Qeveria vendos: Televizionet nën kontrollin e policisë

Nga Gazeta SHQIP

Nga momenti i vendosjes se ndalim-qarkullimit nga qeveria, është vënë në diskutim funksioni i televizioneve, të cilat i janë lënë të drejtohen nga policia. Ajo vendos nga nesër në orën 6 të mëngjesit, nëse gazetarët duhet të dalin në punë ose thënë ndryshe; nëse lajmi përmes gazetarëve duhet të shkojë apo jo në shtëpitë e 3 milionë shqiptarëve të vetëizoluar.

Për kë nuk e beson, kjo është plotësisht e vërtetë. E detyruar dhe e kapur në panikun e ndalimit të koronavirusit, qeveria ka krijuar një kufizim torturues dhe mbytës për disa funksione bazë. Nëse masa e ndalimit të makinave private pas atyre publike për një fundjavë, ishte e arsyeshme dhe deri diku e përligjur me qellim mbajtjen e njerëzve në shtëpi, mungesa e përjashtimeve elastike dhe logjike është një pushim funksioni.

Që të kuptohet çfarë po themi po marrim rastin e Top Channel-it.

Ky televizion ndodhet të paktën 12 km larg qendrës së Tiranës në Kashar. Secili nga afro 500 punonjësit e tij, jeton nga 5 ne 15 km larg vendit të tij të punës. Kur flitet për një televizion kombëtar në kushte karantine, duhet të kuptojmë se çfarë ndodh nëse televizionet pushojnë së qeni.

Imagjinoni qe duke nisur nga sot në mbrëmje ora 18:00 deri të hënën ora 8.00 në mëngjes mbi 98 për qind e popullsisë do të jenë në shtëpi. Këta njerëz, të cilët prej një jave jetojnë në një situatë paniku absolut, që as e kanë imagjinuar dhe as e kanë provuar në jetën e tyre, kanë vetëm një nevojë bazike të lejueshme përpos ushqimit: të informohen pa pushim.

Pra, të marrin vesh sa të infektuar ka, sa të vdekur fatkeqësisht, ku janë ata, a i kanë komshinjë në lagje apo në pallat, sa është perimetri i epidemisë, a lejohen lëvizjet, a janë hapur shkollat, dyqanet,zyrat, a lejohet të dalësh nga Shqipëria,a ka pensione, a ka rroga, a ka ushqime etj.

Por, nëse nuk ka televizione, nuk ka informacion. Njerëzit do rrinë në shtëpi në një errësirë informative që është më e keqe se epidemia. Është një epidemi e re më e dëmshme, infondemia.

Në kushtet e karantinës se re, pra, në kushtet e ndalimit të lëvizjes, drejtimi i televizioneve i është lënë në dorë policisë. Është policia ajo që duhet të vendosë nëse gazetarët do të shkojnë apo jo në spital për të raportuar rastet me koronavirus, nëse operatoret do të filmojnë gazetarët dhe ngjarjet, nëse montazhierët do të përgatisin kronikat e tyre, nëse inxhinieret do i japin zë dhe figurë mjekëve, policëve, vullnetarëve dhe zyrtarëve, çdo orë e minutë.

Pra, sipas urdhrave të reja informacioni, përgatitja dhe qarkullimi i tij varet nga njohuria që një polic apo shumë policë kanë për procesin e komplikuar të përgatitjes së një imazhi televiziv. Pa fyer asnjë prej policëve, kjo është absurde. Polici nuk vendos dot ku duhet të shkojë gazetari dhe për këtë shkak nuk ka pse përcakton itinerarin e punës dhe anasjelltas.

Kjo nuk ka ndodhur ende as në Itali dhe nuk ndodhi as në Wuhan ku gazetarët perëndimorë lëvizën të lirë me makinat e tyre.

Nëse policia mbetet e ngurtë dhe vazhdon na mohon të drejtën për të lëvizur në kërkim të lajmit, atëherë ne do rreshtim së transmetuari çfarë ndodh dhe epidemia e koronavirusit do jetë një torture nga e cila nuk mbrohesh dot sepse kush nuk e di, duhet ta kuptojë: Sëmundjet kolektive kurohen vetëm me informacion. Ky është rasti i koronavirusit!

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.