UI nuk rekomandohen, pasi shoqërohen me rritje të mundësisë për rrëzim dhe fraktura. Ato mund të përdoren nga mjekë të specializuar dhe në raste shumë specifike.

Sipas këndvështrimit tim, nëse ekziston sadopak mundësia që të ketë një mënyrë apo një element (në rastin konkret vitamina D) për të ndihmuar që të kalohet sa më lehtë një infeksion viral, së pari do të rekomandoja që kjo vitaminë të përdoret sidomos në grupet e popullatës me risk të shtuar edhe për infeksione respiratore.

Së dyti, hipovitaminoza në të gjitha grupmoshat, duke u bazuar te niveli i vitaminës D 25-OH në serum, duhet të mos nënvlerësohet.

Së treti, duhet të kujdesemi për të ulur riskun për rrëzim me pasojë një frakturë të mundshme dhe nevojën për të vizituar urgjencën e spitalit.

Sigurisht që dozat e parandalimit apo të trajtimit të hipovitaminozës D mund të diskutohen me mjekun personal për çdo rast specifik. Këto më sipër janë rekomandime të bazuara në evidenca dhe mund të ndihmojnë në forcimin e imunitetit dhe në parandalimin e infeksioneve akute respiratore. Me besimin që masat e marra do të funksionojnë dhe me ndihmën e Zotit, uroj që ta kalojmë me sa më pak dhimbje këtë situatë emergjence.

Me respekt për pacientin,

Dr Artan Bano

Kirurg ortoped – Spitali Universitar i Traumës, Tiranë

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.