Vrasjet makabër me autorë të sëmurët mendorë në Shqipëri, të gjithë përdorin sëpata (RASTET)

Një person me probleme të shëndetit mendor kreu pasditen e sotme në Korçë, një ndër krimet më të rënda, që të paktën në këtë qytet nuk kanë ndodhur as në kohën kur shteti ishte thuajse i shkatërruar. Kjo ngjarje riktheu në vëmendje një problematikë, që lidhet me të sëmurët mendorë dhe pamundësia e tyre për t’u kuruar. Por krimet nga dora e tyre janë ndër më të rëndat në historinë e Shqipërisë dhe shpesh ua kalojnë edhe ngjarjeje tejet dramatike siç ishin ato të vitit 1997.

Ky rast nuk është i vetmi rast që ngre alarmin se çfarë duhet të bëhet me personat me probleme mendore e si duhet të trajtohen, pasi janë kthyer në një rrezik të përhershëm për shoqërinë.

Duket se edhe zgjidhjet që i janë dhënë herë pas here gjatë viteve nuk kanë funksionuar duke parë këtu edhe statistikat e frikshme të ketyre vrasjeve në të paktën 10 vitet e fundit.

Ja disa nga rastet më të rënda të krimeve që janë kryer nga të sëmurët mendorë.

Gusht 2016/ Një i sëmurë mendor në Palasë të Vlorës vrau një 12-vjeçar. Autori Jorgo Zani, që tashmë nuk jeton më, pasi u vetëvra në burgun e Fushë Krujës rezulton se ka qenë i shtruar disa herë në psikiatrinë e Vlorës. 30 vjeçari në të gjithë procesin ka pohuar në atë kohë se e vrau fëmijën, se e kishte mërzitur. Mënyra e ekzekutimit të fëmijës ishte e tmerrshme me prerje koke me sëpatë.

Tetor 2007/ Në Dibër më 23 tetor 2007, 19-vjeçari, Shpëtim Ziza vret dhe përçundon 10-vjeçarin nga Peshkopia, Bekim Cenga. Trupi pajetë i 10­vjeçarit Cenga u gjet në një përrua afër fshatit Tomin të rrethit të Dibrës, 7 km larg Peshkopisë, 5 ditë pas zhdukjes më 23 tetor 2007. Një ngjarje që tronditi mbarë opinion publik.

Berat, 2011/ Në vitin 2011 në Berat një 10-vjeçar u vra, pasi u godit me sende të forta nga një sëmurë mendor. Ngjarja ndodhi në fshatin Donfros të Beratit dhe autori Hysen Senka rezultonte me kartelë mjekësore.

Durrës, 2013/ 8 prill 2013, një 51-vjeçar me probleme mendore vret nënën e tij, e vetmja që kujdesej për të. Krimi i rëndë brenda familjes ndodhi në fshatin Kullë të Durrësit pas një debati për motive të dobëta. Djali e goditi nënën e tij, me drutë që përdorte për ngrohje, derisa i ka shkaktuar vdekjen.

Vlorë 2013/ Në Dukat të Vlorës, në 14 gusht 2013 një bari, vret një person dhe plagos një tjetër. Xhezar Hysa, 45 vjeç nga Mollasi i Elbasani, u deklarua nga policia si person me probleme mendore, i cili kishte marrë trajtim në spital, por ishte lënë më pas i lirë. Vrau Shedat Vangjelin 62 vjeç, si dhe plagosi Bexhet Bodaj 59 vjeç.

Laç 2014/ Një i sëmurë mendor terrorizoi Laçin, duke vrarë dy vëllezër brenda në një lokal dhe pasi del jashtë qëllon sërish në mënyrë pakontrolluar duke plagosur dy kalimtarë të rastit. Viktimë mbetën vëllezërit Andrea Cara dhe Endri Cara. Altin Piroli, rezultonte sipas policisë së qarkut të Lezhës person me probleme mendore.

Lezhë 2015/ I sëmuri mendor vret efektivin e FNSH-së Simon Gjeta. Ruzhdi Aishta ekzekutoi efektivin e FNSH-së me detyrë komandant grupi, i cili së bashku me një grup forcash speciale kishte shkuar të kryente arrestimin e tij.

Tiranë 2015/  Një 46-vjeçar me të meta mendore, vrau me kazmë babanë e tij 82 vjeç, me të cilin banonte në një shtëpi private në Kinostudio. Policia e Tiranës arrestoi autorin e vrasjes, Simon Prifti, 46 vjeç. Babai i tij, Piro Prifti kishte denoncuar herë pas here dhunën e ushtruar nga i biri, por nisur nga gjendja e tij mendore, nuk ishte marrë ndonjë masë.

Durrës 2016/ Arben kabashi, i sëmurë mendor, dhe i cili rezultoi me kartelë mjekësore në spitalin psikiatrik të Elbasanit pasi vuante nga skizofrenia, mori peng kushërirën e tij të mitur vetëm 11-vjeç duke kërcënuar se do ta vriste me thikë. Fatmirësisht në këtë rast policia mundi të ndërhyjë në kohë, duke neutralizuar 46-vjeçarin.

Shtator 2019/ Ndonëse tentoi të arratisej, Arjan Shahaj u arrestuar 3 orë pas krimit nga policia. Shpejt u kuptua se autori ishte me probleme mendore dhe se ka qenë më parë i dënuar me 12 vite për vrasje. Ai qëlloi për vdekje babain e tij 77 vjeçar me sëpatë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.