Investigimi/ Nga “Rruga e Elbasanit” e deri tek “9-katëshet”, zbulohen zonat më të ndotura të Tiranës

Nga Bujana Xhindoli, Milieukontakt Shqipëri

Pajisja Aeroqual, pajisje e standardizuar dhe vlerësuar nga agjenci të rëndësishme ndërkombëtare, që punojnë në fushën e mjedisit, ka ndihmuar ekspertë të Institutit të Zhvillimit të Habitatit (Co-Plan) dhe Organizatës Milieukontakt, për të matuar cilësinë e ajrit në disa zona të Tiranës, metropolin e të gjithëve, ku i gjen të gjitha.

Ekspertët prej një viti janë duke matur parametrat e PM 2.5, PM 10, NO2. Sipas matjeve të PM 2.5 në orët e para të mëngjesit rezultatet tregojnë:  tek kryqëzimi (rruga e “Elbasanit” me rr. “Stavro Vinjau”) 0,064 mg/m3, rr. “Arben Broci” 0,029 mg/m3,  rr. “Skerdilajd Llagami” 0,038 mg/m3, rr. “Faik Konica” 0,038 mg/m3, rr. “Sami Frashëri” (përballë gjimnazit “Petronini”) 0,048 mg/m3, rr. “Sami Frashëri” (zona e bllokut) 0,029 mg/m3, rr “Dibrës” (përballë shkollës “Servete Maçi”) 0,042 mg/m3, norma e lejuar sipas BE-së është 0,025 mg/m3.

Përsa i përket matjeve të PM 10 kanë rezultuar: rr. “Maliq Muço” 0,012 mg/m3, rr. “Dibrës” përballë shkollës “Servete Maçi” 0,089 mg/m3, kruqëzimi tek 9-katëshet 0,121 mg/m3, tek Selvia (kryqëzimi tek “Siri Kodra” me “Rruga e Barrikadave”) 0,089 mg/m3, rr. “Sami Frashëri” (zona e bllokut) 0,034 mg/m3, rr. “Sami Frashëri” (përballë shkollës Petro Nini Luarasi”) 0,038 mg/m3, kryqëzimi tek rr. “Elbasanit” me rr. “Stavro Vinjau” 0,105mg/m3, rr. “Gjeneral Nikols” 0,078 mg/m3, Rr. “Mihal Grameno” 0,039 mg/m3, rr “Elbasanit (tek ish këndi i lojërave 7 xhuxhat) 0,085 mg/m3, rr. “Jani Kukuzeli” 0,097 mg/m3, rr. “Qemal Kuranjaku” 0,069 mg/m3, kur ndërkohë norma e lejuar sipas BE-së  është 0,04 mg/m3.

Në këto zona janë bërë matjet edhe për NO2, ku rezulton se në rrugën e Elbasanit parametrat e dikosidit të azotit janë 10 herë më të larta se norma e lejuar 0,04 mg/m3 nga BE. Shqetësuese janë vlerat e marra brenda lagjeve në këtë zonë, të cilat janë 3-4 herë më të larta se norma e lejuar. Monitorimi i parameterave të cilësisë së ajrit nga Co-Plan dhe Milieukontakt është bërë i mundur përgjatë projektit “Mushkëri të gjelbëra për qytetet tona”, mbështetur nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri. Për zonat e monitoruara deritanimë rezultatet e nxjerra nga ekspertët mund të shihen në platformën e dedikuar në internet greenlungs.al.

Qyteti i Tiranës e ka monitoruar cilësinë e ajrit në mesin e viteve 1970. Monitorimi fillimisht është fokusuar te dyoksidi i squfurit dhe bloza, duke iu përgjigjur ligjit të atyre viteve për mbrojtjen e mjedisit.  Pas viteve 2000 monitorimi i cilësisë së ajrit ju përgjigj ndryshimeve të burimeve të  ndotjes, ku ishin industria, djegia e qymyrit dhe e druve, ku këta të fundit ja lanë vendin automjeteve.

