Zhvillimi i sportit, qeveria ka gati një projektligj për krijimin e lehtësirave fiskale

Shqipëria ka tashmë një ligj “Për Sportin”, por që gjithsesi ka pasur në mjaft raste ankesa nga ekspertët dhe profesionistët që merren me sportin se ky kuadër ligjor nuk është i mjaftueshëm.

Kjo në fakt jo krejt pa të drejtë sepse ligji ka disa hapësira që duhen rregulluar me amendime dhe me akte nënligjore. Për t’u përshtatur me dinamizmin e zhvillimit të sportit në rajon, prej pak kohësh qeveria ka propozuar një projekligj në Ligjin Nr 79/2017 “Për Sportin”.

Konkretisht në këtë ligj janë propozuar disa ndryshime që pritet të bëjnë të mundur përjashtimin nga detyrimet doganore dhe nga TVSH-ja të të gjitha ndihmave dhe sponsorizimeve që do të vijnë për zhvillimin e sportit në vend.

Konkretisht Neni 2 Pikat 5 dhe 6, të nenit 7, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“5. Ndihmat apo sponsorizimet me materiale sportive, pajisje sportive, barna dhe pajisje mjekësore në funksion të sportit, për organizatat sportive dhe për Qendrën e Shërbimit të Sportit, të cilat vijnë nga institucione sportive ndërkombëtare apo çdo formë tjetër sponsorizimi, në kuadër të bashkëpunimit, nxitjes së sportit dhe rritjes së nivelit të sportit në rang  ndërkombëtar, përjashtohen nga detyrimet doganore dhe tatimi mbi vlerën e shtuar.

Importi i barnave dhe i pajisjeve mjekësore të dhuruara bëhet me autorizim të veçantë të strukturës përgjegjëse në ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë.

  1. Procedurat e përjashtimit dhe listat e materialeve e të pajisjeve sportive dhe ato mjekësore në funksion të sportit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”

Ndërkohë që në kuadër të këtyre propozimeve pritet të bëhet edhe një tjetër ndryshim përsa i përket rolit që kanë njësitë e vetëqeverisjes vendore në zhvillimin e klubeve sportive.

Konkretisht pas nenit 13 shtohet neni 13/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 13/1 Mbështetja financiare nga njësitë e vetëqeverisjes vendore

Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të mbështesin me financime klubet e tyre përkatëse sportive të futbollit të superligës, vetëm në rast se të gjithë futbollistët e klubit e kanë pagën mujore jo më të vogël se 100 000 (njëqind mijë) lekë (bruto).”

Ndryshimet në nenin 2 pritet të jenë pozitive sepse në fakt janë kërkuar prej kohësh, ndërsa përsa i përket nenit 13/1 që është shtuar nuk mund të vlerësohet akoma nëse do të sjellë apo jo ndonjë impakt në drejtim të zhvillimit të klubeve sportive.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.