A mundet Basha të dëgjojë edhe njerëz të panjohur dhe jo vetëm militantë?

Pas gati shtatë vitesh në opozitë, dhe kur perceptimet publike për opozitën janë jo shumë pozitive duhet thënë, lideri i saj Lulzim Basha po rreket tashmë të zhvillojë takime me mbështetësit e Partisë Demokratike.

Pra kjo fushatë le ta quajmë kështu vjen pas një sërë vendimesh, tërheqjesh e lëvizjesh shumë të rrezikshme, për të cilat Basha është akuzuar se i ka marrë pa u konsultuar dhe pyetur askënd.

Largimi nga Partia Demokratike i një sërë figurash me kontribut të hershëm në parti, që u tha se u bë për të reformuar këtë subjekt ishte më shumë një vendimarrje personale sesa grupore dhe partiake.

E këtë në fakt nuk e themi ne, por e kanë thënë në publik shumë mbështetës e simpatizantë të PD-së të cilët e kanë akuzuar kreun e partisë se ka centralizuar vendimarrjen dhe nuk konsultohet me antarësinë.

I këshilluar ose më në fund mbase i “penduar” për vendimarrjet politike të deritanishme që kanë vënë në pikëpyetje jo vetëm qenien e tij si kryetar partie, por edhe atë të lidershipit të partisë, më në fund Basha duket se i është kthyer misionit real që kishte braktisur prej kohës, asaj të takimit me njerëzit dhe mbështetësit e të djathtës.

Ndaj edhe këto ditë lideri i opozitës është shfaqur në foto e video duke takuar njerëz në rrugë, pazare, dhe madje edhe duke u trokitur në shtëpi. E kjo nuk është tashmë një strategji e re e as e panjohur për marketingun në politikë.

Por sot Lulzim Basha në fakt nuk akuzohet se përse del të takojë njerëz, edhe pse këtë po e bën pas 7 vitesh në opozitë, por se pse nuk merr guximin të takojë qytetarë të panjohur dhe jo vetëm militant e mbështetës të partisë.

Kjo mbase ka të bëjë me faktin se njerëzit janë zhgënjyer shumë nga të gjitha lëvizjet e tij të gabuara të bëra deri më tani, nga të gjitha tërheqjet e njëpasnjëshme politike, dhe nga braktisja thuajse e të gjithë kauzave të ndërmarra gjatë kohës si opozitar.

Ndaj edhe ai sot mbase ka frikë të përballet me qytetarët dhe njerëzit e panjohur sepse e di mirë çfarë reagimi mund të marrë.

E për ta shmangur këtë ka zgjedhur të takohet me njerëzit besnikë e të bindur të partisë, sepse e di mirë se ata nuk ja prishin qejfin edhe kur ai ndërmerr veprime të gabuara e në dëm të partisë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.