Ndonëse kemi një Agjensi Kombëtare të Mjedisit, ku edhe mund t’i referohesh raporteve për gjendjen e mjedisit,  për vitin 2018 në raportin e përgatitur prej saj nuk gjejmë asnjë gjurmë të kapitullit “ajri dhe cilësia e tij” ndonëse në raportin e vitit 2017 ky kapitull ka qenë i pari në renditje tek “Raporti i gjendjes në mjedis”.

Sipas “Raporti i gjendjes në mjedis” për vitin 2017 të AKM-së “kemi tejkalim të normës vjetore të PM10 prej 56% në stacionin Tiranë BT, 30% stacioni Tirana AKM”. Nga analiza e vlerave për NO2 vërejmë se kemi tejkalim të normës orare që është 200 µg/m³ në stacionin Tirana BT më datën 17.02.2017, ora 15:00, ku vlera e monitoruar eshtë 328.77 µg/m³. Ndërsa vlerat mesatare vjetore të lejuara NO2 prej 40 µg/m³ tejkalohen në stacionet Tirana BT dhe Tirana Qendër përkatësisht me 49.32 µg/m³, 86.42 µg/m³.

Meqë AKM-ja nuk dsiponon asnjë vlerë të matjes së cilësisë së ajrit për vitin 2018, i drejtohemi aplikacionit Tirana ime, për të lexuar të dhënat e fundit mbi cilësinë e ajrit në qytet, nga 4 stacione të vendosura, të dhënat për parametrat e cilësisë së ajrit mund t’i shohësh në kohë reale. Të dhënat e regjistruara tregojnë se të gjithë parametrat janë shumë të ulët, me përjashtim të stacionit tek rr. “Elbasanit”, ku kemi norma të larta të ozonit. Norma të larta gjithashtu janë regjistruar pë PM 2.5 dhe PM 10 tek stacioni pranë kryqëzimi i 21 Dhjetorit.

Për ndotjen e ajrit sipas specialistëve shkak është transporti rrugor, si një nga burimet më të mëdha të ndotjes, duke kontribuar në cilësi të dobët të ajrit, zhurmës e çrregullimet nga ndryshimet klimatike. Ndotësit e ajrit nga transporti përfshijnë oksidin e azotit, grimcat, monoksidin e karbonit dhe hidrokarbure. Të gjithë këta ndotës kanë një ndikim të dëmshëm në shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe bimësisë në nivel lokal. Në qendrat e qyteteve dhe në ato rrugë ku kalojnë automjete, ndotja është edhe më e madhe.

Oksidet e azotit  (NO2) tentojnë të sulmojnë gjethet e bimëve kryesisht të reja, si dhe procesi i fotosintezës zvogëlohet. NO2 është një ndotës që emetohet në atmosferë si rezultat i djegies së lëndës djegëse nga proceset industriale dhe sektori i transportit rrugor. Prania e tij  shkakton efekte të padëshiruara në shëndet, ky mund të dëmtojë mëlçinë, mushkritë, shpretkën dhe gjakun. Ashtu si SO2 dhe NO2 ndikon ne formimin e shiut acid dhe ne eutrofikimin e tokës dhe ujit.

Për të vepruar dhe marrë masat për përmirësimin e cilësisë së ajrit, fillimisht duhen disa vlera referuese, e duke analizuar ato ndër vite mund shkohet më pas në gjetjen e shkaqeve kryesore për cilësinë e ajrit, deri tek ndryshimet/shtesat e ligjeve. Para disa ditësh është zbardhur ndryshimi në LIGJIN NR. 7895, DATE 27.1.1995, ku neni Neni 201/a “Shkaktimi i fatkeqesive mjedisore” thotë: ‘Prishja e pakthyeshume e ekuilibrit natyror të një ekosistemi, për riparimin e dëmeve të të cilit kërkon ndërhyrje në vlera të konsiderueshme financiare dhe marrja e masave specifike nga shteti, prishja e qe ka sjellë pasoja te rënda për shëndetin e një mase të konsiderueshme të popullsisë, dënohen financiarisht apo me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Kush penalizohet në rastin konkret për cilësinë e ajrit në qytetin e Tiranës dhe jo vetëm? Cilët janë shkaktarët kryesor të ndotjes të cilësisë së ajrit sipas institucioneve monitoruese?

*Artikull i shkruar nga Milieukontakt Shqipëri dhe botuar për Gazetën SHQIP

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.