Analizë/ Shqipëria ka nevojë për një sistem të ri zgjedhor, por çfarë sistemi duhet?!

Nga Edison Balla

Një nga problemet më kryesore që ka hasur vendi ynë në gjithë këto vite demokraci, duhet thënë që ka lidhje direkt me sistemin zgjedhor. Kështu në vite të ndryshme Shqipëria ka përdorur sisteme zgjedhore të ndryshme. Një çështje negative kjo, pasi ndryshimi i shpeshtë i sistemit nuk i jep mundësinë atij që të konsolidohet.

E nisi në vitin 1991 me sistemin mazhoritar dhe për shkak kë keqfunksionimit të kësaj formule, përfundoi duke ripërsëritur zgjedhjet sërish në vitin 92’.

Si sistemi mazhoritar i pastër ashtu edhe ai proporcional krijojnë hapësira për “rrjedhje” të votave të shumë qytetarëve, duke e bërë kështu sistemin zgjedhor të padrejtë. Në sistemin mazhoritar votohet për kandidatin ashtu siç ndodh aktualisht me votimet në rang vendor në vendin tonë.

Por duhet thënë që kjo mënyrë nuk rezulton e suksesshme kur përdoret për zgjedhjet qendore, pasi krijon mundësitë që shumë vota të mos numërohen dhe për pasojë vullneti i qytetarëve të mos shkojë aty ku është destinuar.

Kjo sepse duke u votuar për vetëm një kandidat, dhe duke dalë fitues kandidati më me shumë vota atëherë derivatisht do të humbin shumë vota që kanë shkuar për kandidatë që kanë marrë më pak vota se i pari.

Ndryshimi i sistemit zgjedhor në vitin 2008 në një marrëveshje mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, duhet thënë që ishte mbase goditja më e madhe që ju dha sistemit në gjithë këto vitë demokraci. Nëse deri para zgjedhjeve të vitit 2009 ishin përfaqësuar me vende në parlament edhe partitë e vogla, pas vitit 2008 kjo thuajse ishte e pamundur, sepse sistemi rriste pragun e përfaqësimit dhe bëntë të humbnin shumë vota të partive të vogla.

Tanimë sistemi ishte thjeshtë çështje llogarish matematikore, ku edhe votat e qytetarëve nuk kishin të njëtën vlerë në qarqe të ndryshme. Prandaj edhe sot jemi në fazën ku kërkohet ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Dhe pyetja që lind është: çfarë sistemi zgjedhor i duhet Shqipërisë?

Vendi ka nevojë për një sistem zgjedhor miks. Kjo sepse ky lloj sistemi mund të shmangë gabimet e të dy sistemeve të përmendura më sipër, qoftë të atij mazhoritar apo edhe atij proporcional.

Sistemi zgjedhor miks u ofron nga njëra anë votuesve mundësinë që të zgjedhin në mënyrë të drejtëpërdrejtë përfaqësuesin e tyre, dhe në të njëjtën kohë ofron edhe mundësinë e përfaqësimit proporcional. Duke reduktuar kështu edhe padrejtësinë e sistemit mazhoritar, që siç thamë më sipër denatyron vullnetin e zgjedhësve duke bërë të humbin shumë vota që nuk kanë shkuar për fituesin.

Shumë vende të zhvilluara sot e përdorin sistemin zgjedhor miks, përmendim këtu: Gjermaninë e cila edhe e ka krijuar këtë sistem, Zelandën e Re, Italinë apo edhe Japoninë.

Gjithsesi në përfundim vlen të thuhet se nuk ka një sistem zgjedhor perfekt, dhe se anjë lloj sistemi nuk mund ta zgjidhë plotësisht e në mënyrë definitive problemin e zgjedhjeve të ndershme e të lira. Kjo është më shumë një përgjegjësi e klasës politike.

Ndaj edhe paralelisht me ndryshimin e sistemit zgjedhor është e nevojshme edhe ndërgjegjësimi i klasës politike për të garuar ndershmërisht dhe me meritokraci.

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.