Skenarët për ekonominë/ Si mund të dalim nga kriza e koronavirusit

Nga Akademik, Prof.Dr. Anastas Angjeli

Ditët e fundit po përjetojmë momente ndër më të vështirat dhe më tragjiket të ekzistencës sonë së përbashkët. Pothuajse të gjitha praktikat e jetës së përditshme të secilit prej nesh të cilat  deri përpara disa ditësh i merrnim për të mirëqëna sot kanë ndryshuar. Por, bashkë me to kanë ndryshuar edhe ritmet e jetës politike, ekonomike dhe sociale.  Njëri pas tjetrit të gjitha vendet e prekura nga coronavirusi po marrin masa të pakrahasueshme me asnjë periudhë tjetër.

Shkollat dhe Universitetet janë mbyllur, lëvizja e njerëzve është kufizuar, aktivitetet ekonomike, sportive dhe kulturore janë paralizuar.  Në një situatë të tillë ku shëndeti i popullsisë është parësori politikbërja në nivel shtetëror, rajonal dhe global sigurisht që duhet të mendojë për të tashmen ,por kryesisht për të ardhmen.

Çfarë masash duhet të ndërmarrim në mënyrë që të përballojmë sfidat emergjente që na dalin nga përhapja e coronovirusit? Çfarë kemi bërë gabim deri tani? Çfarë duhet të përmirësojmë në të ardhmen? Si duhet të forcojmë bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar në mënyrë që në kriza të ngjashme në të ardhmen të jemi të gjithë më të përgatitur? Këto dhe cështje të tjera duket se janë në rend të ditës edhe në nivelin e lartë të bashkëpunimit global.

Të hënën, 16 mars në mesditë liderët e G7 zhvilluan një videokonferencë për masat që duhen marrë për të përballuar situatën e krijuar nga përhapja e coronavirusit. Në deklaratën që u publikua në përfundim të kësaj videokonference liderët e G7 njohën rëndësinë e situatës dhe e konsideruan atë një ‘tragjedi humane dhe një krizë globale shëndetësore e cila paraqet rreziqe të mëdha për ekonominë botërore”.

Në një periudhë të tillë ku proceset ekonomike funksionojnë gjithmonë e më shumë brenda një kornize të vendosur nga globalizimi ekonomik, financiar dhe kulturor kuptohet që ngjarje të tilla nuk ka mundësi të mos lënë shenjë në ecurinë e tyre. Akoma më shumë në një periudhë të tillë ku pas krizës së madhe të 2008-tës dhe peripecive të 5  viteve të fundit pasojat e një krize të re të shkaktuar nga coronavirusi mund të jenë shumë të vështira për tu rekuperuar.

Mbi të gjitha kur konsiderohet që humbjet në këtë krizë nuk janë thjesht shifra por jetë njerëzore masat që duhen marrë bëhen me imediate. Për këto arsye në deklaratë thuhet se qeveritë e G7-ës përkushtohen të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar “një reagim të fortë global përmes një bashkëpunimi më të ngushtë dhe koordinimit të zgjeruar”. Pra bashkëpunimi dhe koordinimi i përpjekjeve  konsiderohen si thelbësore për të tejkaluar krizën shëndetësore dhe për të ruajtur stabilitetin e ekonomisë globale.

Gjithashtu vendosen si prioritete : “Koordinimi i masave të nevojshme të shëndetit publik për të mbrojtur njerëzit në rrezik nga COVID-19; Rivendosja e besimit, rritjes ekonomke  dhe mbrojtja e vendeve të punës; Mbështetja e tregtisë dhe investimeve globale; Inkurajimi i  bashkëpunimit në fushën e shkencës, kërkimit dhe teknologjisë”.

