‘Disa njerëz duhen shfarosur’, dalin fotot e autorit të masakrës në Gjermani

Disa njerëz duhen shfarosur: një mesazh video i autorit të ngjarjes që tronditi Gjermaninë është dëshmia e egërsisë së një mendësie të rrezikshme që po ngre krye sërish në vend. 11 persona humbën jetën prej krimit brutal në qytetin Hanau, jo larg, Frankfurtit. Mes të vdekurve është edhe autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë, e cila mendohet të ketë në sfond motive ekstremiste të djathta. Burri, që gazeta gjermane BILD e identifikon si Tobias R. hapi zjarr mbi njerëzit që ndodheshin në dy lokale të qytetit. Kufoma e tij u gjet më vonë në apartamentin e vet në Hanau, ku u zbulua dhe një person tjetër i vdekur. Babai i vrasësit është arrestuar, por policia thotë se ai nuk është i përfshirë në ngjarjen e rëndë. Mediat shkruajnë se vrasësi kishte në pronësi një licencë për armë gjahu. I dyshuari kishte lënë pas një video, ku deklaronte se “disa njerëz në Gjermani duhen shfarosur për shkak se nuk mund të dëbohen”.

Shumica e viktimave, sipas shtypit vendas, ishin kryesisht turq dhe kurdë. Kreu i bashkisë së Hanaut, Claus Kaminsky, CDU u shpreh i tronditur nga dhuna në qytetin e tij. “Kjo ishte një natë e tmerrshme që do të mbetet gjatë në kujtesën tonë”, tha ai. Deputetja e Bundestagut nga zona zgjedhore të Hanaut, Katja Leikert, e CDU-së foli për një “skenar tmerri”.

Qeveria gjermane reagoi gjithashtu duke i përcjellë ngushëllimet familjeve të prekura, teksa “krimi I tmerrshëm”, sic e quajti ajo, do të hetohet deri në fund. I tronditur u shpreh edhe presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel që tha se “humbja e pakuptimtë e jetëve të njerëzve është një tragjedi, pavarësisht ku ndodh ajo”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.