Mediat online thirrje qeverisë: Çfarë po fsheh për Coronavirusin?!

Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM) ka reaguar me anë të një deklarate zyrtare, përsa i përket mesazhit zanor që sot është shpërndarë nga kryeministri në të gjithë telefonat e qytetarëve shqiptarë.

Kjo deklaratë është në faktë një reagim që vjen në unison nga disa media online të njohura në vend, dhe disa orafanizata me impakt në jetën dhe shoqërinë civile në vend.
Më poshtë gjeni të plotë DEKLARATEN e KSHM:

DEKLARATË

Ne, një grup mediash, organizatash të mediash dhe organizatash për të drejtat e njeriut ngremë sot shqetësimin për mjetet e komunikimit që po zgjedh Qeveria Shqiptare në raport me situatën.

Në radhë të parë, Qeveria ka monopolizuar informacionin duke e bërë thuajse të pamundur marrjen e informacioneve indipendente, duke mos lejuar personelin mjekësor të flasë me gazetarët dhe duke e kufizuar totalisht verifikimin e deklaratave të shtypit. Praktikisht, e vetmja “e vërtetë” me shifra apo të dhëna mbi virusin, i bie të jetë ajo që lexojnë zëdhënësit e Qeverisë.

Ky kufizim i informacionit, përveçse anti-kushtetues është dhe i dëmshëm. Nëse jemi në një situatë të panjohur e të paqartë, kjo është VETËM faji i Qeverisë që nuk ka arritur të komunikojë qartësisht situatën ditë pas dite. Nëse sot ka shqiptarë që ende besojnë që “ne nuk na zë virusi” kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e strategjisë së komunikimit mediatik të qeverisë në këto javët e fundit.

Në rradhë të dytë, Kryeministri i Shqipërisë, z. Rama, u ka dërguar një komunikim zanor një pjesë të qytetarëve të Shqipërisë që përdorin celular. Përveçse mesazhi zanor që të del ndersa ti dëshiron të kryesh një telefonatë personale është cënim i hapësirës private, Kryeministri u komunikon qytetarëve: “Ruajuni nga mediat”. Ky sulm kundër mediave nuk ka vend në këtë situatë.

Paaftësia e Qeverisë për të menaxhuar situatën në javët para se shpërhapja të kthehej në pandemi nuk mund të mbulohet duke kërkuar “fajtorin” apo “armikun” tek mediat. Ne gjykojmë që personalizimi i komunikimit nga Kryeministri është shumë i rrezikshëm. Përveçse kjo e kthen komunikimin në një fushatë politike, marrja nga Kryeministri e pozicionit të atij që “këshillon” publikun është jo-etike dhe e gabuar. Informacioni shëndetësor duhet shpërndarë përmes institucioneve e jo individëve, përmes profesionistëve e jo-politikanëve.

Ne si media angazhohemi të publikojmë dhe shpërndajmë informacion të përditësuar nga burime të përgjegjshme për t’i shërbyer publikut në maksimum në këto ditë të vështira.

Por, njëkohësisht u kërkojmë institucioneve përgjegjëse: Të bëjnë transparencë dhe të mos mbajnë informacione të fshehura; Të informojnë qartë se cila është situata aktuale e përhapjes së virusit dhe të dhënat paraprake që kanë  çuar në izolimin e qytetarëve dhe pezullimin e  biznesit; Të angazhohen në krijimin dhe përditësimin e shpeshtë dhe shpërndarjen efektive të  databazave me informacion zyrtar; Të bëjë transparent planin e masave, kohëzgjatjen e kufizimeve dhe bazën ligjore ku ato mbështeten.

Lista e Mediave (në përditësim):

27.al

DITA

Dosja.al

Droni.al

Exit.al

Gazeta-Shqip.com

Koha jonë

Lapsi.al

Mapo.al

Opinion.al

Politiko.al

TPZ.al

Syri.net dhe Syri TV

Organizatat:

ACQJ – Albanian Center for Quality Journalism

CRD

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë

Këshilli Shqiptar i Medias

JOQ Albania

Qendra Citizens-Channel.com

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.