Prioriteti i parë nuk mund të ishte tjetër veçse bashkëpunimit me qëllim ruajtjen e shëndetit të qytetarëve. Ministrat e shëndetësisë së vendeve të G7 do të koordinojnë tashmë çdo javë përpjekjet e tyre. Përpjekjet për kufizimin e përhapjes së virusit do të bëhet nëpërmjet koordinimit të menaxhimit të kufijve. Gjithashtu edhe nëpërmjet masave reale për përmirësimin dhe forcimin e sistemeve shëndetësore në të gjitha vendet. Theksohet roli thelbësor që luan në këtë përpjekje  Organizata Botërore e Shëndetësise si dhe inkurajohen të gjitha vendet, organizatat ndërkombëtare dhe sektori privat për të mbështetur përpjekjet e globale  siç është Plani Global i Përgatitjes dhe Përgjigjes (Global Preparedness and Response Plan). Gjithashtu zotohen për të bërë përpjekje për të ofruar pajisje mjeksore atje ku ka më shumë nevojë si dhe për të mbështetur “projektet kërkimore të përbashkëta të financuara me fonde publike dhe private” me qëllim “prodhimin dhe shpërndarjen e një  trajtimi dhe një vaksinë, duke iu përmbajtur parimeve të efikasitetit, sigurisë dhe aksesit”.

Shqetësimi për një krizë të re ekonomike globale(shenjat e një recensioni ekonomik po jep ekonomia amerikane,italiane etj) tashmë nuk është thjeshtë hipotetik. Nobelisti i shquar Stiglitz në një intervistë të këtyre ditëve thekson se pritet një krizë më e rëndë dhe më e komplikuar se ajo 2008-ës, një krizë jo thjesht financiare por që do godasë fort kërkesën dhe ofertën. Nuk besoj thekson –ai,se vetem masat klasike fiskale mund të na shpëtojnë nga ajo që pritet të ndodhë. Duhet një harmonizim i masave fiskale me ato ekonomike, sociale dhe administrative…..

Prandaj për përballimin e pasojave që përhapja e virusit mund të ketë në rritjen e ekonomisë globale liderët e G7 u zotuan të marrin të gjitha masat e nevojshme. “…ne po mobilizojmë gamën e plotë të instrumenteve, përfshirë masat monetare dhe fiskale, si dhe veprimet e synuara, për të mbështetur menjëherë dhe aq sa është e nevojshme punëtorët, kompanitë dhe sektorët më të prekur”. Këto masa synojnë të vijnë në ndihmë të bizneseve të vogla si dhe të punëtorëve që pritet të goditen nga masat e marra nga qeveritë për të kufizuar përhapjen e virusit.

Gjithashtu i kërkohet Bankave Qendrore të ofrojnë të gjitha majetet monetare të nevojshme për të mbështetur rritjen ekonomike dhe për të siguruar  stabilitetin financiar. Edhe në këtë përpjekje ministrat e financave të vendeve të G7 do të koordinojnë veprimet e tyre në nivel javor. Ministrat e financave do të duhet të bashkëpunojnë me Organizatat Ndërkombëtare në mënyrë që të sigurojnë mbështetje ndërkombëtare financiare për të ndihmuar vendet në zhvillim për të përballuar këtë situatë të vështirë.

Sicc duket ditët, javët dhe muajt në vazhdim do të jenë thelbësore në përballimin e krizës së shkaktuar nga përhapja e coronavirusit. Bashkëpunimi, solidariteti dhe ndihma e ndërsjelltë, si në nivel kombëtar ashtu edhe në planin ndërkombëtar,  janë mjetet që kemi në dispozicion për të fituar këtë betejë të pabarabartë. Të gjithë së bashku mund t’ja dalim-ishte mesazhi i G-7.

                                     PO SHQIPERIA?

COVID 19-ky “armik i heshtur” ka prekur dhe vendin tonë. Reagimi me masa të forta parandaluse dhe menaxhimi i situatës së deritanishme nga Qeveria e drejtuar nga Kryeministri Rama dhe agjensitë zbatuese ka qenë i menjëhershëm dhe maksimal me masa shumë planëshe, falë dhe solidaritetit, përkushtimit dhe mirëkuptimit të personelit të shërbimit shëndetsor, organeve të rendit dhe natyrisht të popullsisë.  Ky bashkëpunim dhe zbatimi i këtyre masave duhet të vazhdojë në mënyrë absolute.

