Kush janë sektorët e gjunjëzuar të ekonomisë në Shqipëri, nga Coronavirus?

Nga Edison Balla

 

I cilësuar tashmë edhe si një pandemi botërore nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Coronavirusi, përveç situatës alarmante që ka krijuar në vend duhet thënë se po godet fuqimisht edhe disa nga sektorët kryesorë të ekonomisë së vendit.

Duke qenë se ky virus e pati zanafillën e tij në Kinë, atje edhe u mbyllën thuajse të gjitha fabrikat e prodhimit çfarë bëri që sektori i prodhimit atje të shkonte drejt një kolpasi për javë të tëra. E kjo situatë ndikoi derivatisht edhe në ekonominë e vendit tonë.

Kjo sepse Shqipëria dhe kompanitë tona këtu një pjesë të madhe të lëndëve të para dhe atyre të ndërmjetme i importon nga Kina. Kjo ka bërë që shumë fabrika që importojnë lëndë të para nga Kina të ngelin pa punë.

Por përveç kësaj një goditje të madhe deri thuajse në “gjunjëzim” kanë marrë këto ditë edhe kompanitë ajrore të fluturimit. Ndalimi i fluturimit të avionëve kryesisht drejt shtetit italian ka sjellë edhe anulimin e qindra e mijëra biletave. Gjithashtu ka sjellë edhe lënien pa punë të shumë punonjësve të këtyre kompanive.

Një tjetër sektor në të cilin punojnë me mijëra punonjës dhe që është goditur shumë nga kjo situatë e këtyre ditëve, janë padyshim edhe fabrikat e fasonerive. Ky sektor është prekur si fillim nga kriza që goditi Kinën duke e lënë biznesin fason pa lëndë të parë prodhimi.

Gjithashtu edhe goditja që i ndodhi Italisë nga ky virus duke e shndërruar në “zonë të kuqe” bëri që pronarët e shumë prej këtyre bizneseve të nisnin mbylljen e tyre. Po ashtu vetë kryeministri sot paralajmëroi edhe mbylljen e fasonerive deri në një moment të dytë. Ky vendim është i nevojshëm, por ekonomikisht mund ta gjunjëzojë e ta godasë fort këtë sektor.

Por dy të sipërpërmendurit nuk janë të vetmit sektorë të goditur nga kjo situatë. Sektori i transportit si apsojë e vendimeve të qeverisë duket se do të shkojë drejt ndalimit në mënyrë tërësorë të aktivitetit. Çka do të sjellë kjo humbje të mëdha në këtë sektor dhe lënien pa punë e pa paga të shumë punonjësve.

Lokalet dhe restorantet e mbyllura thuajse në të gjithë vendin do të shkaktojnë humbje të pallogaritshme për këto biznese. E gjithashtu do të lënë pa punë me qindra e mijëra kamarierë, guzhinjerë, menaxherë e shumë të tjerë.

Pra e gjithë kjo situatë e krijuar po shkakton një goditje të madhe për shumë sektorë të ekomisë, goditje e cila mbase do të saktësohet më mirë pas kalimit të ksaj situate.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.