Përse e sulmojnë Rudina Hajdarin!?

Nga Roland QAFOKU

Më 18 shkurt u mbush 1 vit që kur Partia Demokratike dorëzoi mandatet e deputetëve “en bloc”. Masivisht grupi parlamentar i saj e zbatoi vendimin e partisë, por pati nga ata që nuk iu bindën këtij urdhri. Që nga ajo ditë, përpos luftës së egër politike mes PS në pushtet dhe PD në opozitë, një luftë tjetër politike ndodhi, këtë herë të dy forcave politike së bashku kundrejt një individi të vetëm.

Pothuajse të gjitha bateritë, majtas dhe djathtas, u harxhuan për të sulmuar një deputete të re, që jo vetëm nuk iu bind urdhrit, por e quajti dorëzimin e mandatit një gabim historik. “Unë nuk mund të ndjek një vendim kolegjial që shkon kundër frymës së Kushtetutës dhe interesit. Më vjen keq nëse zhgënjej partinë, por do të zgjedh interesin e Shqipërisë”, – tha Hajdari dhe vijoi të zinte vendin në sallën e Parlamentit.

Kaq mjaftoi dhe ndaj saj nisën të gjitha llojet e sulmeve. Si fillim u përjashtua nga partia, një vendim me reminishencë të lartë nga diktatura. Më pas nisi denigrimi i figurës së saj duke e quajtur se ajo nuk e meritonte të ishte deputete dhe se është vënë aty për nder apo edhe aksidentalisht dhe kjo i dedikohej zemërgjerësisë së kryetarit Lulzim Basha. Dhe në këtë një vit, rezulton që nuk ka asnjë figurë tjetër që PD që të jetë marrë kaq shumë sa ndaj Rudina Hajdarit.

Por sulmet ndaj saj jo vetëm nuk reshtën, por nisën nga të dyja palët. Nga të djathtët me arsyetonim se theu një urdhër dhe nuk iu bind atij dhe nga të majtët se ajo nisi të bënte opozitë reale në Parlament. Dhe papritur e pa veten “in the center of the storm”. Dhe si një dardhë që bie poshtë pemës së vet, Rudina këtu i ngjan pikë për pikë të atit, kur i ndjeri Azem Hajdari dikur përjashtohej dhe sulmohej ashpër nga PD, por sulmohej njëkohësisht po aq ashpër edhe nga PS.

Kulmi i sulmeve ndaj Rudina Hajdarit ishte ai i denigrimit personal duke lëshuar jargavitje të tipit “nuk di të lidhë dy fjalë” dhe se “fjalimet ia bën dikush, por ajo nuk i lexon mirë”. E kush pa, ajo që një nga diplomat e saj ka Master of Arts në Columbia University dhe të qenit “belingue”, më shumë sesa një aftësi, na e quanin si sindromë. Hajde estradë shqiptare, hajde!

Në fakt, historia politike shqiptare njeh disa personazhe të ardhur nga SHBA në Shqipëri që janë bërë pjesë e Parlamentit, por që janë kthyer në target të sulmeve pa princip. Rasti i një Rudine tjetër, me mbiemrin Seseri, është pothuajse identik. Një grua tejet e suksesshme në SHBA befas iu përgjigj ftesës së Partisë Socialiste për të dhënë kontributin e saj në politikë. U zgjodh edhe deputete në zonën e Krujës dhe ylli i saj shkëlqeu vërtet në fillim si një gjetje origjinale e PS.

Por sapo ajo nisi aktivitetin politik, nisën denigrimet. Kulmi arriti deri atje sa Rudina Seserit i kërkohej llogari nga kundërshtarët politikë përse Partia Socialiste që ajo aderonte nuk kishte qeverisur mirë Shqipërinë në të kaluarën?! Nuk e di se ç’duhet të ketë ndier Seseri me këtë kërkesë llogarie, por natyrisht që një luftë me veten ajo e ka bërë duke i drejtuar pyetjen se çfarë dreqin deshi që la SHBA-në për t’u futur në këtë llumin e politikës sonë.

Dhe Seseri u largua nga Parlamenti, dha dorëheqjen, iku në SHBA, por sot atje gazetarët e “The Voice of America” e kanë shndërruar në një yll se si një shqiptare mund të bëhet e zonja duke bërë miliona me djersën e saj. Ndoshta nën zë edhe për Rudina Hajdarin disa syresh urojnë që të kthehet në SHBA. Por ajo nuk e ka zgjedhur dorëzimin. Ajo vazhdon të jetojë në Shqipëri. Prej afro 3 vjetësh është deputete në Parlament dhe vijon luftën opozitare ndaj qeverisë. A ju kujtohet replika e fundit në seancën parlamentare të 30 janarit? Ja çfarë tha deputetja që “nuk di të lidhë dy fjalë”:

“Zoti Kyeministër, ky është realiteti që shqiptarët kanë dhe nuk mund të vini këtu të flisni për ndërtimet pa leje. Sot është ndërtuar modeli më i frikshëm. Sot kemi një mentalitet të shthurur. Sot, po të ecësh thjesht në Bllok, do shikosh çfarë po ndodh në Shqipëri. Po të hysh në një taksi do ta shohësh shumë mirë çfarë do të thotë për gjendjen në Shqipëri. Ai që ha dhe merret me drogë, ka makinën më të shtrenjtë. Ne nuk mundet të vazhdojmë në këtë lloj mënyre”.

Kjo e nervozoi aq shumë Ramën saqë lëshoi një batare fjalësh, për të cilat e kishte marrë malli atë, por edhe ne kur ia lëshonte vetëm armikut të tij numër një në politikë, Sali Berishës. Berisha nuk ndodhet në Parlament, por për nga ndikimi i asaj që tha, Edi Ramës iu duk sikur kishte folur pikërisht ai. Shikoni sa në çfarë tensioni ka qenë Edi Rama në ato momente ndaj Rudina Hajdarit me këto fjalë që nxori nga goja:

“Jeni kopje e zbehtë e origjinalit, kështu nuk sfidoni askënd. Nuk ju futet gjë në kokë, se e keni kokën të mbushur me broçkulla. Për çfarë korrupsioni flet, s’të vjen zor që je një grua dhe një nënë. Cilat pazare ndaj unë? Kjo është të flasësh broçkulla, ti nuk je e vetëdijshme për ato që nxjerr nga goja. Ti nuk e pararend fjalën, ti i shkon pas fjalës. Hajde këtu me trego një pazar, e kam sfiduar udhëheqësin tënd fizik, Saliun dhe Lulëzimin. Jam në gjyq me ata. Ti më merr të keqen mua, për pazare dhe ndarje pazaresh”.

Partia Demokratike e sulmon, e përjashton dhe e denigron. Partia Socialiste e sulmon dhe e denigron. Kjo tregon qartë se Rudina Hajdari se sa në rregull është ajo me atë që përbën dhe moralin e saj. A e kuptuat o njerëz përse sulmohet Rudina Hajdari?

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.