“Jam i sëmurë…”, anëtari i Kolegjit Zgjedhor “zhduket” nga frika e vettingut (EMRI)

Gjyqtari i Apelit në Gjirokastër Tomor Skreli, i cili është në të njëjtën kohë edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor, ka paraqitur dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor që datën 10 dhjetor 2019. Shqiptarja.com është informuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor se Skreli e ka dhënë dorëheqjen nga funksioni i gjyqtarit për arsye shëndetësore.

Nga verifikimet rezulton se për gjyqtarin e Skreli procesi i verifikimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shkalla e parë e Vetingut, për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale, kishte nisur që në mars të vitit 2019.

Megjithatë, pavarësisht dorëheqjes, anëtari i Kolegjit Zgjedhor është thirrur në datën 3 shkurt 2020, për t’u paraqitur në seancë dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, për t’u njohur me rezultatet e verifikimit.

Trupa gjykyese pranë Komisionit të Vetingut që po shqyrton dosjen e gjyqtarit përbëhet nga Xhensila Pine, Brunilda Bekteshi dhe Suela Zhegu. Koha e caktimit të seancës dëgjinore tregon se gjyqtari mund të jetë informuar paraprakisht për gjetjet e trupit gjykues para se të jepte dorëheqjen.

Ndërkaq, mbetet për t’u parë nëse gjyqtari është penduar dhe tërhequr nga dorëheqja apo ka mungesë kordinimi mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për çështjen në fjalë, pasi kur subjekti jep dorëheqjen nga drejtësia, Vetingu ndërpritet.

Deri në vitin 2008, Skreli ka mbajtur pozicionin e kryetarit të Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës. Si anëtar i Kolegjit Zgjedhor Skreli ka qenë pjesë e trupës gjykuese e cila rrëzoi Presidentin Ilir Meta, duke legjitimuar zgjedhjet e 30 qershorit.

Vendimarrja u konfirmua më pas si e drejtë nga Komisioni i Venecias dhe së fundmi nga Gjykata Kushtetuese. Një vit më parë, banesa e gjyqtarit të Gjirokestrës ishte në shenjestrën e tre grabitëse, por që të tre u prangosën nga policia para se të kryenin vjedhje.

Gjatë dy viteve të fundit, periudhë e cila përkon me zbatimin dhe veprimit e ligjit të Vetingut, tetë gjyqtarë janë vetëlarguar nga sistemi i drejtësisë për arsye shëndetësore, duke evituar kësisoj përballjen me Vetingun, ndërsa dy të tjerë janë ‘sëmurë’ gjatë procesit të njohjes me rezultatet e kontrollit të tyre për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.