I shpëtoi jetën një 12 vjeçari, skiatorja shpallet heroinë në Slloveni

Skiatorja turke Sila Kara është shpallur heroinë në Slloveni pasi i shpëtoi jetën e një djali 12-vjeçar në Resortin e Skiimit Krvavec në vend. Në një deklaratë, Federata Turke e Skiimit tha se Kara, 19 vjeçe, i shpëtoi të miturit slloven gjatë një stërvitjeje para garave që po mbaheshin atje.

Slloveni, i cili gjendej së bashku me Karan në një kabinë teleferiku, humbi ekuilibrin e tij. Ai arriti të kapet për shtizat e skive të sportistes turke në përpjekjen e saj për ta parandaluar rënien e tij. Kara më pas e mbajti atë për 15 minuta teksa qëndronte i varur në ajër, ndërsa më në fund, ai u shpëtua nga patrulla e sigurisë.

Kara është nderuar me medalje nga policia në Krvavec për trimërinë e saj. Ajo gjendej në mesin e konkurrentëve në Sllallomin e Madh në Krvavec të mbajtur më 12-13 shkurt.

Duke folur për incidentin, Kara tha se djaloshi slloven u frikësua kur ra nga kabina. “Unë hodha shtizat e mia të skive dhe i hoqa dorezat me gojë. Kur i hoqa, ai thirri dhe bërtiti: ‘Ju lutem, më mbani me të dy duart’”, tha Kara, duke shtuar se ajo e ka mbajtur sllovenin me të dy duart përafërsisht 15 minuta.

Ajo tha se patrullat e sigurisë në pistën e skiimit dhe stafi i resortit arritën në vendin e ngjarjes dhe ajo lëshoi djaloshin që të binte në një rrjetë sigurie të vendosur nga ekipi që arriti në vendin e ngjarjes.

“Unë zbrita për të kontrolluar djalin dhe ata (patrulla dhe personeli) më thanë që ai ishte në gjendje të mirë dhe nuk kishte ndonjë problem”, rrëfeu Kara. Pas rastit, thotë ajo, kanalet sllovene të lajmeve e kanë quajtur heorinë.

“Shefi i policisë dhe oficerët sllovenë më dhanë një medalje mirënjohjeje në aeroport”, tregon Kara. Kara tha se e ndiente si detyrë për ta shpëtuar një jetë dhe se është shumë e lumtur për veprën që e ka bërë./AA

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.