Mjerimi që shkakton vjedhja e pasurisë kombëtare

Nga Tom Keatinge

Një seri rrjedhjesh informacioni kanë nxjerrë në pah këto vitet e fundit shkallën me të cilën vazhdon të abuzohet sistemi financiar nga të pasurit. “Panama Papers” ishin të parat ndihmuan të ekspozohej roli i luajtur nga “juridiksionet e sekretit”, kompanitë guaskë dhe “zbatuesit profesionistë” si avokatët dhe llogaritarët.

Hetimet për skemat e pastrimit të parave kanë hedhur dritë mbi ndikimin e korrupsionit në gjyqësor, dhe përmes skandaleve të tilla si ai që përfshiu bankën daneze Danske Bank në Estoni, mësuam se ka dhe dështime afatgjata në procedurat e auditimit të sektorit bankar. Pavarësisht të gjithë këtyre shembujve, ndonjëherë megjithatë duket e vështirë të shihet se cili është vërtet ndikimi i grabitjes masive të pasurisë kombëtare.

Dhe pikërisht kjo ishte kaq domethënëse në pirgun e fundit të dokumenteve të mbiquajtur “Luanda Leaks” për shkak të lidhjes me Angolën.

Ata dëshmojnë qartë jo vetëm se si Isabel dos Santos, vajza e ish-presidentit të Angolës José Eduardo dos Santos, qe në gjendje të grumbullonte një pasuri prej më shumë se 2 miliardë dollarësh. Këto dokumentet janë në të njëjtën kohë dëshmia e mjerimit që lë pas grabitja e pasurisë kombëtare.

Teksa fituesit shijojnë (si në rastin në fjalë) luksin e të jetuarit në Londër, festave në resortat mesdhetare apo diellin e dimrit nga kuverta e jahteve miliona dollarëshe, jeta e humbësve pllakoset nga varfëria, nxjerrja në rrugë dhe sëmundjet. Luanda Leaks ekspozon, edhe një herë, dështimin e institucioneve, sistemeve dhe standardeve ndërkombëtare për ta luftuar një veprimtari të tillë shokuese.

Dokumentet e saj tregojnë se për njerëzit që lehtësojnë dhe organizojnë lëvizjen e parave nëpër botë nga zyrat e tyre brenda rrokaqiejsh me mure të xhamta, apo edhe nga rehatia e parajsave tropikale, një shumë me tetë shifra nuk ndryshon shumë nga pasuesja. Pasojat e asaj që bëjnë janë larg syve dhe larg mendjes.

Ndërsa hymë në dekadën e re, është momenti të pranojmë se për sa kohë “zbatuesit profesionistë” vazhdojnë t`i lejojnë ata që e kanë privilegjin ta blejnë pandëshkueshmëri, që të na e përplasin në fytyrë pasurinë e tyre dhe të ndërtojnë perandori si ajo e Isabel dos Santos, qasja aktuale për të siguruar integritetin e sistemit financiar praktikisht po dështon, – një dështim ky që do të dëmtojë jetën e miliona njerëzve të tjerë. Dy gjëra duhen bërë për ta menaxhuar siç duhet këtë situatë.

Qeveritë lipset të marrin një qasje më aktive për të ndrequr dobësitë e  sistemit financiar dhe mungesën e transparencës, e t`i sigurojnë më shumë burime hetimit dhe ndjekjes penale.

Por është e domosdoshme nga ana tjetër, që njerëzit të cilët e mundësojnë këtë aktivitet të paligjshëm dhe mjerimin e shkaktuar prej tij, të konsiderohen personalisht përgjegjës, e si të tillë, të japin llogari.

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.