Ushtria jugosllave furnizonte me armë “tigrat” e Arkanit

Një ish-pjesëtar i njësisë paraushtarake të Zeljko ‘Arkan’ Raznatovic deklaroi gjatë procesit gjyqësor të dy ish-krerëve të sigurimit serb të shtetit se armët e të ashtuquajturve “tigra” vinin nga ushtria popullore jugosllave, dhe jo nga shërbimi sekret.

Jovan Dimitrijeviç, i cili ishte përgjegjës për logjistikën në njësinë paraushtarake të Arkanit, e theksoi gjatë gjyqit të Jovica Stanisic dhe Franko Simatovic në Hagë se armët për aktivitetet e kohës së njësisë u furnizuan nga Ushtria Popullore Jugosllave, dhe jo Shërbimi serb i Sigurimit të Shtetit.

Ai dëshmoi se paratë për luftëtarët e Arkanit vinin më shumë në formë dhurimesh nga kompani serbe dhe individë të pasur sesa nga Sigurimi. Dimitrijeviç gjithashtu insistoi se Arkani nuk ishte takuar kurrë me askënd nga shërbimi sekret.

Stanisic dhe Simatovic, ish-zyrtarë të lartë në Shërbimin e Sigurisë së Shtetit Serb, SDB  akuzohen për pjesëmarrje në nismën e përbashkët kriminale të udhëhequr nga Slobodan Miloseviç për të larguar kroatët dhe boshnjakët nga territore të tëra në Kroaci e Bosnje gjatë luftës, me qëllimin të krijohej atje një shtet serb etnikisht i pastër.

Aktakuza i ngarkon ata me organizimin e formimit të njësive speciale të sigurimit të shtetit dhe forcave të tjera për të luftuar në Kroaci dhe Bosnje në periudhën e viteve 1991 dhe 1995. Sipas aktpadisë, një prej atyre njësive ishte Garda dhe Vullnetare Serbe, e udhëhequr nga Zeljko Raznatovic e që njihej si “Tigrat e Arkanit” .

Dimitrijeviç tha se personi përgjegjës për armatimin e saj ishte gjenerali Tomislav Simovic, i cili ka qenë ministër mbrojtjeje i Serbisë nga korriku deri në dhjetor 1991. Prokurori theksoi se Simoviç u largua nga posti ministror në dhjetor 1991, por Dimitrijeviç argumentoi se kjo nuk bëri asnjë ndryshim.

Arkani u akuzua për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për ish-Jugosllavinë, por nuk doli kurrë në gjyq sepse u qëllua për vdekje në Beograd në vitin 2000. Stanisic dhe Simatovic fillimisht u liruan në vitin 2013, por ky vendim u rrëzua në apel dhe për ta, u urdhërua rigjykimi.

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.