Grenell e bën të qartë se do të rrijë përkohësisht në krye të zbulimit kombëtar

Ambasadori amerikan në Gjermani Richard Grenell i cili u përzgjodh  nga presidenti Donald Trump si Drejtori në Detyrë i Zbulimit Kombëtar, tha se do ta mbajë përkohësisht këtë post.

SHBA-ja ka qenë pa një drejtor të përhershëm të zbulimit kombëtar që nga gushti 2019, kur Dan Coats dha dorëheqjen zyrtarisht, pas një sërë përplasjesh me presidentin Donald Trump.

Në një mesazh në Twitter, ambasadori Grenell konfirmoi se “po e marr postin përkohësisht dhe se presidenti do të lajmërojë të emëruarin (jo mua) së shpejti”.

Por deri tani nuk ka pasur ndonjë koment nga Shtëpia e Bardhë lidhur me kohën kur do të shpallet një kandidaturë për drejtorin e përhershëm.

Grenell pritet të marrë detyrën si drejtor i përkohshëm, duke zëvendësuar drejtorin aktual në detyrë, Joseph Maguire, i cili në bazë të ligjit nuk mund të vazhdojë ta ushtrojë detyrën pas 12 marsit.

Presidenti Trump njoftoi për synimin e tij për të caktuar zotin Grenell të mërkurën në mbrëmje me një mesazh në Twitter. Në një deklaratë të enjten, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham lavdëroi zotin Grenell dhe vlerësoi përgatitjen e tij për rolin.

Një zyrtar i administratës konfirmoi gjithashtu për Zërin e Amerikës se zoti Grenell do të mbajë postin e ambasadorit në Gjermani dhe do të vazhdojë të shërbejë si i dërguar i posaçëm për negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës, ndërsa drejton zbulimin kombëtar.

Ambasadori Grenell, që njihet si mbështetës besnik i Presidentit Trump, shkaktoi debate në Gjermani kur mori postin, kur tha se donte “të fuqizonte konservatorë të tjerë në gjithë Evropën, udhëheqës të tjerë”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.