Ekskluzive/ Mpleksja e ish zyrtarit të Ministrisë, Vojo Bregu me trafikantin e 137 kg kokainë

Burime ekskluzive për Gazetën SHQIP, kanë zbuluar fije të reja që lidhin zyrtarë të lartë me trafikantë droge. Bëhet fjalë për një dosje të vjetër, të mbajtur nën sirtarë nga organi i akuzës dhe ku janë të mpleksur ish Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Vojo Bregu dhe biznesmeni Gentian Malindi, i arrestuar për trafikun e 137 kg kokaine në Portin e Durrësit.

E gjithë historia nis kur Malindi u arrestua në 8 qershor të 2013 nga policia. Ai u kap në flagrancë me 500 kg drogë të llojit kanabis sativa, por më vonë gjykata e liroi në mënyrë të pashpjegueshme. Droga u kap nga policia  në zonën e Plazhit, e cila kishte si destiancion Italinë.

Pas daljes nga burgu, Malindi ishte i njohur në fushën e biznesit të peshkut. Edhe pse ligji ndalonte liçencat e bizneseve portuale-detare, për personat me precedent penal, Malindi pajiset me një leje nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, në atë kohë Vojo Bregu.

Sipas dokumentit që disponon Gazeta SHQIP, Bregu ka shkelur ligjin duke i dhënë një liçencë peshkimi Gentian Malindit, më datë 1 tetor 2015, pra, rreth 2 viteve pasi ishte kapur me 500 kg kanabis sativa.

Malindi nuk ka qënë në listën e personave që duhej liçencuar, por falë ndërhyrjes së zyrtarit të Ministrisë, Vojo Bregut, në Drejtorinë e Doganave është dërguar dokumentacion plotësues. Në letrën e siguruar nga SHQIP dhe dërguar drejtoreshës së doganave Pranvera Fagu, mësohet se ishte shtuar emri i Gentian Malindit, me anijen e peshkimit “Anyway”. Afati i liçencës përfundonte në fund të vitit 2019.

Por çfarë ndodhi më pas?

Përgjatë kohës që Malindi ushtronte aktivitetin e peshkimit në Durrës, Policia e Shtetit e kishte vënë nën survejim. Dyshimet ishin se Malindi po përdorte anijen e tij të peshkimit për të trafikuar lëndë narkotike. Ndaj tij u ushtruan disa kontrolle, aq sa ai u detyrua të shfaqej i indinjuar në media dhe të padiste Policinë Kufitare për dëm moral.

Megjithatë, dyshimet e policisë së shtetit nuk rezultuan se ishin gabim. Më 17 shtator 2019, në Portin e Durrësit, aty ku Malindi ushtronte aktivitetin me liçencën e dhënë nga Vojo Bregu, mbërrijnë nga Ekuadori dy kontenierë me banane, që fshihnin rreth 137 kg kokainë.

Porosia e “bananeve” ishte bërë nga Gentian Malindi, i cili ishte vënë edhe në objektin e DEA-s amerikane. Sipas dosjes hetimore, Malindi nuk shkoi për ti zhdoganuar kontenierët por dërgoi dy persona për të marrë pakot fshehurazi lendën narkotike. Ata ishin Adrian Bega, punonjës sigurie në portin e Durrësit, dhe Altin Myslihaka, peshkatar. Më pas të dy ngarkuan pakot në një makinë “Audi” me targa të huaja në drejtimin e të cilës ishte Gentian Malindi. Sapo ka mbërritur tek Shkembi i Kavajës, Malindi ka marrë një telefonatë ku dyshohet se është sinjalizuar: “Kujdes po ju ndjekin!”

Dosja hetimore thotë më tej, se ata janë ndaluar në një hotel pranë Shkëmbit të Kavajës, kanë kontrolluar pakot, të cilat brenda nuk kishin kokainë por oriz. Malindi ishte futur në kurth nga DEA amerikane, pasi kokaina e vërtetë ishte bllokuar që në portin e Pireut.

Vojo Bregu nuk u morr asnjëherë në pyetje nga autoritetet, për të dhënë shpjegim lidhur me liçencimin e anijes së peshkimit të Gentian Malindit dhe raportet mes njëri-tjetrit.

Sot, Malindi është ende i arrestuar, kurse Vojo Bregu ka dhënë dorëheqjen si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.