Dosja nga Franca/ “Escobari” i Evropës, detaji që nuk e shpëtoi nga prangat e Shqipërisë

Gjykata franceze vendos në dispozicion vendimin për shpalljen në kërkim të Faruk Baybesin, të cilin drejtësia atje pret që Shqipëria t’ia dorëzojë si rrjedhim i kërkesës për ekstradim.

I dënuar me 30 vite burgim, ndaj Baybesin, sipas vendimit të gjykatës franceze të dorëzuar gazetës “Si”, thuhet se urdhri i gjykatës mban datën 13 janar 1998 dhe që atëherë nuk është bërë e mundur që të ekzekutohet. I konsideruar si anëtari i familjes Baybesin, një nga më shqetësueset në Europë për trafikun e heroinës që prej vitit 1990, Faruk u arrestua në kryeqytetin shqiptar.

Arratia e tij zgjati për dekada të tëra, ndërkohë që nga vendimi ekspozohen edhe emra të tjerë që ishin pjesë e rrjetit të narkotrafikantëve të pagëzuar prej vitesh të tëra si Eskobarët e Europës. Vendimi i përket Gjykatës së Nantës dhe në këto akte në gjuhën franceze grupi konsiderohet si një organizatë me koordinim të përsosur në fushën e krimit, ku bien në sy emra që më pas gjatë më shumë se dy dekada kanë qenë mjaft publikë në mediat europiane sa u takon çështjeve të narkotrafikut.

Eskobarët kuptohet nga aktet e gjykatës që funksiononin më së miri për të rekrutuar transportuesit e heroinës dhe nga ana tjetër edhe të milionave që fitoheshin nga shitja e drogës së fortë, apo edhe pastrimi i tyre, duke i depozituar si të ardhura të të dashurave.

Në një nga këto fragmente dëshmitarët që hapën gojën dhe treguan shefat e mëdhenj, janë joshur për shpenzimet dhe makinat, ndërsa takonin njerëz shumë afër Hysein Baybesin, të cilët ishin caktuar të mbulonin çështjet e heroinës, njëri në Turqi, siç është Faruk Baybesin dhe i atij i tij në Madrid. Në dosje Faruk Baybesin përmendet si djali i kreut të një grupi kurd me shkurtimet P.K.K, që të në të vërtetë nuk është gjë tjetër veçse, një grup militant kurd dhe i shpallur si terrorist. Ky grup njihet me emrin Kurdistan Ëorkers Party.

Megjithatë edhe pse Mahmut Baybasin, babai i Faruk përmendet si një nga shefat e organizatës P.K.K (referuar dëshmisë së Sirin), drejtësia franceze vërtetoi ndaj tij vetëm përfshirjen në trafik ndërkombëtar të heroinës. Ndërkohë që i ati përfundoi në burg dhe vuajti heqjen e lirisë, Faruk gjatë shumë viteve i fshehur, për shkaqe që nuk i shpjegon askush, ai zgjodhi Shqipërinë për të vazhduar arratisjen e tij.

Disa burime policore besojnë që Faruk Baybesin do pritej në Tiranë nga disa personazhe që veprojnë në fushën e narkotrafikut, dhe që janë të maskuar pas biznesve në dukje të ligjshme. Por këto të dhëna janë vetëm operative dhe të pavërtetuara nga policia shqiptare, e cila po shënon shifra të ulëta në goditjen e trafikut të heroinës dhe kokainës, ndonëse të dhënat janë shqetësuese.

Duke konsideruar veprimet proceduriale prokuroria franceze përmend si vijon: “Më 20 dhjetor 1995 shërbimet doganore greke arrestuan në kufirin greko-turk Hundi Mehmet dhe Loutier Karine, që të dy banues në Nantes. Ata po transportonin me automjetin e tyre 43 kilogramë heroinë që vinte nga Turqia.

Hetimet e kryera në Nantes, bisedat telefonike ndërmjet Hundi dhe motrës së tij dhe të babait të Karine Loutier krijuan idenë për kryerjen e trafikut me shtrirje ndërkombëtare. Nantes mendohej si një nga vendet ku po ndodhte organizimi. Hetimet nxjerrin në pah Joseph Sirrin dhe Jerome Sarrasin, për realizimin e këtij trafiku”.

Për këto hetime prokuroria tregon se përmes një letërporosie në funksion të hetimeve të Francës është marrë në pyetje Karine Loutier, e cila këmbëngul se nuk dinte asgjë në lidhje me heroinën. “Kam shoqëruar mikun tim Mehmet Hundi në Turqi, pasi kishim planifikuar të fejoheshim dhe aty kam njohur Joseph Sirrin në hotelin Tashan në Stamboll ku qëndronte edhe Mehmeti, i prezantuar si një mik”. Hundi i kishte thënë që Sirrin i kishte paguar makinën, shpenzimet e udhëtimit dhe hotelin.

