Pse po armatoset Serbia? Raketat ruse janë blerë miliona dollarë

“Surpriza” e paralajmëruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, në prag të vizitës së ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, në Beograd, nuk erdhi. Me gjithë spekulimet përpara vizitës, Shoigu ka qëndruar këtë javë në Serbi pa sistemin raketor “Pancir S1”, të cilin Serbia e ka blerë nga Rusia, thotë REL.

Sipas analistit ushtarak serb, Aleksandar Radiç, arsyeja për këtë duhet kërkuar në Moskë. “Autoritetet në Beograd kanë nevojë për të rënë në sy para publikut, por rusët ndoshta nuk e kanë të njëjtin emocion. Mbase për momentin nuk kanë nevojë për këtë formë marketingu”, tha Radiç për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë. “Kontrata për “Pancir S1” është komerciale. Kemi paguar dhe duhet ta fitojmë këtë sistem për modernizimin e ushtrisë sonë. Kjo është në rregull, por kjo paguhet me para të popullit”, shtoi ai.

Vizita e ministrit rus të Mbrojtjes në Serbi dhe takimet e tij me zyrtarët në Beograd, në të cilat është thënë se Serbia dhe Rusia “do të forcojnë më tej” bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, kanë aktualizuar çështjen e blerjes së armëve ruse nga Serbia, por edhe vetë armatosjen e Serbisë dhe mjetet e saj për mbrojtje.

Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), këto mjete në vitin 2019 janë rritur për 28.7 për qind, përkatësisht nga 704 në 906 milionë dollarë. Me këtë rritje të buxhetit të mbrojtjes, Serbia ka arritur në krye të listës së vendeve të kontinentit evropian.

Investimet në mbrojtje në Maqedoninë e Veriut, në Bullgari dhe në Sllovaki po ashtu janë rritur për më shumë se 20 për qind.Trendi i rritjes së shpenzimeve të Serbisë në mbrojtje është vërejtur qysh në vitin 2016, thotë Katarina Gjokiç, studiuese në Qendrën për Politika të Sigurisë në Beograd.

Radiç konsideron se ushtria serbe ka nevojë për modernizim, por shton se autoritetet në Beograd e shfrytëzojnë këtë çështje për qëllime politike. “Modernizimi i Ushtrisë së Serbisë është i domosdoshëm. Shumica e armëve janë një trashëgimi e kohës së vjetër. Shumica janë blerë në kohën e Jugosllavisë socialiste. Është e qartë se duhet investuar…!

Por, mendoj se qeveria aktuale po e përdor prokurimin e armëve si mjet për favore politike nga aleatët”, shprehet ajo. Vuçic, në dhjetor të vitit të kaluar, ka paralajmëruar se Serbia do të ndalojë blerjen e armëve dhe se do të bëjë “reforma shtesë në ushtri”. Institucionet nuk kanë dhënë kurrë përgjigje konkrete se sa paguan Serbia për pajisjet ushtarake nga Rusia dhe sa vlejnë donacionet ruse për Ushtrinë e Serbisë.

Blerjet e shpeshta të armëve nga Rusia kanë ngritur shqetësime si në Bruksel, ashtu edhe në Uashington. Në nëntor të vitit të kaluar ka reaguar edhe i dërguari i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer, i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë, për shkak të blerjes së pajisjeve ushtarake ruse.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.