Strehë mafiozësh/ Vrasës italianë dhe francezë fshihen në Shqipëri

Pak ditë më parë, Policia shqiptare arrestoi një vrasës francez, të akuzuar dhe dënuar nga Gjykata e Nantes në Francë. Ai pas krimit kishte udhëtuar me tranzit Italinë dhe me destinacion final Shqipërinë. Pikërisht në një banesë në rrugën e Barrikadave kishte marrë një banesë me qira dhe jetonte aty pa i hyrë “gjemb në këmbë”.

Por, informacionet e autoriteteve franceze vunë në lëvizje agjentët shqiptarë të antikrimit, të cilët në rrugë operative mësuan vendndodhjen e tij dhe bënë të mundur arrestimin.

Në njoftimin e saj zyrtar për këtë rast, Policia thotë se personi për të cilin jep vetëm inicialet T.Q. është person me rrezikshmëri të lartë dhe se akuzohet për vrasje , grup i strukturuar kriminal dhe armëmbajtja pa leje. Sipas ligjit francez maksimalisht këeto vepra penale janë të dënueshme me”Burgim i përjetshëm”.

Ky shtetas, dyshohet se në Nantes, Francë ka vrarë me pistoletë një shtetas dhe më pas është larguar në drejtim të Shqipërisë, ku ka hyrë me dokumentacion të rregullt para se të shpallej në kërkim ndërkombëtar.

Por, francezi i arrestuar tashmë dhe për të cilin po përgatiten shkresat për ekstradimin në Francë nuk është as i pari dhe ndoshta as i fundit që ka zgjedhur të strehohet në Shqipëri.

Pak kohë para se të dënohej në Itali për lidhje me organizatën mafioze “Ndrangheta”, Amedeo Matacena, një ish-deputet i partisë së Silvio Berlusconit i hodhi sytë drejt Shqipërisë për të investuar miliona euro në projekte biznesi.

Bëhet fjalë për korrikun e vitit 2014, kur drejtoria e Hetimeve të Antimafias në Itali, DIA zbuloi në paradhomën e Matacenas projekte mbi një linjë hidrocentralesh të vogla në Gomsiqe të Pukës, për të cilat ish-politikani kontrovers kishte shfaqur interes që prej fillimit të vitit 2012.

Projektet u zbuluan në kuadër të një hetimi që Antimafia po kryente ndaj ish-ministrit Claudio Skajola dhe bashkëshortes së Matacenës, Chiara Rizzo. Kjo e fundit e akuzuar edhe se po shtynte përpara projektet e të shoqit, në përpjekje për të fshehur dhe pastruar pasuritë që rrezikonin të sekuestroheshin.

Një prej këtyre investimeve ishte tentativa e parealizuar për të blerë prej koncesionarit shqiptar rreth 79 për qind të aksioneve të një linje hidrocentralesh të vogla që do prodhonin 20 MË energji, në Gomsiqe të Pukës.

“Rizzo dhe Matacena po çonin përpara një projekt për një hidrocentral në Shqipëri”, dëshmoi sekretarja e Matacenas për DIA, sipas hetimit të publikuar nga Corriere Della Calabria.

Plani i Matacenës për investime në projekte energjetike nuk është i vetmi rast ku bashkëpunëtorë apo segmente të mafias italiane e projektojnë Shqipërinë si një “lavatriçe” të parave të tyre të pista.

Të paktën në 5 raste, autoritetet shqiptare kanë bërë arrestime apo sekuestrime për llogari të kolegëve italianë, duke goditur anëtarë të Sacra Corona Unitas dhe “Ndranghetas” dhe bllokuar pasuri të tyre, të investuara në Shqipëri.

Gjurmët e këtij fenomeni shtrihen thellë në kohë, prej vitit 1998, kur një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit vinte në dukje se prokurorët shqiptarë ishin asokohe të shqetësuar për aktivitetin e bosëve të mafias italiane, të përfshirë në trafiqe në Shqipëri.

