Mashtrimet e Alban Jahos me “Digitalb”, kallëzohet penalisht në Prokurori

Ish-administratori i DigitAlb, Alban Jaho është kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës, për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Kallëzimi, të cilin Gazeta SHQIP e disponon, është bërë nga administratorja e DigitAlb, Vjollca Hoxha, lidhur me shkelet e rënda që Jaho ka kryer në dëm të kompanisë, kryesisht në lidhje me transaksionin e blerjes së SuperSport. Në kallëzim thuhet se Jaho i ka dhënë hua pa interes “Super Sport”. Nga viti 2010-2012 kjo hua është rritur dhe në vitet 2012-2013 balanca e huasë ka mbetur pothuajse e njëjtë.

“Duke marrë në konsideratë se “SuperSport ”është me status pasiv nga 2012 dhe me bilanc negativ, Digitalb duhej të testonte dhe më pas të provigjiononte për borxh të keq huanë e dhënë ndaj “SS”. Duke patur parasysh që në vitin 2013 vlera e huasë është afersisht 237 milionë Lekë, ndikimi në fitim të deklaruar do të ishte i konsiderueshëm, për rrjedhojë do të ulte dhe vlerën e kapitalit neto”

Sipas përllogaritjeve provizore, Alban Jaho ka përvetësuar 430 milionë lekë nga DigitAlb, ndërkohë gjykata ka vendosur pezullimin e 3% të aksioneve që ai kishte në këtë kompani.

Në kallëzimin penal jepen të dhëna të sakta sesi Alban Jaho në bashkëpunim me eksperten kontabël, drejtoreshën e Financave dhe audituesit kanë tjetërsuar pasqyrat financiare të DigitAlb.

“Në të gjitha vitet, në ekzistencen lehtësisht të dukshme të keqraportimve materiale të përhapura dhepërsëritura,në kundërshtim me SNRF dhe standardet ndërkombëtare të auditimit,audituesit e jashtëm kanë dhënë një opinion të pakualifikuar, ndërkohë që pasqyrat financiare nuk jepnin një pamje të drejtë dhe informacion të plotë për përdoruesit/vendimarrësit në Asamblenë e Aksionerëve”, thuhet në Kallëzim.

Pas shkarkimit të Alban Jahos, është ushtruar një kontroll i brendshëm i aktivitetit tregtar të DigitAlb dhe veprimeve që ishin kryer ndërkohë nga administrimi i mëparshëm, me qëllim vijimin e zbatimit të vendimeve të Asamblesë së aksionerëve për mbarëvajtjen e Shoqërisë.

Shkeljet e Alban Jahos, mashtrimi me transaksionin e blerjes së SuperSport

Nga një kontroll paraprak i llogarive, zbatueshmërisë së kontratave, vendimeve të administratorit dhe përputhjen e tyre me realitetin e brendshëm të Shoqërisë është konstatuar se nuk përputheshin të dhënat e raportuara nga administratori Alban Jaho, të cilat tashmë ishin kontabilizuar, me ato që faktikisht ishin evidente. Sipas kallëzimit, shkeljet më të mëdha janë konstatuar kryesisht në lidhje me transaksionin e blerjes se SuperSport.

“Problematikat serioze në lidhje me raportimin e blerjes së kompanisë Super Sport (njohjes fillestare dhe matjes së mëtejshme), të cilat si rezultat i moszbatimit të kërkesave të standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar dhe auditimit, nuk janë as detektuar dhe as parandaluar, përkundrazi dëmi i shkaktuar aksionerëve është zmadhuar si rezultat i vendimmarrjeve të ndërmarra bazuar në pasqyra financiare me keqraportime materiale dhe të përhapura”, thuhet në kallëzim.

Më tej thuhet se “Ekzistenca e keqraportimeve materiale, në dijeni dhe mosveprim në kushtet e konfliktit të dokumentuar të interesit, për transaksione qartësisht më palë të lidhura, ndikuar nga impakti që këto keqraportime nëse do rregulloheshin do kishin në dhënien e dividentit edhe për vetë drejtimin, ka dëmtuar rëndë interesat e shoqërisë dhe aksionerëve të saj, jo vetëm si rrjedhojë e vendimeve të ndërmarra bazuar në këto keqraportime por edhe në vijim si rezultat i akumulimit të vlerave të këqraportuara ndërvite, të cilat do të ndikojnë në pozicionin financiar të shoqërisë dhe aksionerëve të saj”.

Në kallëzimin penal ndaj Alban Jahos, pas eskpertizës së brendshme të DigitAlb, konstatohen 28 shkelje të rënda, të cilat ngarkojnë me përgjegjësi direkte Alban Jahon.

