Partitë që identifikohen me një person/ Nga këtu nis cënimi i demokracisë dhe i fjalës së lirë

Nga Edison Balla

Sistemet diktatoriale, siç edhe ne në fakt kemi kaluar në të shkuarën jo të largët kanë në thelb të tyre plotfuqinë dhe superioritetin e një individi të vetëm ose siç njihet ndryshe “kulti i individit”.

Ky koncept është ana e kundërt e demokracisë, ndaj edhe disa vende të europës post-komuniste siç edhe Shqipëria është konsiderohen vende me demokraci të brishtë.

Kjo pra sa për shkak të mungesës së konsolidimit të insitucioneve aq edhe për identifikimin e shtetit me një emër të vetëm.

Kjo ka ndodhur edhe me partitë tona politike. Ato gjithmonë janë identifikuar me një emër të vetëm dhe thuajse kanë ndryshuar gjithmonë filozofinë e tyre sa herë janë ndryshuar kryetarët. Dhe fiks e njëjta gjë ka ndodhur edhe kur ata kanë ardhur në qeveri.

Pra edhe qeverinë e kanë identifikuar me një emër, me atë të kryetarit të partisë dhe tashmë të kryeministrit. E në momentin kur ikën qeveria ikën edhe mënyra sesi ka funksionuar deri në atë moment sistemi qeverisës.

Kjo pra ndodh me shtetet e pakonsoliduara dhe që mbeten larg demokracisë.

Po të shohim me kujdes të dyja partitë kryesore politike në vend ka pasur në fokus të funksionimit tyre “kultin e individit”, dhe janë identifikuar gjithmonë me një person.

Berisha ishte njohur gjithmonë si një lider i fortë ku fjala e tij ishte ligj, dhe madje dukej se kjo u pëlqente demokratëve.

Kur Basha e pasoi atë në detyrë, një nga gjërat për të cilat u kritikua më së shumti ishte pikërisht “butësia” e tij përballë pushtetit, dhe fakti që në protestat e drejtuara prej tij nuk përdorej shumë dhunë.

Ndryshe nga sa bënte edhe vetë Berisha, por Rama në protestën e fundit opozitare në boulevard. Ndaj edhe vetë Basha nisi të ndryshonte strategji dhe të krijonte “markën” e vet.

Madje këtë e bëri duke nisur të ndryshonte edhe logon e partisë dhe për ta identifikuar me kohën dhe veten e vet e quajti “Republika e Re”. Kjo për të krijuar tashmë një mënyrë tjetër të të drejtuarit të partisë.

Të njëjtën gjë kishte bërë edhe Rama më parë, duke e ndryshuar thuajse tërësisht emrin  e partisë dhe duke krijuar markën e vet nën logon e “Rilindjes”.

Lëvizja tjetër e rradhës ishtë largimi i të gjithë figurave qoftë edhe themelues e me kontribut në parti që nuk mendonin si kryetari. Këtë bëri Basha sapo erdhi në krye duke larguar të gjitha figurat e rëndësishme të PD-së dhe duke mbajtur afër vetëm të bindurit e tij.

Njëjtë Rama bëri edhe në PS duke sjellë figura tërësisht të reja dhe të panjohura për elektoratin që tashmë do të ishin edhe këta të bindurit e tij.

Por kjo strategji dhe lëvizje të dy partive të mëdha nuk është e rrezikshme vetëm për ta, por edhe për sistemin politik e qeverisës në tërësi. Duke krijuar pra markën e tyre dhe mënyrën sipas së cilës të gjithë duhet t’i binden kryetarit, atëherë ata të njëjtën gjë do të bëjnë nesër edhe kur të vijnë në pushtet dhe do të krijojnë ndjenjën e frikës dhe armiqësisë me opozitën.

Fakt ky që ka rezultuar i vërtetë dhe që censuron të drejtën e fjalës jo vetëm në parti, por në tërësi në sistem.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.