Disa kërkesa dhe një dakordësi e heshtur mes opozitës dhe qeverisë

Nga Edison Balla

Situata e ditëve të fundit e shkaktuar nga Coronavirusi duhet thënë që ka sjellë edhe një intensifikim të deklaratave e reagimeve mes qeverisë dhe opozitës.

Kjo e fundit në fakt vetëm ditën e djeshme ka bërë edhe një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme SPAK ndaj Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirlliu, të cilën e akuzon për shpërdorim detyre.

Kjo akuzë vjen pasi kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një deklaratë për media denoncoi se 1.2 milion maskat e shpërndara nga ministria ishin të skaduara.

Por kjo betejë ligjore e deklaratash nuk ka ngelur vetëm në këtë nivel. Partia Demokratike nëpërmjet kreut të saj ka bërë edhe një sërë kërkesash në drejtim të qeverisë, në mënyrë që ta menaxhojë më mirë kështu situatën e krijuar me ”Covid 19”.

Kujtojmë që edhe për situatën e pas-tërmetit opozita bëri edhe atëherë një set kërkesash e propozimesh ndaj qeverisë për përballimin e situatës, ku edhe duhet thënë që disa prej tyre u morën parasysh nga qeveria.

Njëjtë edhe ditën e djeshmë Partia Demokratike bëri disa propozime e shtroi disa kërkesa kundrejt qeverisë për përballimin me sukses të kësaj situate. Ndër to ishte kërkesa që njërit prej prindërve t’u jepej lejë në punë, duke qenë se shkollat u mbyllën dhe njëri prej prindërve duhej të kujdesej për fëmijët.

Kjo kërkesë u pranua për pak orë nga qeveria e cila doli edhe me vendimin që plotësonte kërkesën e opozitës, edhe pse kjo gjë u bë në heshtje dhe pa u deklaruar se ishte propozim i Partisë Demokratike.

Një tjetër kërkesë e Partisë Demokratike ishte edhe ajo që bankat të mos ”vjelin” këstet ndaj klientëve për tre muaj, pasi mbase qytetarët nuk do të punojnë dhe nuk do të munden ti shlyejnë këto detyrime.

E për këtë ditën e sotme Banka e Shqipërisë doli me një urdhër drejtuar bankave të nivelit të dytë ku u kërkonte që të mos zbatonin marrjen e kësteve të kredive për klinetët për këtë periudhë.

Plotësimi i këtyre kërkesave është një lëvizje pozitive, qoftë edhe si një dakordësi e heshtur mes opozitës dhe mazhorancës.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.