Rastet/ Ja sesi Sali Berisha përdor facebook-un, për fakenews e Coronavirusit

Prej disa ditësh ish kryeministri Berisha ka ndërmarrë një fushatë dezinformimi në faqen e tij në facebook, duke alarmuar kështu qytetarët me lajme të paqena për çështjen e koronavirusit.

Kjo nuk është ndonjë gjë e re, pasi tashmë përhapja e lajmeve të rreme dhe keqinformimi i qytetarëve është e vetmja punë që i ka ngelur duke qenë se në vendimarrjen politike nuk po ja fishkëllen askush.

E pa u marrë shumë me lajmet e tjera të tij të rreme që shpërndan përditë në facebook, duke ia kaluar përgjegjësinë “qytetarit” imagjinar dixhital po përmendim në këtë artikull vetëm disa prej rasteve të lajmeve të rreme që ka shpërndarë për Koronavirusin.

Lajme të cilat nuk kanë asnjë lloj burimi të besueshëm dhe e vetmja gjë që bëjnë është përhapja masive e panikut.

Rasti nr 1. Ditën e sotme, Berisha, ka publikuar në faqen e tij një mesazh që sipas tij ka ardhur nga një qytetar që “denoncon” se në Rrogozhinë është shfaqur një rast me Koronavirus, por që mjekët sipas qytetarit dixhital të Berishës nuk kishin as doreza e as maska. Ky është një lajm i pakonfirmuar as nga media e as nga insitucionet. Ndaj edhe askush nuk siguron besueshmërinë e këtij lajmi.

Rasti nr 2. Në një tjetër denoncim të bërë ditën e sotme nga “lajmëtari” shpirtëror i Berishës denoncohet se në Kavajë ka edhe 5 persona të tjerë të prekur nga Koronavirusi dhe që po mbahen në Spitalin e Kavajës.

Sipas këtij lajmi, të tillë i thënçin, thuhet se Spitali i Kavajës nuk i transporton dot në Tiranë sepse ambulancat nuk kanë aparatura. Po nëse nuk ka Kavaja ambulancë atëherë ka Tirana, dhe duke ditur afërsinë mes qyteteve ky lajm është jo vetëm i rremë por edhe qesharak.

Rasti nr 3. Gati thuajse si në rastin e sipërcituar “qytetari” dixhital i Berishës denonconte se pacientja e prekur në Durrës nuk transportohej dot në Tiranë, sepse nuk kishte ambulancë me respirator.

Një lajm absurd kur mendon afërsinë mes dy qyteteve dhe faktin sesa shpejt mund të mbërrijë një ambulancë nga Tirana, nëse sipas Berishës nuk janë funksionale ambulancat e Durrësit.

Rasti nr 4. Ditën e djeshme, Berisha, në fushatën e tij të dezinformimit për të shfrytëzuar çdo situatë dhe për të përhapur lajme të rremë me çdo kusht, tha se dje kanë vdekur persona të tjerë dhe nuk janë raportuar nga qeveria.

Mosmbështetja e këtij “lajmi” në asnjë bazë faktike lidhet minimalisht me hermetizimin e pamundur të lajmit në kushtet ku mediat janë të pranishme kudo. Aq më tepër në këto ditë.

Rasti nr 5. Shpërndarja e një videoje nga Berisha në faqen e tij në facebook që më pas u bë edhe virale përveçse e rremë krijoi edhe një konfuzion shumë të madh në opinion.

Bëhej pra fjalë për një video në të cilën shfaqeshin disa mjekë duke kërcyer që sipas “lajmëtarit” të Berishës ishin mjekë të infektivit. Rrejshmëria dhe gënjeshtra e këmbëve të shkurtra të Berishës u zbulua brenda pak orësh, pasi videoja ishte marrë nga një faqe e huaj dhe mjekët e shfaqur në të ishin iranianë.

Të luash me të tilla fakenews-e në këtë kohë mjaft të vështirë për vendin, dhe të përhapësh panik në masë vetëm e vetëm për të luftuar kundërshtarin tënd politik dhe për të marrë vëmendje, është jo vetëm e dënueshme moralisht, por edhe e dënueshme ligjërisht sipas dispozitave të parashikuara në Kodin Penal.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.