A është Shqipëria në rrezik, shënohet viktima e parë me koronavirus në Itali

Shënohet viktima e parë nga koronavirusi në Itali. Mësohet se një 77-vjeçar ka ndërruar jetë ditën e djeshme në spitalin Schiavonia në Monselice, në provincën e Padovës. Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për Adriano Trevisan, babai i ish-kryetarit të Bashkisë, i cili prej 10 ditësh qëndroi nën kujdesin e mjekëve. Mësohet se në spital ndodhet i shtruar dhe një tjetër banor i të njëjtës zonë, që i përket bashkisë së Cinto Euganeo.

Ndërkohë ka arritur në 16 numri i të infektuarve nga virusi vdekjeprurës i Wuhanit në Itali, mes të cilëve edhe një grua shtatëzënë. Mësohet se, personat e infektuar janë nga Lombardia dhe Veneto. Ndërkaq, është shpallur gjendja e alarmit në 9 qyteza të këtyre rajoneve dhe janë marrë masa ekstreme në 3 prej tyre, pranë Milanos.

Sipas raportimeve nga mediat italiane, 14 prej të infektuarve janë nga Lombardia dhe 2 nga Veneto. Rasti më i rëndë në Itali është konfirmuar në qytezën e Kastilione d’Adas, në Lombardi, ku një 36-vjeçar ndodhet në gjendje kritike për jetën.

36-vjeçari, menaxher i një firme tregtare që furnizohet nga Kina, dyshohet se është infektuar nga virusi para 10 ditësh, pas një dreke pune me një sipërmarrës kinez. Të infektuar nga virusi janë konfirmuar edhe disa persona të tjerë që kanë qëndruar në shoqërinë e tij, mes të cilëve edhe bashkëshortja e tij shtatëzënë.

Menjëherë pas evidentimit të rasteve, Kastilione d’Ada ka marrë masa për të penguar shpërhapjen e koronavirusit duke mbyllur shkollat, baret dhe institucionet publike në zonat në të cilat ndodhen të infektuarit.  E njëjta procedurë pune për rritjen e sigurisë është ndjekur edhe në Kodonjo dhe Kazalpusterlengo, ku rreth 35 mijë banorëve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin daljet e panevojshme.

Rreth 2250 viktima janë shënuar deri tani që nga shpërthimi i virusit në Wuhan, shumica dërruese e së cilave brenda territorit të Kinës. Afro 77 mijë persona janë konfirmuar të infektuar dhe 19 mijë të tjerë kanë mundur të rikuperohen, ndërsa virusi është shpërhapur deri tani në 28 vende të botës.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.