Vetëvendosja nuk tërhiqet nga reciprociteti, LDK zgjedh heshtjen!

Shtetet e Bashkuara duan heqjen e tarifës 100 për qind mbi mallrat serbe, por në lëvizjen Vetëvendosje thonë se nuk do të ketë zmbrapsje nga zotimi për të vënë masat reciproke ndaj Serbisë. Zyrtari i saj, Rexhep Selimi, i cili është edhe shef i Grupit Parlamentar, tha për Express se nuk do të lëkunden nga pozicioni i tyre.

“Përgjigjja ime është: Plani qeverisës. Përgjigja jonë është plani qeverisës, dhe qëndrimi ynë politik për temën e njëjtë, ai nuk ka ndryshuar sepse nuk ka pse të ndryshojë” , ka thënë Selimi. Zyrtarë të lartë të LDK-së ndërkohë nuk janë përgjigjur rreth deklaratës së dalë një ditë më parë nga zyra e ambasadorit Richard Grenell.

LVV dhe LDK kanë rënë dakord në marrëveshjen e bashkëqeverisjes që taksa ndaj produkteve serbe të zëvendësohet me masa reciprociteti. Madje, kryeministri Kurti ka thënë se nuk do të lërë boshllëk mes taksës dhe reciprocitetit dhe se nuk do ta heqë të parën, pa u vënë në jetë të gjitha masat ndaj Serbisë.

Ndërsa kryetarja e parlamentit Vjosa Osmani, deklaroi përpara pak ditësh se përpara vendosjes së reciprocitetit duhet bëhen studime, për shkak se preken shumë fusha, e jo vetëm ajo ekonomike. Grenell, i cili po merret intensivisht me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës përballë Serbisë, ka shkruar sot në Twitter, se duhet të hiqet menjëherë taksa në mënyrë që të “rrjedhin” investimet.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.