Qeveria mendon që i mori të gjithë masat, por ka harruar minatorët!

Nga Edison Balla

Situata e krijuar në vend si pasojë e përhapjes së Coronavirusit, i njohur ndryshe edhe si “Covid 19” e ka detyruar qeverinë shqiptare të ndërmarrë masa drastike e të jashtëzakonshme, duke e kthyer vendin thuajse në “shtetrrethim”.

Shkollat u mbyllën të parat, pastaj insitucionet publike, pastaj baret e lokalet, dhe pas disa thirrjeve po mbyllen deri në një afat të caktuar edhe fasoneritë që kanë me qindra punonjës.

Teksa u ndalua edhe qarkullimi i makinave private dukej se të gjitha masat e nevojshme u morën. Por, mes masave të marra, janë harruar minatorët. Punonjësit e këtij sektori të veçantë, vijojnë të punojnë në kushtet kur vendi është kapluar nga epidemia.

Duhet të ishte vetë qeveria, Inspektoriati i Punës e Ministria e Shëndetësisë që do duhej të kishte urdhëruar sot ndalimin e punës në minierë. Ka plot argumente e arsye që e bëjnë të domosdoshme një gjë të tillë. Në mjetet e transportit, që janë kryesisht fugonë e mikrobuza futen e “palosen” me dhjetëra punëtorë.

Fakt ky që bën që punëtorët e minierës të jenë të ekspozuar sot ndaj rrezikut të këtij virusi që është kthyer në një alarm për vendin tonë.

Kushtet e papërshtatshme, uji i ndotur nga gazrat në minierë, papastërtitë e mëdha, qëndrimi në grupe të mëdha i punëtorëve e bëjnë minierën shumë të rrezikshme sot. Madje më të rrezikshme edhe se shumë sektorë të tjerë që janë mbyllur prej ditësh.

Ndaj edhe sot qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme e të mbyllë përkohësisht punën në minierë sepse rrezikon realisht të kthehet në një “kërcënim” serioz për shëndetin e qindra minatorëve.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.