Kërcënimet e Presidentit/ Arsyeja përse Ilir Meta nuk e shpërndan dot parlamentin

Ka prej kohësh një diskutim të hedhur në tryezë që Presidenti i Republikës mund të shpërndajë parlamentin.

Ky diskutim në fakt nisi para disa muajsh pas daljes së opozitës nga parlamenti, që pasoi më pas me zëvendësimin e tyre nga “opozita e re”. Futja në parlament e disa deputetëve nga listat e opozitës së bashkuar duhet thënë që mënjanoi një rrezik shumë evident edhe për Ramën, siç ishte mosfunksionimi i parlamentit.

Por edhe pse shumë deputetë nga lista hynë në parlament, sërish duhet thënë që kuvendi nuk e arriti numrin prej 140 deputetësh. Shifër e cila është përcaktuar shprehimisht edhe në kushtetutë.

Kishte në njëfarë mënyre një “kërcënim” të vazhdueshëm të Presidentit kundrejt mazhorancës që nëse nuk “mblidhte” mendjen dhe zhvillonte zgjedhje pa opozitën, atëherë ai do të shpërndante parlamentin.

Kjo tezë u mbështet në fillim nga një pjesë e opinionit publik por edhe juristë, të cilët thanë se presidenti ka të drejtën e shpërndarjes së kuvendit.

Kjo vinte jo me bazë kushtetuese e ligjore, por me faktin se kuvendi nuk ka 140 deputetë aq sa në fakt parashikon kushtetuta. Por numri i cituar më sipër nënkupton më shumë një dispozitë deklarative e cila nuk mundet të çojë në shpërndarjen e kuvendit.

Kjo tezë mund të besohej në kushtet kur ushtrimi i pushtetit legjislativ nga parlamenti mund të bëhej i pamundur për shkak të numrit të pamjaftueshëm për të votuar ligje, apo për të funksonuar normalisht.

Pra flasim për rastin nëse parlamenti do të kishte më pak se 71 deputetë. Gjë e cila në rastin konkret duhet thënë që nuk ka ndodhur.

E nga ana tjetër përtej mundshmërisë ose jo për shpërndarjen e parlamentit është më e udhës të kuptojmë nëse e ka apo jo presidenti kompetencën kushtetuese, për të shpërndarë parlamentin qoftë edhe në një rast si ky.

Përgjigja është JO. Kjo sepse kushtetuta i ka parashikuar në mënyrë shteruese rastet kur paralementi mund të shpërndahet dhe asnjëra prej rasteve nuk ja jep këtë kompetencë presidentit të republikës.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.