Nga ana e tij, Mehmet Hundi pranoi se Sarrasin dhe Sirin e kishin rekrutuar për të realizuar një udhëtim me tetë kilogramë heroinë për në Spanjë. Prokuroria përmend se makina Clio si dhe të gjitha shpenzimet për hotelin i ishin ofruar.

Në akte thuhet se vajza e re ka qenë çelësi kryesor për këto hetime, pasi ajo ka pranuar më pas që kishte dijeni prej një viti për “përdorjen si transportues heroine të mikut të saj” edhe në Spanjë, dhe që sipas saj ajo kishte takuar edhe një person që e thërrisnin Tony. Por, ai më pas ishte arratisur për shkak të një vrasjeje të kryer atje. Gruaja ka pohuar emra të tjerë si Baulent që gjithashtu kishte kryer udhëtime heroine. Sipas dëshmitares, për një udhëtim kontrabandisti do paguhej 100 mijë franga, ndërsa Sirin dyfishin.

Në akte përmenden edhe shuma të depozituara në llogaritë e Jocelyne M, e cila deklaron: “Jam e vetdijshme që shumat e derdhura në bankë nga Sirin prej 144 mijë franga vijnë nga trafiku i drogës, pasi shoku im nuk ka të ardhura të rregullta”.

Pikërisht nga aktet kuptohet se në një hetim të duruar drejtësia franceze ka kthyer në krahun e saj edhe trafikantin Sirin, i cili është zbërthyer dhe tregon urdhëruesit dhe rekrutuesit.

Sirisin: Jam rekrutuar në vitin 1993 nga Mehmet Kazim me nofkën Tony (hetimet treguan që ky person është Mehmet Irmak) dhe që është ortak me Mehmet Ipek që qëndron në Spanjë. Për këtë organizatë kreva një udhëtim me 17 kg heroinë dhe drejtova një udhëtim të dytë nga Turqia në Spanjë të kryer nga Jerome Sarasin me 8 kilogramë.

Në akte theksohet se Sirin ka shkuar në Turqi me të dashurën e tij, dhe meqë droga nuk ishte gati ai ishte kthyer duarbosh. Duke qenë se nuk i ka marrë, ndërkohë 350 mijë frangat e premtuara prej të cilave, 100 mijë franga i përkisnin shoferit dhe 60 mijë franga ishin shpenzimet e operacionit, Sirin vendos të lidhet me një organizatë kurde.

Dosja përmend: Me të njëjtin parim dërgimin e heroinës nga Turqia në Spanjë që drejtohej nga Hysein Baybesin. Në fakt, ky i fundit është një nga njerëzit më të lakuar sa u takon çështjeve të narkotrafikut dhe pikërisht ai është shkaku pse rrjeti mori emrin, duke u pagëzuar gjatë atyre dekadave si Eskobarët.

Sa i takon të arrestuarit në Shqipëri, në dosje thuhet se: “Faruk siguronte furnizimin e lëndëve narkotike nga Stambolli. Pikërisht për llogari të kësaj organizate Sirin kishte rekrutuar Mehmet Hundi (i cili u kap në Greqi). Sirin deklaron ndër të tjera që Bulen Dikmen kishte transprortuar para me vlerën 33 mijë pesetas nga Spanja në Turqi për llogari të kësaj organizate kurde”.

Më tej evidentohet se në dhjetor të 1994-s, Dikmen nuk pranon të transportojë heroinë, por vetëm para dhe për këtë shërbim atij i paguhen 35 mijë franga. “Besoj që nga trafiku i bërë kam fituar rreth 400 mijë franga”, tregon në atë kohë i implikuari, të cilat më pas i depoziton në llogarinë bankare të mikeshës së tij, Jocelyne Le Mogne. Kjo e fundit ishte e informuar për origjinën e parave theksohet më tej në aktet e drejtësisë franceze.

Mes dhjetëra veprimeve prokuroria shpjegon në akte se një nga urdhëruesit kryesor ishte Kazim Dogan, i cili përdorte një pasaportë holandeze në Spanjë nën identitetin Mehmet Irmak. Për këtë person transportuesi Sirin kujton në dëshmitë e tij se e kishte takuar në Madrit me Mahmud Baybasin, për të cilin ai besonte se ishte urdhëruesi kryesor dhe se Faruk Baybeson ishte kontakti kryesor në Stamboll.

Në bazë të dëshmive ku tregohen më tej pagesat e kryera, drejtësia franceze shpjegon se ka realizuar shkatërrimin e një rrjeti heroine të strukturuar në mënyrë të përsosur.

Në aktet që gazeta “Si” përkthen nga dosja theksohet se “në qendër të trafikut ka prova që fajësojnë Mahmut dhe djalin e tij Faruk Baybesin, që qëndrojnë në krye të kësaj organizate. Nga Spanja dhe Turqia ata udhëhiqnin operacionet, furnizimin me drogë dhe pritjen në Spanjë”.

Për këtë arsye vijohet më tej ka arsye që veç personave të tjerë të përmendur më sipër, Faruk Baybasin ka kryer veprime të trafikut në kuadër të një bande të armatosur.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.