Një vit pa mandat/ Opozita, nga protestat në rrugë dhe bojkoti tek prapaktheu në tryezë

Data 16 shkurt bën plot 1 vit nga vendimi i opozitës jashtëparlamentare për të marrë vendimin ekstrem djegien e mandateve. Por gjatë kësaj periudhe a arriti opozita të marrë atë që kërkoi? Duke parë zhvillimet politike mazhoranca është e bindur zgjedhje të parakohshme nuk ka, ato do të jenë në vitin 2021.

16 Shkurti i vitit 2019 do të mbahet mend shumë gjatë për shqiptarët, pasi opozita parlamentare e dalë nga zgjedhjet e qershorit 2017 mori vendimin për djegien e mandateve. Për herë të parë ndodhi që opozita në një vendim ekstrem të vendosë që të mos marrë më pjesë në atë që ajo e quajti parlament të lidhur me krimin. Do të ishte pikërisht kjo datë që më pas do të sillte dhe protestat përpara kryeministrisë ku kërkesa ishte një, largimi i kryeministrit Edi Rama.

Në total janë 10 protesta kombëtare dhe shumë të tjera në të gjitha rrethet e vendit ku kërkesa ishte e njëjtë largimi i kryeministrit Rama. Faktori ndërkombëtar u pozicionua kundër vendimit të opozitës. Por sot pas një viti ku jemi dhe çfarë arriti të fitojë opozita e bashkuar? Duke parë situatën aktuale opozita përveç se humbi zërin e saj në parlament u zëvendësua nga individë të vendosur nga krerët e partive opozitare të cilët nuk nguruan që të marrin me vrap mandatin e deputetit.

Por përpos djegies së mandateve dhe protestave, opozita e përshkallëzoi vendimin duke mos marrë pjesë në 30 Qershor në zgjedhjet lokale, të cilat u zhvilluan normalisht dhe socialistët morën 61 bashkitë. Po sot ku është opozita jashtëparlamentare? Pranon të ulet në tryezën zgjedhore me atë që ka sulmuar më shumë Damian Gjiknurin, bën propozimet e saj për reformën zgjedhore, por për konsensusin final duhet të pritet 15 Marsi nëse do të arrihet. Opozita kërkon që pas reformës zgjedhore të zhvillohen menjëherë zgjedhjet e parakohshme, parlamentare dhe lokale në një datë, por që të paraprihet me një qeveri teknike.

Shumica i ka cilësuar si politike disa nga kërkesat e opozitës në tryezën e reformës, ndërsa shprehet e bindur se zgjedhjet parlamentare do të jenë në 2021. Por çfarë pritet të ndodhë nëse nuk plotësohen kërkesat e opozitës? Edmond Panariti u shpreh pak ditë më parë në Report Tv se nëse nuk plotësohen kërkesat e opozitës në tryezën e reformës do të kthehen te protestat. Tashmë pritet 16 marsi për të parë se cfarë do të sjellë aksioni opozitar.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.