Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

A do të ketë Drejtësi, pas vettingut të prokurorëve dhe gjyqtarëve?!

Që prej vitit 2016, në Shqipëri më shumë se çdo proces tjetër reformues flitej dhe pritej Reforma në Drejtësi. Për këtë proces pati aq shumë debate. Gjithsesi më në fund u votua me apo pa presion të jashtëm, me apo pa dëshirë, me apo pa dashje, me apo pa menduar qëllimin final të saj.

Dhe mbi të gjitha Reforma në Drejtësi pati aq shumë investim amerikan sa vijon ende dhe nuk dihet se kur mund të jetë fundi. Mjaft të përmendet roli i ish-ambasadorit Donald Lu që foli për "peshq të vegjël e të mëdhenj", për gjyqtarë të korruptuar dhe duke u përmendur edhe orët e dorës apo makinat e shtrenjta.

Ish-diplomati amerikan krejt ndryshe nga ne shqiptarët, që e themi nën zë, mes njëri-tjetrit, apo në disa raste në mungesë të provave edhe zgjedhim heshtjen, qartësisht u shpreh në atë kohë për një drejtësi të korruptuar dhe gjyqtarë që nuk meritojnë të jenë pjesë e sistemit.

Dhe këtë e tha përpara vetë gjykatësve; atyre që kanë shitur disa herë prona, kanë nxjerrë nga burgu sa e sa të inkriminuar, e janë pasuruar aq shpejt, sa kolegët e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo në Europë i kanë "ëndrra në sirtar" pasuritë e gjyqtarëve shqiptarë.

Dhe deklarata e atëhershme e Donal Lu ishte se ka prokurorë e gjykatës që janë aq të korruptuar, sa përbëjnë shumicën e këtij pushteti. Shpesh deklaratat e ambasadorit Donald Lu na vunë në mendime, sa thamë se jo duhet shpejtuar, por vrapuar për ta nisur zbatimin e Reformës në Drejtësi, duke besuar se së paku do të ketë "ditë të bardha" dhe për shqiptarët.

Në mes të gjyqtarëve, Lu lëshoi një tjetër thirrje, për të lënë detyrën ata gjyqtarë, apo prokurorë të korruptuar. Ishte lutje, kërcënim, apo paralajmërim për të përfunduar në burg, kjo mbetet për t?u parë se ç?do të ndodhë, pasi të paktën të nisë normalishisht puna e SPAK dhe BKH.

Ajo që bie në sy ka të bëjë me faktin se asnjë nga gjykatësit, apo prokurorët nuk e quan veten të korruptuar. Edhe nëse në ndonjë rast janë kapur gafil për të folur për mediat, përgjigjja është në "majë të gjuhës". "Kemi zbatuar vetëm ligjin" dhe betohen e stërbetohen pa fund për këtë.

Në një sistem drejtësie të sëmurë dhe të korruptuar, shteti bëhet kancerogjen, kur nuk është në gjendje të kurojë drejtësinë.  Shteti në këto raste ngjan me "vjetërsinë", që përditë shkon drejt humbjes së lidhjeve me qytetarët e tij, drejt një fundi i cili nuk lë të ardhme për shoqërinë dhe gjeneratat e mëvonshme.

Nuk ka shkencë e zhvillim; nuk ka perspektivë dhe kulturë; nuk ka histori, ka vetëm varfëri të maskuar nën gjuhën e politikanëve të korruptuar që sundojnë dhe nënshtrojnë edhe makinën e drejtësisë.

Ngjan sikur ka liri, por nuk është liria e vërtetë demokratike. Kur makina e shtetit është e sëmurë, mekanizmat e tij nuk janë më në gjendje të drejtojnë, dhe të veprojnë, pasi drejtësia nuk e ndëshkon krimin. Ajo nuk e ndëshkon atë që gabon sepse ka pushtet ekonomik, apo udhëheqësin partiak etj. Kështu mbyllen dosjet që flenë në arkivat e tyre, duke lënë pa hetuar sa e sa krime, ose në rast të ca procedurave standard të ligjit, hetimet shkojnë sipas qejfit.

Ndaj, koha kërkon rinovim, çlirim nga ankthi që rrezikon në fund perspektivën dhe deri sovranitetin e vendit. Kur prevalenca e korrupsionit bëhet refren i vërtetë i jetës politike dhe i organizmave të shtetit, është bërë një lloj "kushtetute" e jetës morale e materiale, mbi bazën e së cilës drejtohet, organizohet e jeton një shoqëri e tillë, jeta e njerëzve shantazhohet nga politika dhe nga padrejtësia, nga pasiguria, nga krimi i organizuar, nga mafia, nga papunësia, nga mungesa e meritokracisë dhe e profesionalizmit.

Drejtësia e pavarur është një dukuri e panjohur në Shqipëri. Shqiptarët ende nuk e kanë shijuar mbrojtjen që të jep një pushtet i pavarur drejtësie. Në 30 vjet, sistemi i drejtësisë nga armë për të luftuar korrupsionin është bërë pjesë e problemit, që ka mbytur shtetin, domethënë, qytetarët.

Politikanët dhe qeveritarët, duke hartuar ligje që i lejojnë të kenë një pushtet të madh mbi emërimet në prokurori dhe gjyqësor, janë shndërruar tutorë të drejtësisë. Deri tani, karriera e gjykatësit apo prokurorit nuk varej nga sa i shërben drejtësisë, por nga sa i shërben partisë që e ka promovuar. Por, ja e miratuam reformën në Drejtësi, edhe me votat e opozitës që u përfshi në proces, po drejtësi a do kemi vallë?!

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore