Ambasadorja amerikane takon Metën, Ramën dhe Bashën/ Çfarë u diskutua

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka takuar sot kryeministrin Edi Rama, presidentin Ilir Meta dhe kryedemokratin Lulzim Basha, me të cilët ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.

Yuri Kim ka zbuluar detaje nga bisedimet me ta, ku në fokus të takimit ka qenë edhe konferenca e donatorëve.

“Sot u takova me kryeministrin Edi Rama, presidentin Ilir Meta dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit dhe pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara.

Për sa i përket specifikisht konferencës së donatorëve në Bruksel, ne besojmë se ajo pasqyron solidaritetin, mbështetjen dhe dëshirën e komunitetit ndërkombëtar për ta ndihmuar popullin shqiptar në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit. Diskutuam gjithashtu edhe për pritshmëritë për transparencë dhe llogaridhënie përgjatë gjithë këtij procesi.

Përveç konferencës së donatorëve, diskutova edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike.

Presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se ne do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar”, thekson ambasadorja.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.