Baza ajrore/ Një vit nga vendimi si bazë e NATO, çfarë po ndodh me aeroportin e Kuçovës (FOTO)

Ministria e Mbrojtjes projekton të ardhmen e Bazës Ajrore të Kuçovës pas nisjes së punës për kthimin e saj në një bazë të NATO-s, e që do i shërbejë të gjithë rajonit të Ballkanit. Këtë të dielë në faqen e saj në facebook, Ministrja Olta Xhaçka ka prezantuan atë sesi do jetë kjo bazë, e cila vjen e përmbledhur me disa detaje nga Komandanti i Flotës Ajrore.

Sipas tij, viti 2020 të jetë viti i fuqizimit dhe modernizimit të forcave ajrore, teksa i është shtuar edhe elementi për të qenë një objektiv më vete edhe prezenca në rastet e emergjencave civile.

Dikur një nga bazat më strategjike të ushtrisë shqiptare, baza ajrore e Kuçovës ishte jashtë funksioni që prej fillimit të demokracisë, por kur u ndërtua ajo? Punimet për ndërtimin e bazës Ajrore në Kuçovë, ku NATO pritet të ndërtojë bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor, filluan rreth vitit 1952.

Reparti Ushtarak 3362 Kuçovë mbante emrin Reparti “23 Peza”. Ai u krijua si formacion i parë i madh luftarak i Forcave Ajrore për mbrojtjen e hapësirës ajrore.

Bërthama e parë e këtij regjimenti u krijua me vendim të posaçëm, ku u morën masa për përgatitjen e efektivit pilot e teknik për teknikën e re reaktive me të cilën do të pajisej reparti. Regjimenti u krijua më 15 maj 1955, ndërsa në janar të vitit 1956 në regjiment filloi përgatitja luftarake.

Në 23 prill 1955 në aerodromin e Kuçovës u ulën për herë te parë avioni “Mig 17”, avion i cili sot gjendet në qendër të qytetit, pranë Shtëpisë së Oficerëve. Avioni bombardues JI- 28 u ul për herë të parë në këtë aerodrom në korrik të vitit 1957.

Në vitin 1964 në vartësi të regjimentit u krijuan dy reparte të reja, Batalioni i Shërbimit të Aerodromit dhe Grupi i Radio-Dritës. Në 1995 krijohet Baza e Mbrojtjes Ajrore Kuçovë, ndërsa me urdhër të ministrit të Mbrojtjes në vitin 2001 me strukturën e re organizative të Forcave Ajrore, ky repart kalon në Akademinë e Forcave Ajrore.  Në hyrje të aerodromit gjigant, me një sipërfaqe prej mbi 300 hektarë, janë renditur 200 avionë rusë e kinezë, që shteti shqiptar i merrte me klering duke u dhënë krom shteteve përkatëse. E njohur ndryshe si “Aerodromi i Qytetit Stalin” nuk funksionon më si e tillë.

Në vitin 1965 krijohet skuadrilja e tretë reaktivo-mësimore për përgatitjen e pilotëve, teknikëve të rinj, me komandant pilotin Sali Dibra. Në fillim të vitit 1966 filluan punimet për ndërtimin e Uzinës së Riparimit të Avionëve, ndërsa në muajin prill reparti pajiset me një skuadrilje MIG-17.

Në gusht të vitit 1975  eksperimentohet për herë të parë qitje natën me raketa, ndërsa në vitin 1977 për herë të parë eksperimentohet bombardimi nga fluturimi horizontal në lartësi të vogël.

Në vitin 1979, në detyrën e komandantit të regjimentit emërohet Harilla Rebi dhe në atë të komisarit Viktor Vangjeli. Po këtë vit u vu në gatishmëri për drejtimin luftarak të regjimentit Vendkomanda e Kohës së Luftës. Në mars të vitit 1981 me ndihmën e efektivit pilot e teknik të repartit, Kinostudio “Shqipëria e re” xhiroi filmin artistik “Gjurmë në kaltërsi”, kushtuar armës së Aviacionit, ku ndihmë konkrete dhanë pilotët Harilla Rebi, Viktor Vangjeli, Agim Balili, Gjergji Spaho, etj, duke kryer një sasi të madhe fluturimesh në funksion të filmit, si dhe duke organizuar e ndihmuar edhe në punët e tjera.

Në vitin 1984 reparti emërohet “Regjimenti 23 i Aviacionit Gjuajtës Bombardues”, ndërsa në vitin 1985 dekorohet me urdhërin “Për shërbime të shquara në fushën e mbrojtjes”.

Në vitin 1995 krijohet Baza e Mbrojtjes Ajrore Kuçovë, Reparti Ushtarak 4030 (ish-1875). Viti 1999, është viti i kthimit në normalitet, ndërsa në vitin 2001, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, në strukturën e re organizative të Forcave Ajrore, ky repart kalon në Akademia e Forcave Ajrore, duke pasur në vartësi dhe Fakultetin Teoriko-Mësimor  Vlorë. Në vitin 2003 vazhduan punimet nga pala turke në aerodromin e Kuçovës, të cilat përfunduan në kohë sipas planit.

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.