“Tërhiqet” Franca/ KE për zgjerimin, Shqipëria përfiton për negociatat

Komisioni Europian prezanton të mërkurën në Bruksel planin e ri për metodologjinë e zgjerimit të Bashkimit Europian. Në dokumentin që do të bëhet publik nga Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, thuhet se pavarësisht se BE mbetet e përkushtuar për të pranuar në gjirin e saj shtetet e Ballkanit Perëndimor, i gjithë procesi i efektivitetit të negociatave duhet të përmirësohet më tej.

“Pavarësisht reformave të suksesshme, si qasja e re ndaj sundimit të ligjit, përqendrimi te elementët themelor dhe përmirësimet e pranuara në dokumentin e Komisionit Europian mbi strategjinë e Ballkanit Perëndimor, procesi duhet të jetë i pajisur më mirë për të përballuar dobësitë strukturore të vendeve, veçanërisht në elementët themelorë, si drejtësia dhe të drejtat bazike, liria dhe siguria, ekonomia, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike, statistikat dhe kontrolli financiar”, thuhet në dokumentin që do të prezantohet këtë të mërkurë.

Propozimi përfshin mundësinë e ndërprerjes së procesit të bisedimeve dhe kërkohet që masat ndëshkuese në rast se procesi i reformave nuk ecën përpara, ose bën hapa pas, të jenë të forta dhe proporcionale me ecurinë e shteteve kandidate.

Komisioni Europian shtyhet të përcaktojë qartë kushtet për vendet kandidate në progres-raportin vjetor. Këto kushte kërkohet të jenë të qarta, objektive, të detajuara, strikte dhe të verifikueshme.

Plani i ri kërkon organizimin më të shpeshtë të samiteve mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, takime më të shpeshta në nivel ministror, por edhe mundësi që shtetet kandidate të marrin pjesë si vëzhgues në takime kyçe të Bashkimit Europian.

Shtetet anëtare do të ftohen të kontribuojnë më sistematikisht në proces, duke dërguar ekspertët e tyre në terren për ta monitoruar atë, por edhe duke kontribuar në progres-raportin vjetor.

Plani i ri ishte një ide e Francës, e cila në samitin e tetorit 2019 nuk ishte dakord që të nisnin bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pa ndryshuar më parë metodologjinë e bisedimeve.

Megjithatë, në mediat ndërkombëtare raportohet se ministrja franceze për Europën Amelie de Montalchin, saktësoi se drita jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk do të varet vetëm nga plani reformues, por do të ndikohet edhe nga progresi në të dyja vendet dhe reformat e zbatuara.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.