Maqedonia e Veriut voton Protokollin për në NATO, 114 deputetë “pro”

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e ratifikoi të martën Protokollin për anëtarësimin në Aleancën Veriatlantike të NATO-s. Pasi ta ketë ratifikuar edhe Spanja këtë protokoll, Maqedonia e Veriut së shpejti do të bëhet vendi i tridhjetë e Aleancës më të fuqishme ushtarake dhe të sigurisë në botë.

Parlamenti në Shkup e ratifikoi njëzëri protokollin. 114 ligjvënës votuan pro në një ceremoni ku ishin të ftuar edhe drejtues politikë të vendit dhe pjesëtarë të parlamenteve të vendeve fqinje – anëtare të NATO-s.

Në seancë folën Presidenti Stevo Pendarovski, Kryeministri i qeverisë teknike Oliver Spasovski, kryetarët e partive shqiptare të cilët janë edhe ligjvënës dhe bashkërendues të partive të tjera të përfaqësuara në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Të gjithë ata theksuan rëndësinë e këtij momenti duke e quajtur historik për vendin dhe për të gjithë qytetarët e tij.

Drejtuesit e pushtetit në Shkup shpejtuan që Protokolli të ratifikohej nga kjo përbërje parlamentare, para shpërndarjes së parlamentit që duhet të ndodhë brenda pak ditësh për t’i lënë hapësirë përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që duhet të mbahen më 12 prill. Maqedonia e Veriut kishte miratuar një deklaratë me synime për anëtarësim në NATO qysh në vitin 1993. Të martën në mënyrë simbolike, para Parlamentit në Shkup u vendos flamuri i NATO-s.

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.