Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Dosja e Ridvan Bodes drejt SPAK-ut, abuzime për dhjetëra milionë euro koncesione

Shqiptarët e varfër paguajnë miliona euro në vit për kompanitë private, për shkak të politikës korruptive me koncesionet ndër vite.

Dy prej koncesioneve më abuzive dhe të përfoluara, që kanë futur thellë duart në xhepat e qytetarëve të vendit, ai i markimit të karburanteve dhe i skanimit të kontenierëve, janë firmosur nga ish-ministri i Financave, Ridvan Bode. Dy koncesionet e Bodes, i cili sot është emëruar nga qeveria e PS si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, kapin vlerën e 400 milionë eurove.

Gazeta SHQIP, mëson se po përgatitet një dosje me fakte e të dhëna të reja, e cila do t?i dorëzohet SPAK, për nisjen e hetimeve rreth kësaj megaafere.

 "Taksa" 400 milionë euro e Ridvan Bodes për shqiptarët

Po cilat janë shkeljet për të cilat akuzohet Ridvan Bode?

Koncesioni i markimit të karburanteve - Siç e kemi trajtuar edhe në shkrime të tjera, vetëm nga koncesioni i markimit të karburanteve, që prej vitit 2013, qytetarët shqiptarë paguajnë nga taksat e tyre plot 15 milionë euro në vit, për një shërbim që deri në fund të 2012 kryhej me kosto zero.

Koncesioni 10 vjeçar me vlerë 150 milionë euro, i cili u firmos me urgjencë në fund të mandatit qeverisës në 2013, rezultoi një skandal pasi kompania që e fitoi atë, figuronte në dosjet e "Panama Papers". Ish-ministri i ngarkoi shqiptarët me 15 milionë euro shtesë taksa në vit, për një shërbim që deri në 2013 kryhej me kosto zero lekë.

Koncesioni i dhënë ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin e koncesioneve dhe procedura e ndjekur ishte ajo e koncesionit të pakërkuar nga shteti, që do të thotë se qeveria e ktheu këtë shërbim monopol privat pas kërkesës së vetë privatit. Në një padi të vitit 2015, shoqata e Hidrokarbureve pohoi se, edhe pse nafta as nuk markohet dhe as nuk skanohet, biznesi paguan tarifat të cilat janë përfshirë në çmim me 2 lekë për litër. Ministria e Financave ka një dosje me prova se koncesionari i markimit, GFI Albania, nuk ka kryer asnjë investim dhe është në shkelje të plotë të marrëveshjes. Por pavarësisht kësaj, shqiptarët vazhdojnë të paguajnë.

Ky koncesion është kërcënim edhe për sigurinë kombëtare, pasi u zbulua se kompania  GFI, figuronte në dosjet e skandalit financiar të "Panama Papers", ndërkohë qe ishte një nga aksionerët kryesorë të monopolit të markimit të karburanteve në Shqipëri. Ajo ishte regjistruar në vitin  2013 në ishujt  Anguilla. Në prill të po të njëjtit vit GFI u shpall fituese e koncesionit të markimit të karburanteve në bashkëpunim me shoqërinë "Petroleum Consulting Partners". Kjo e fundit ishte e regjistruar në Zvicër, me pronare që nuk dihen. Kur fituan koncesionin GFI kishte 75 % të aksioneve, ndërsa Petroleum Consulting Partners 25 %. Dy vjet më vonë raportet ndryshojnë tërësisht., pasi GFI i shet thuajse të gjitha aksionet tek "Petroleum Consulting Partners". GFI mban vetëm 0.07 % të aksioneve, ndërsa "Petroleum Consulting Parners" merr 99.93 % të tyre. Në dhjetor të 2015 -tës kompania koncesionare për markimin e karburantit në Shqipëri ndërpreu punën. Ishte GFI që e bëri njoftimin, edhe pse partner në minorance të dukshme në këtë konceison. Ajo shpjegoi se ndërprerja erdhi si pasojë e mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale nga Minsitria e Financave. Por ky ngërç u kalua në dialog me qeverinë dhe kompania rifilloi punën.

Skandali korruptiv "Rapiscan"- Koncesioni i dytë korruptiv i Ridvan Bodes me vlerë 250 milionë euro, për të cilin ka nisur edhe një hetim në SHBA, është koncesioni për skanimin e kontenierëve.

Kjo është një tjetër taksë shtesë që paguajnë shqiptarët dhe veçanërisht biznesi shqiptar, që prej vitit 2013, taksë që mban firmën e Ridvan Bodes.

Kompania amerikane që ka më shumë se gjysmën e aksioneve të koncesionit Rapiscan është akuzuar se ka paguar ryshfet për të siguruar kontratën. Rapiscan Systems Inc. me bazë në Kaliforni dhe kompania bijë e regjistruar në Shqipëri, S2 Albania fituan një kontratë koncesionare 15-vjeçare për skanimin e kontenierëve nga qeveria e ish-kryeministrit Sali Berisha në vitin 2011. Kontrata u miratua në Parlament dy vjet më vonë dhe hyri në fuqi në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.

Carson Block, themelues i "Muddy ëaters Research" pati deklaruar në një intervistë për "Bloomberg", se kompania OSI Systems që ka 51 % të aksioneve ka paguar një ryshfet që arrinte pothuajse gjysmën e vlerës së kontratës që arrin në mbi 100 mln euro.

Agjencia e pavarur federale amerikane SEC, e cila mbron investitorët amerikanë nga mashtrimet që mund të bëhen në tregun e aksioneve në bursë, ka nisur hetimin ndaj kompanisë Rapiscan, pasi dyshohet se ka mashtruar në bursë për vlerën e investimit në Shqipëri. Është provuar se disa muaj pas lidhjes së kontratës, në një projekt që konsiderohej 250 milionë dollarë, kompania shiti 49 për qind të aksioneve për vetëm 4.5 dollarë.

Qeveria "Rama 1" kontraktoi studion ligjore Omnia Strategy të Cherie Blair për të përgatitur mbrojtjen kundër Rapiscan, por pasi pagoi 645 mijë euro në total, pranoi këshillën e zonjës Blair për ta zgjidhur me marrëveshje konfliktin.

Pas kësaj qeveria rinegocioi kontratën në qershor të 2015, duke ulur vlerën e kontratës nga 316 milionë në 210 milionë euro. Kompania Rapiscan fitonte përmes kontratës së mëparshme 39 euro për çdo deklaratë doganore, ndërsa me marrëveshjen e re përfiton 5 euro për çdo deklaratë doganore deri në 1 mijë euro dhe përtej kësaj vlere, taksa shkon 22 euro për deklaratë doganore. Kontrata koncesionare Rapiscan pritet të përfundojë në 2026.

Partia Socialiste pati premtuar çmontimin e këtyre dy aferave. Në fakt nuk u arrit dot zgjidhja e kontratave, por vetëm rinegociimi i tyre. Por ajo që është e çuditshme, është fakti se personi që firmosi këto dy koncesione, në atë kohë i akuzuar nga socialistët, sot është zgjedhur nga këta të fundit në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Padia që po mbërrin në duart e SPAK, pritet të hedhë më shumë dritë mbi këtë megaaferë dhe të vërë para përgjegjësisë zyrtarët që ngarkuan shqiptarët e varfër me 400 milionë euro taksa shtesë.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore