Ëndrra e vjetër për të nënshtruar televizionet, qeveria përdor Coronavirus!

Nga Gazeta SHQIP

Mjekët, policia, ushtria, gazetarët dhe furnitorët janë ata që po qëndrojnë në vijën e parë të frontit këto ditë të vështira për Shqipërinë, si pasojë e një virusi të panjohur më parë.

Por, ndërsa të gjithë vazhdojnë punën në këtë betejë të përbashkët, qeveria njoftoi miratimin e një tjetër akti normativ me masat ndaj koronavirusit, që pengon dhe kufizon punën e medias, e rrjedhimisht edhe të drejtën e qytetarëve për informacion.

“Të gjitha transmetimet audiovizive me më shumë se dy persona në të njëjtën studio televizive dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe në rast përsëritjeje u shtohet edhe vendosja e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, pas marrjes së vendimit nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe zbatohet nga organi kompetent”, thuhet në aktin normativ.

Edhe pse ky akt vjen në një moment paniku dhe si masë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të Covid-19, logjika e ndjekur nga qeveria nuk qëndron. Nëse do të bënim një krahasim me zyrat e shtetit apo të privatëve, për të cilët nuk ka kufizime të këtij lloji, kuptojmë që kemi të bëjmë me një vendim selektiv, me dy standarde dhe dëmtues.

Një studio televizive është mesatarisht më e madhe në sipërfaqe dhe disa herë më e lartë se çdo farmaci apo çdo supermarket lagjeje, pa folur këtu për zyrat e shtetit apo privatëve, ku punojnë të paktën dy deri tre vetë, nisur pikësëpari nga vetë Ministria e Shëndetësisë.

Le të marrim një shembull më konkret. Me anë të aktit normativ, qeveria ka rikthyer shërbimet, mes të cilave funksionimin e Postës Shqiptare, ato të OSHEE, Ujësjellësit etj. Secili nga ne shkon të paguajë dritat apo ujin dhe ka parë dyqanet me sipërfaqe 9 m2 të këtyre shërbimeve, ku qëndrojnë 3-4 punonjës bashkë. Ndërkohë në televizionet kombëtare, si Top Channel, një studio ka një sipërfaqe mbi 15 herë më të madhe, qarkullimi i ajrit është me standarde, ka lartësi dhe distancë mes moderatorëve dhe të ftuarve.

Pra, meraku i qeverisë për të “ruajtur” gazetarët nga Covid-19, bie menjëherë.

Në një situatë të tillë, pyetja që kemi për qeverinë është: Pse një ose dy moderatorë dhe dy të ftuar që qëndrojnë në të njëjtin ambient, janë më të rrezikuar sesa katër njerëz të tjerë në një ambient disa herë më të vogël?

Një tjetër rast që rrëzon kufizimet penguese të vendosura nga qeveria për mediat në Shqipëri, vjen nga Italia, që është edhe kryeqendra e koronavirusit. Nëse do t’u hidhnim një sy mediave italiane, shohim se në programet ditore atje ka mesatarisht 4-6 persona të ftuar në studio.

Mediat, anti-virusi për Covid-19

Roli i mediave në këtë betejë të vështirë është i jashtëzakonshëm dhe i patjetërsueshëm, pavarësisht se qeveria nuk është shfaqur miqësore ndaj tyre.

Shembulli më i fundit erdhi nga emisioni OPEN në Top Channel, ku falë punës së gazetarëve u bë i mundur zbulimi në kohë i një rasti me koronavirus. Një qytetar që ishte sorollatur në spitale dhe polici për shokun e tij, që kishte temperaturë dhe kollë, gjeti zgjidhje vetëm përmes medias dhe emisioneve që qeveria kërkon t’i kufizojë dhe mbyllë. Pas këtij denoncimi në OPEN, drejtuesja e emisionit Eni Vasili u lidh direkt me shefin e Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i cili pas një debati dërgoi një staf mjekësh për t’i marrë analizat të sëmurit.

Menjëherë, pas daljes së rezultateve u konfirmua se qytetari ishte infektuar me koronavirus. Atë që nuk e bëri shteti, e zbuloi media. Pikërisht këtu fshihet edhe qëllimi për të ulur ritmin e paneleve të debatit dhe fokusin ta ketë vetëm raportimi qeveritar për Covid-19.

Gazeta SHQIP do të monitorojë në vijim, sesi sektorët publikë të shërbimit e respektojnë distancën mes njëri-tjetrit dhe në çfarë hapësire i kryejnë funksionet e tyre.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.