Një dekadë më pas, Shërbimi Informativ Shtetëror raportonte se mafia italiane “kishte shenjëstruar kumarin, bastet, kazinotë…”.  Interesi i mafias italiane për vendin e vogël përtej detit Adriatik u zgjua një dekadë pas njohjes dhe lidhjes së pakteve me grupet shqiptare që emigruan drejt Italisë në fillim të viteve ’90.

Sot-shërbimi italian i Antidrogës vlerëson se shqiptarët kontrollojnë një pjesë të majme të tortës së trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.  “Grupet kriminale shqiptare dhe “Ndrangheta” gjenden bashkë thuajse në çdo operacion të madh të trafikimit të narkotikëve,” thotë raporti i antidrogës italiane.

Suksesi i grupeve kriminale shqiptare-sipas Antidrogës italiane qëndron tek fleksibiliteti dhe aftësia e tyre për t’u infiltruar mes grupeve të tjera ndërkombëtare me peshë në trafikun e narkotikëve. Sipas tyre, shqiptarët janë sot për sot të vetmit që marrin përsipër operacione të ndërlikuara të shkarkimit të drogës nga kontenierët në portet e Europës së Veriut ku grupet mafioze nuk janë kaq të sofistikuara.

Megjithatë, krimi i organizuar shqiptar nuk ka pasur të njëjtin reputacion dy dekada më parë në Itali, kohë që shënon edhe tranzicionin e tyre nga shfrytëzimi i prostitucionit në trafikun e lëndëve narkotike.

Ndryshe nga Italia ku shqiptarët kanë lidhje të ngushta me “Ndragheta-n”, në Shqipëri grupi mafioz me prezencë më të madhe është Sacra Corona Unita (SCU), e njohur ndryshe edhe si mafia puljeze.

Rasti i parë i regjistruar i këtij aktiviteti është arrestimi në korrik të 1998 i Xhuzepe Muolos (Giuseppe Muolo), i njohur si “Pinuçio” dhe i dënuar si anëtar i Sacra Corona Unitas, mafia Puljeze, i cili ishte fshehur në Tiranë.

Muolo u ekstradua pak muaj më vonë drejt Italisë, por prania e tij u dha një provë të re dyshimeve të prokurorëve shqiptarë dhe agjentëve të SHISH për shënjestrimin e Shqipërisë nga bosët e mafias italiane.

Të vendosura gjeografikisht përballë Shqipërisë, grupet kriminale puljeze, kanë sipas autoriteteve italiane edhe lidhjet më të forta me grupet e krimit nga Shqipëria.

Pas arrestimit të Muolos, policia shqiptare arrestoi në vitin 2002 tre anëtarë të tjerë të SCU, Donato di Tano, Francesko Sabatelli e Mimi Vinci. Të tre u arrestuan për trafik të narkotikëve, së bashku me disa bashkëpunëtorë shqiptarë në një lokal pranë plazhit në Durrës. Di Tano e kishte zhvendosur aty aktivitetin e tij të trafikut të drogës. Në lokalin e tij u kapën më shumë se 7 kg heroinë, ndërsa ai më vonë u bë i penduar i drejtësisë italiane.

Tetë vjetë më vonë, në shtator të 2010-s Shqipëria arrestoi Albino Prudentinon, sërish shef i Sacra Corona Unitas dhe vuri në sekuestro tre biznese të tij, të lidhura kryesisht me bastet dhe kazinotë. Gjykata për Krimet e Rënda vendosi më pas konfiskimin e pjesëve të Prudentinos në dy kazino, një kompani të basteve sportive dhe rreth 31 milionë lekë kapital të zhvendosur në Shqipëri. Ortaku i tij në biznes ishte një shqiptar i lidhur ngushtë me politikën e qendrës së djathtë, asokohe në pushtet.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.