Veprimet dhe mosveprimet në lidhje me transaksionet ndërmjet “Super Sport” dhe DigitAlb dhe shkeljet materiale në raportimin e tyre, të vlerësuara jo vetëm individualisht por edhe në tërësi gjatë viteve, tregojnë qartë implikimet e rënda të atyre që duhet të siguronin pastërtinë e aspekteve financiare.

Disa nga shkeljet

-Në vitin 2010, kur DigitAlb ka blerë “SuperSport”, duhet të paraqiste në shënimet e saj shpjeguese transaksionin e blerjes dhe transkasionet që DigitAlb ka patur me SuperSport gjatë vitit 2010. Në vitin 2010 Shoqëria nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me palët e lidhura, si rrjedhojë as transaksionin e bërë me “SS”.

-Shoqëria ka një hua nga Union Bank që është dhe palë e lidhur dhe në asnjë vit nuk ka paraqitur shumën e interesit të paguar për këtë hua.

-Bazuar në Pasqyrën Financiare të viteve 2010-2012, DigitAlb i ka dhënë hua pa interes “Super Sport”. Nga viti 2010-2012 kjo hua është rritur dhe në vitet 2012-2013 balanca e huasë ka mbetur pothuajse e njëjtë. “Duke marrë në konsideratë se “SuperSport ”është me status pasiv nga 2012 dhe me bilanc negativ, Digitalb duhej të testonte dhe më pas të provigjiononte për borxh të keq huanë e dhënë ndaj “SS”. Duke patur parasysh që në vitin 2013 vlera e huasë është afersisht 237 milionë Lekë, ndikimi në fitim të deklaruar do të ishte i konsiderueshëm, për rrjedhojë do të ulte dhe vlerën e kapitalit neto”, thuhet në kallëzim.

-Duke qenë se DGA ka blerë 100% aksionet e “SS” duke mos konsideruar fare materialitetin për nga ana e madhësisë, ky transaksion është material për nga natyra e tij. Duke filluar nga viti 2013 dhe deri në vitin 2018, DGA e ka paraqitur Emrin e Mirë bashkë me aktive të tjera jo materiale (jo një zë me vete). Bazuar tek SNK 1, kur një zëështë material duhet të paraqitet veçmas nga zërat e tjerë materialë, pra Emri i Mirë duhet të paraqitej zë më vete në pasqyrën e pozicionit financiar.

-Në PF të vitit 2010, 2011, 2012 nuk janë paraqitur politikat kontabël për njohjen fillestare dhe matjen e mëtejshme të investimeve financiare dhe provizionimit për borxhin e keq në lidhje me transaksionin me “SuperSport”.

Nga veprimet dhe mosveprimet, Alban Jaho bashke me të kallëzuarit që kishin detyrimin që të kontrollonin dhe zbatonin politikat tregtare të Shoqërisë, kanë bërë të kundërtën duke i shkaktuar Shoqërisë dëme financiare kolosale.

Në kallëzim thuhet se Alban Jaho, i cili ka qenë administratori i shoqërisë “DIGIT-ALB”, për vitet ushtrimore 2010 – 2018 në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi të sipërcituara dhe specifikisht nga momenti i transaksionit në blerjen e “SuperSport”, pasi kishte përgjegjësi direkte administrimin e Shoqërisë, do të duhet të kërkonte që drejtimi i shoqërisë“DIGIT-ALB” sha të thërriste mbledhjen e Asamblesë të përgjithshme të aksionerëve me qëllim  për të shqyrtuar nëse shoqëria duhej të prishej ose për marrjen e masave të tjera të nevojshme e të përshtatshme, pra për të rritur kapitalin themeltar të shoqërisë së paku në kufijte që parashikonte ligji.

Veprimet e ish -Administratorit Jaho janë plotësisht të provuara si të qëllimshme, në keqbesim dhe të atilla që kanë sjellë për Shoqërinë pasoja të çrregullimit kontabël duke mos aplikuar standartet dhe parimet e konsolidimit tregtar të nje subjekti tregtar e më tej pasojat e rënda në aspektin financiar.

“Për të gjithë të kallzuarit rezulton e dukshme dhe e provuar që të jenë shkelur me dashje në mënyrë vazhduese e ligjit, e Standardeve Kombëtare të Kontabilitetit e”Standardeve Kontabël Ndërkombëtare (SKN) dhe e “Standardeteve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF)”, thuhet në konkluzionet e kallëzimit penal.

©Copyright Gazeta SHQIP

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.