#Po#të#Dëgjoj/ Po qytetarët a duhet ta dëgjojnë më Lulzim Bashën?

Nga Edison Balla

Prej ditësh tashmë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka nisur një fushatë dëgjesash e takimesh me qytetarë të ndryshëm të cilën ai ka vendosur ta quajë “Po të dëgjoj”.

Në kuadër të kësaj fushate, Basha, ka zhvilluar disa takime në Tiranë e jo vetëm me qytetarë të ndryshëm ku madje është shfaqur në foto të ndryshme të shpërndarë nga zyra e shtypit të PD-së, dhe nga faqja e tij në facebook duke ndihmuar zonjat e moshuara duke bërë pazarin e ditës.

Shenjë kjo sipas tij për të qenë më afër realitetit të përditshëm të njerëzve të thjeshtë të Shqipërisë. Takimet e Bashës që e shfaqin atë me qese nëpër duar janë përfolur shumë edhe nga opinioni publik.

Ka njerëz që e kanë marrë seriozisht këtë lëvizje të tijën, siç ka të tjerë që e shohin thjeshtë si mënyrë të “vjetëruar” marketingu e mbushje të axhendës me “aksion opozitar”.

Basha madje përtej edhe takimeve me zonjat që bëjnë pazarin u fokusua që të niste të njëtën fushatë edhe në facebook, duke dashur kështu që të komunikojë e të japë përgjigje të gjithë atyre që donin t’i bënin pyetje.

Mënyrë kjo që tashmë Rama ka vite që e përdor, ndaj me ose pa të drejtë Basha është përfolur se po imiton kryeministrin me këtë strategji.

Por pyetja që shtrohet është: a mos vallë është pak vonë që të dëgjosh qytetarët pas 7 vitesh në opozitë?

E ngremë këtë pyetje sepse jo në pak vendime që ka marrë lideri i opozitës Basha është akuzuar se jo vetëm që nuk është konsultuar me mbështetësit dhe votuesit e PD-së, por as me antarët e partisë.

Kujtojmë këtu dakordësimin e një marrëveshje me Ramën që u njoh edhe si “marrëveshja e 17 majit” që do të sillte edhe daljen nga çadra e opozitës, ku lideri i saj Basha kishte folur për javë të tëra nga aty dhe kishte mbledhur me mijëra demokratë.

Ndaj edhe firmosja e një marrëveshje tërësisht sekrete me Ramën, e bënte liderin e opozitës mjaft të aludueshëm kur vinte puna tek dëgjimi i zërit të qytetarëve.

Gjithashtu edhe dorëzimi i mandateve dhe dalja nga parlamenti u pa më shumë si akt personal i kryetarit sesa një akt i dakordësuar dhe i konsultuar me mbështetësit.

Ndaj edhe kur lideri i opozitës ka marrë të gjithë këto vendime i vetëm pa u konsultuar me qytetarët, atëherë pëse duhet ta dëgjojnë më sot qytetarët Bashën?

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.