Por krahas masave parandaluese të përhapjes së mëtejshme të kesaj “Pandemie” Kryeministri Rama njoftoi se shumë shpejt, gjatë kësaj jave do të paraqesë një plan të mbështetjes finaciare-emergjente. Kjo dëshmon për vëmendjen e qeverisë për të përballuar këtë krizë humanitare dhe nga pikpamja e elementëve të tjerë.Por, duhet të kuptojmë se ndryshe nga vendet e G7(që edhe këto u gjendën të pa përgatitura), niveli i zhvillimit ekonomik e socoial  i të cilëve është shumë i lartë,niveli i vendit tonë është i pakrahaseushëm me to. Po ti shtojmë kësaj situatën ekonoimke e financiare të krijuar nga goditjet e tërmetit të 26 Nëntorit dhe COVID 19 atëherë masat nuk do jenë të lehta.

Këto masa duhet të jenë  të kujdesshme dhe efikase, të harmonizuara, administrative me ndikim e efekt të përkohshem financiar, fiskale dhe sociale, emergjente dhe të perspektivës. Dhe natyrisht këtu nuk ka vend për “Shpikje”. Shumë përvoja të masave që vendet e tjera po marrin,aq sa mund të përshtaten, sipas gjendjes dhe situatës tonë financiare , mund të adaptohen.

Kur themi masa emergjente e administrative kam parasysh planin financiar të Kryeministrit për pagimin e pagave të punonjesve që kanë qenë të detyruar  të mos shkojnë në punë, apo shtyerjen e afateve të dorëzimit të pasqyrave financiare, shtyrjen e afatit të pagesës paradhëniet e tatimimit mbi fitimin, apo të ndonjë pagesë tjetër, shtyrjen e pagesave të kësteve të kredive të bankave të nivelit dytë, pezullimi i penaliteteve etj.

Kjo s’është e lehtë. Kërkohen klasifikime, analiza, informacione që në kushtet aktuale nuk janë fort të lehta. Por, nga ana tjetër, situata e krijuar, sidomos ajo globale, kriza ekonomike që na kërcënon dhe mpleksja e saj me atë humanitare nga COVID 19, dëshmojnë se  duhet të fillojmë të mendojmë dhe për atë “që vjen pas”. Zhvillimet ekonomike globale po ndodhen përballë të papriturave” dhe zgjidhjet nuk mund të jenë tërësisht standarde.

Funksionimi i demokracisë funksionale do kërkojë më shumë bashkëpunim të Qeverive me shoqërinë civile dhe me qytetarët. Ne duhet të mendojmë edhe për më tej. Zhvillimet e papritura, ndryshimet klimaterike,fatkeqsitë natyrore, ndikimi i faktorve të zhvillimeve të jashtme dhe të brendshme ekonomike,  implikemet që kanë sjellë na kanë detyruar shpesh që të bëjmë ndryshime me akt normativ të buxhetit vjetor. Dhe mirë kemi bërë.  Natyrisht që edhe në rastin e sivjetshëm do të bëhen. Dhe më tej. Ne duhet të jemi të gatshëm për të menaxhuar çdo situatë te papritur duke konsideruar edhe rezervën valutore, nëse do të jetë e nevojshme.

Kjo do të mundësojë rialokim të fondeve me orientim më të drejtë ndaj përballjes me  siuatën e krijuar( tërmeti, Covid-19, paralizimi i aktivitetit ekonomik,etj). Përtej kesaj, kriza aktuale humanitare dhe ajo ekonomike e pritshme (se është në fillimet e saj), apo të cfarë mund të ndodhë, duhet të na bëjë të reflektojmë për politika të reja të zhvillimit të vendit, për më shumë vëmendje ndaj ndryshimeve klimaterike dhe ekonomisë së gjelber,për më shume vemendje në investimet për shkencë e teknologji, për ekonominë blu, për “fytyrën” që do ketë ekonomia jonë e ardhshme me prioritetet klasike, por edhe si një ekonomi e orientuar nga shërbimet.

Ndërkaq, askush nuk mund të përcaktojë afate të  mbarimit të kësaj situate dhe kthimit në normalitet. Jam i sigurtë se Banka e Shqiperisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë , institucionet dhe agjensitë e tjera të fushës, me këshillimin me institucionet ndërkombëtare, po bashkëpunojnë për skenarët e mundshëm. VETËM KËSHTU ME BASHKEPUNIM MUND T’JA DALIM.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.